Deklarata e Nishanit: Krimi kërkon të influencojë zgjedhjet

Armand MAHO

Edi Rama jo më kot e zvarrit ligjin e dekriminalizimit. Është miratuar që në dhjetor të vitit 2015 dhe i vetmi reagim është ai i Prokurorisë së Përgjithshme, e cila shkarkoi kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi. E jo më kot… Zgjedhje pas zgjedhjesh ai pa që pa ndihmën e elementit kriminal e ka të vështirë, në mos të pamundur, të marrë votën e shqiptarëve, pa paratë që vijnë nga aktivitetet kriminale dhe ai s’do të ishte atje ku është. Sidomos tani që ai ndodhet në situatën më të vështirë të karrierës së tij nga pakënaqësia që ka shkaktuar me vjedhjen dhe injorancën që e karakterizon në qeverisje. Humbja e pushtetit do të thotë të përgjigjet për të gjitha zullumet e shkaktuara në katër vjet qeverisje dhe janë jo të pakta. Ato që shikohen janë vetëm maja e ajsbergut… Në vitin 2017 ai nuk ka më as mbështetjen e enturazhit politik dhe marifetçinjve spekulantë ndërkombëtarë, të cilëve u kish vënë në dispozicion rezervat e naftës, turizimin, shëndetësinë. Hyri borxh 2 miliardë euro për tre vjet për të blerë pushtetin e tij politik. Shkaktoi humbjen e 550 milionë eurove me anë të CEZ dhe të tjera si këto. Sërish për zgjedhjet e vitit 2017, aleati i tij kryesor dhe i vetëm mbetet krimi….

Deklarata e Nishanit

Alarmi se krimi dhe paratë e drogës do të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme politike u dha dje dhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë takimit të përvitshëm me përfaqësues të medias. Një shqetësim i ngritur prej kohësh nga organet e informimit, por që lideri global preferon t’i quajë “media kazani”. “Ndaj shqetësimin tim, pasi evidenca serioze tregojnë se grupe të caktuara të krimit do të tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ky është një problem që duhet të na preokupojë të gjithëve. Në radhë të parë i bëj thirrje partive politike, lidershipit politik që me përgjegjësinë që kanë të adresojnë me shumë kujdes këtë sfidë të madhe sepse krimi dhe bota e krimit i dëmton, i kërcënon dhe i prek të gjithë”, tha Nishani. “Krimi nuk ka ngjyrim, ai është i zi dhe kthehet në një dëm të madh për këdo. Prandaj është përgjegjësi e politikës për të adresuar me shumë seriozitet këtë çështje. Por nga ana tjetër media të monitorojë dhe të denoncojë çdo tentativë që bota e krimit të influencojë në të ardhmen tonë. Le të dalim nga retorika, të shkojmë drejt realitet dhe më mirë sesa njerëzit e medias, që për shkak të aktivitetit të tyre kanë të mundur të prekin këtë realitet nga afër”, u shpreh Presidenti, i cili i mëshoi dhe një herë fort idesë së rrezikut të manipulimit të zgjedhjeve nga krimi me mbështetjen e rilindjes.

Manipulimi

Vetëm pak ditë më parë Presidenti do të jepte dhe një informacion tjetër tronditës, kur tha se sasi të mëdha hashashi kanë hyrë në vend gjatë muajit dhjetor dhe presin pranverën për t’u mbjellë. Informacione qeveritare bënë të ditur se ishin në dijeni të këtij informacioni dhe bëhet fjalë për rreth 15 tonë farëra kanabisi e aftë të prodhojë rreth 4 mijë tonë hashash. Vlera e përllogaritur shkon deri në 5.5-6 miliardë euro. E gjithë kjo shumë kanalizohet në aktivitete kriminale, të cilat Edi Ramën e shohin si investim të tyre. E ku ka më mirë për trafikantët e drogës, prostitucionit dhe qenieve njerëzore se një kryeministër i bindur ndaj tyre, që u hap portet e kufijtë, doganat, u pastron paranë… Zgjedhjet e vitit 2017 nuk janë larg, krimi e ndjen uraganin e pakënaqësisë po kjo pak i intereson. Shenjat tregojnë se elementët kriminalë po përpiqen me të gjitha format që lideri global të vazhdojë të qëndrojë aty ku është me qëllim që të kenë aksesin politik dhe vasalët e tyre në porte e dogana, në Parlament, polici e drejtësi, si garant se nuk do të preken.