Çmimi i energjisë për bizneset do rritet me 35%

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tarifat e reja të aksesit të bizneseve në rrjetin e shpërndarjes. Përveç çmimit të energjisë elektrike, bizneset që furnizohen në 35 kilovolt do t’i paguajnë edhe 1.5 lekë për kilovat tarifë OSHEE-së për përdorimin e rrjetit dhe bizneset 20 kilovolt do të paguajnë mbi çmimin 11 lekë të energjisë për kilovat edhe 3.9 lekë të tjera si tarifë përdorimi për rrjetin e OSHEE-së.
Me këtë vendim, të 6200 bizneset që furnizohen nga rrjeti 20 kilovolt do të paguajnë për shkak të tarifës së re deri në 35% më shtrenjtë energjinë dhe 82 bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt do të paguajnë 15% më shumë.
Këto tarifa do të aktivizohen gjatë këtij viti dhe të parët që do të penalizohen nga rritja e çmimit të energjisë janë bizneset në rrjetin 35 kilovolt. Burimet nga OSHEE bëjnë me dije se në muajin shkurt është gati e gjithë infrastruktura teknike e sistemit të matjes për të nxjerrë në treg të lirë këto biznese. Kështu, muajin tjetër, bizneset e këtij grupi do të nisin të paguajnë një tarifë 11 lekë për kilovatorë, nga 9.5 lekë që paguajnë aktualisht, nga e cila 9,5 lekë është tarifë për çmimin e energjisë dhe 1.5 lekë tarifë për përdorimin e rrjetit të OSHEE-së.
Por ekspertët e OSHEE shpresojnë se bizneset do të mund të gjejnë furnizues me çmim më të lirë, e cila mund të amortizojë tarifën e re të përdorimit të rrjetit. Por bizneset e kësaj kategorie, më herët gjatë muajit nëntor 2016, pohuan për “Monitor” se, kishin dështuar të gjenin një furnizues privat energjie me çmime të logjikshme.
Ndërsa tarifat më të larta pritet t’i paguajnë bizneset e rrjetit 20 kilovolt. Numërohen rreth 6200 subjekte të tilla, të cilat pritet të dalin në tregun e pavarur në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Këto biznese do të paguajnë 14.9 lekë për kilovat, nga e cila 11 lekë është çmimi i energjisë për kilovatorë dhe 3.9 lekë për kilovat është tarifa e re që ERE miratoi pak ditë më parë për përdorimin e rrjetit të energjisë. Aktualisht ato paguajnë 11 lekë për kilovat.
Me ligjin e ri të energjisë, 6200 biznese që furnizohen në linjën 20 kv duhet të dilnin nga tregu në janar të këtij viti dhe 82 kompani të tjera që marrin energji në tensionin 35 kv duhet të kishin dalë që në korrik 2016.
Por, për shkak se infrastruktura teknike e sistemit të matjes nuk ishte gati, dalja në treg të lirë e konsumatorëve nga 35 kv është shtyrë për muajin që vjen dhe konsumatorët në 20 kv për gjashtëmujorin e dytë të vitit.