Çmenduri për Grizman

Antuan Grizman është objektivi kryesor i Mançester Junajtidit dhe gjigantët anglezë janë vënë në lëvizje për ta afruar sulmuesin francez nga Atletiko Madridi. Sipas “The Sun”, 20 herë kampionët e Anglisë janë gati të paguajnë klauzolën prej 100.5 milionë eurosh në kontratën që e lidh 25-vjeçarin me klubin spanjoll, si dhe t’i ofrojnë atij një rrogë prej 257 mijë eurosh në muaj.
Gjithnjë referuar informacioneve që përcjell tabloidi britanik, Junajtidi ka hyrë në bisedime me përfaqësues të lojtarit, të cilit i premtuan të njëjtën pagë me Pol Pogbanë.
Vetë ylli francez në intervistat e tij nuk e ka fshehur pëlqimin për “Djajtë e Kuq” dhe trajnerin Zhoze Murinjo, çka i ka bërë mediat të spekulojnë për kalimin e tij në “Old Traford”.
Ndërkoh, Arsenal ofron 60 milionë për Belottin. Pak ditë më parë, presidenti i Torinos, Urbano Cairo vendosi një klauzolë të çmendur prej 100 milionë eurosh për bomberin italian, Andrea Belotti, por ofensiva e ditëve të fundit nga ana e Arsenalit mund ta kënaqë edhe më 60 milionë. Sipas tabloidit anglez “The Sun”, Arsene Wenger ka shënjestruar ish-sulmuesin e Palermos për ta vendosur në majën e sulmit të “Topçinjve”. Gjithsesi, transferimi në merkaton e janarit do të jetë i vështirë pasi klubi “Granata” kërkon të arkëtojë sa më shumë dhe gjatë merkatos së verës mund të presë ofertat e një ankandi më të bollshëm. Është vetë sulmuesi italian që kërkon të transferohet në një skuadër më të fortë dhe kjo e bën më të lehtë misionin për Arsenalin.
Gjithsesi, bisedimet janë në fazë fillestare dhe Arsenali kërkon që ta bëjë pagesën në disa këste, një kusht që Torino po e vlerëson. Në Londër, Belotti do të gjente ambientin ideal për të treguar klasin e tij pasi Arsenali i ka premtuar një vend titullari duke menduar edhe largimin e mundshëm të Giroud. Gjithsesi, situata e sulmuesit 23-vjeçar do të qartësohet gjatë javëve të ardhshme, pasi Torino mbetet në pritje të ofertave për të arkëtuar sa më shumë nga qendërsulmuesi i kombëtares italiane, i cili ka tërhequr edhe vëmendjen e disa klubeve të tjera angleze.
Tifozët e Arsenalit vazhdojnë e presin përforcime për të ndihmuar skuadrën të luftojë për titullin kampion. Por klubi duket se ka plane të tjera dhe ka vendosur të investojë, por jo për futbollistë.
Klubi informoi lojtarët nëpërmjet Instagramit se tashmë kishte një avion të ri për udhëtimet e Ligës së Kampioneve, një Airbus A380, në të cilin ishin vendosur ngjitëse gjigante me futbollistët në pjesët anësore.
Olivier Zhiru, Aleksis Sançez, Mesut Ozil, Hektor Belerin dhe Santi Kazorla të gjithë janë pjesë e këtij dekorimi të avionit, i cili brenda ka ambiente shumë luksoze ku përfshihen edhe kabina dushi apo edhe një bar plotësisht funksional.