Berisha “largon” Sportiellon drejt Lazios

Etrit Berisha është gati. Portieri i Kombëtares Shqiptare do të rikthehet titullar këtë fundjavë në portën e Atalantas pas dëmtimit që e mbajti jashtë disa javë. “Gazzetta Dello Sport” e cilëson rikuperimin e shqiptarit si një lajm të keq për Sportiellon, i cili tashmë lamtumirën e ish-numrit një të portës bergamaske si të pashmangshëm. Berisha edhe pse momentalisht në huazim, pritet të nënshkruajë përfundimisht për Atalantën në fund të sezonit dhe është pikërisht skuadra e Lazios që synon të afrojë gardianin italian në këmbim të numrit 1 të portës kuqezi, kartonin e të cilit aktualisht e zotërojnë bardhekaltërit.
Sipas gazetës italiane, vlera e vendosur fillimisht nga Lazio prej 6 milionë eurosh ishte një mur i pakalueshëm për klubin bergamask, por futja e Sportiellos në lojë mund ta zhbllokojë përfundimisht situatën. Berisha është aktivizuar titullar në 10 ndeshje gjatë këtij sezoni me Atalantën, duke arritur të grumbullojë 7 fitore, 1 barazim dhe dy humbje, ndërsa prania e tij këtë të dielë në portën bergamaske do të jetë ndeshja e 11 si titullar, pasi trajneri Gasperini beson verbërisht në aftësitë e portierit të lindur në Prishtinë, i cili pas disa sezoneve në Itali ka arritur të tërheqë vëmendjen për shkak të paraqitjeve të tij pozitive me skuadrën zikaltër.