26-vjetori ndryshe i “RD”

Armand MAHO

Dje ishte 5 janari. 26-vjetori i “RD” ka sjellë një risi. Ndryshe nga një vit më parë dhe ndryshe nga çdo herë tjetër njerëzit postonin dje në faqet e  tyre të profileve të rrjeteve sociale foton e numrit të parë të gazetës “RD”. Përse ky rikthim kaq i dëshiruar tek “RD”? E ka një arsye. Historia e “RD” është një histori opozitarizmi dhe sot shqiptarët janë më shumë se asnjëherë më parë me opozitën. “RD” është sot media opozitare nga të paktat kritike me qeverinë dhe njerëzit duan opozitën. Atë që u flet drejt shqiptarëve, atë që u thotë kriminelit, kriminel, banditit bandit dhe hajdutit hajdut pa e spërdredhur të vërtëtën.
Në redaksinë e “RD” ditën e djeshme telefonat cingërinin më shumë se zakonisht… Dhe hyrje daljet, ishin më të shpeshta dhe ngado ndihej aroma e një entuziazmi… Drejtuesi i saj jo vetëm në telefon, por dhe në rrjetet sociale individë të ndryshëm pro por dhe kundër saj vrapuan për të bërë urimin. Natyrisht, festohet 26-vjetori i ditës kur fjala e lirë, kur rrezja e dritës dhe e shpresës hyri në çdo vatër shqiptare të lodhur e rraskapitur nga diktatura e kobshme… më pesë janar të vitit 1991 mori jetë i pari numër i një gazete opozitare, e cila ja përplasi në fytyrë regjimit aktivitetin e tij kriminal. Ishte ajo, e cila përhapi në eter fjalën që shqiptarët nuk kishin guxuar ta thonin hapur, e cila u bë strehë e të përndjekurve politikë për të treguar vuajtjet e tyre. Ajo që moton “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa” nuk e  gërmëzoi vetëm në letër, por e gdhendi në mendjen e çdo njeriu… Dhe sot të gjithë ndjehen krenarë! Sepse gjithkush ka dhënë kontributin e tij, dhe ai që ka shkruar dhe ai që ka lexuar.

Kujtimet

“Rilindja Demokratike” në udhëtimin e saj 26-vjeçar ka pasur të përpjetat dhe tatëpjetat e saj… Gazetarët e saj janë kërcënuar, janë përndjekur, shumë prej tyre kanë ikur jashtë vendit, por ajo asnjëherë nuk i është shmangur misionit të saj. Në 26 vjet të saj, ajo numëron 7661 numra të përditshëm. Zërin e saj nuk e kanë mundur ta tulatin  dot as bandat e ‘97-ës, as përgjimet e Fatos Klosit dhe as represioni i Edi Ramës kryeministër që prej vitit 2013. “Rilindja Demokratike” ka mbetur dhe sot një ndër zërat e paktë që përditë denoncon regjimin despotik, korrupsionin, trafikun dhe kriminalizimin e shoqërisë, e një sistemi që prodhon çdo ditë e më shumë të varfër, çdo ditë e më shumë vetëvrasje… Ashtu si dikur kur denonconte veprimtarinë kriminale të regjimit të shkuar, sepse ajo u ngjiz nga ëndrra për liri dhe asaj ëndrre i qëndron besnike. Ja si e kujton Mitro Çela një ndër themeluesit e gazetës, numrin e saj të parë dhe efektin që kish ajo dhe artikullshkruesit tek lexuesit, gazeta kalonte dorë më dorë. Faqe më faqe. Të uritur për liri, të befasuar nga kurajua, të hutuar nga frika, njerëzit lexonin me lepurin në bark. Mileti i parafytyronte artikullshkruesit, si ufo të ardhur nga tjetër planet. Ja vlen të tregoj një episod. Kisha një komshi. Ekonomist. Quhej: Bastri Kastrati. Një ditë më ftoi për kafe. Në dorë mbate gazetën. “Mitro! Më ke mik?…Po…Mund të hamë një drekë me gazetarët?…Gjëja më e lehtë, i thashë. Por do një këshillë? Mjaftohu me leximin e gazetës. Po të hash drekë me ata që shkruajnë, do zhgënjehesh. Janë njerëz të thjeshtë? Të zakonshëm…Më thotë Bastriu: Nuk e bën dot? Ti them Sali Berishës?…Qesha. Dy ditë më vonë u ulëm për drekë Frroku, Preçi, Filipi, Shkullaku…Bastriu qëndronte si mbi gjëmba…Ne bisedonim kodra pas bregut. Filipi tregonte barcaleta…Ikën të gjithë. Kafen e pimë të dy. Kishe të drejtë, tha Bastriu. Më mirë të mbetesha tek leximi i gazetës”. Dhe si Bastriu ishin shumë….

Cermonia

Ora 18:00 datë 5 janar 2017… Holli i Hotel “Plazës”, nuk kish parë aq shumë përfaqësues të medias, por edhe politikanë, e natyrisht në këtë festë s’mund të mungonte lideri historik i PD-së, Sali Berisha, i cili ka vendin e tij të nderit, si një ndër ideatorët dhe themeluesit kryesorë të  saj. Me energjinë që e karakterizon troket gotat me të gjithë, dhe me ata që kanë qenë jo pak kritikë ndaj tij, dhe të gjithë ndajnë me të urimin “Gëzuar”. Ishin aty të gjithë, themelues ose jo, madje dhe ata gazetarë të rinj që kanë moshën e “Rilindjes Demokratike” ose më të vegjël se vetë gazeta. Të gjithë të barabartë, një të drejtë dhe dimension që gazetarët e këtij vendi e fituan 26 vjet më parë. Në këtë festë s’kish si mos ishte Frrok Çupi, Mitro Çela e Preç Zogaj, themeluesit e saj, apo Astrit Patozi që e drejtoi gjatë vitit të mbrashtë të 1997. Ishin aty dhe ata që kohë pas kohe nuk kanë pasur mendim të njëjtë me Partinë Demokratike, për shumë arsye, por tek e fundit kjo është e bukura e demokracisë, mendimi ndryshe. Ama sërish përsëri bien dakort, 5 janari është data simbol e medias shqiptare, data kur “fjala e parë” u tha lirshëm, pa vargonj. Themelimi i “RD”-së ishte kryefjala e të gjithë të pranishmëve aty. Kujtimet e 26 vjetëve më parë, orët e zgjatura në redaksi… Sot, mungon zukatja e makinave të shkrimit, me të cilat nisi botimin “Rilindja Demokratike”, por zhurma e tyre vazhdon të kujtohet dhe do të kujtohet, sepse ishin ato që derdhën në letër vuajtjet e një populli të tërë. Shtypja e gërmës së parë në ato makina, ishte dhe vula që i hoqi vargonjtë mendimit. Ka kaluar një çerek shekulli, por kujtimet e atyre ditëve nuk mund të harrohen. Çunakët e djeshëm me flokë të gjatë si shenjë rrebelimi ndaj sistemit, janë bërë burra, dhe burrat kanë hyrë drejt moshës së artë. Por gjithsesi, në mendje kanë akoma të freskët dehjen që i jepnin ato ditë të vrullshme të janarit 1991…. Të gjithë ata që vit pas viti e ditë pas dite kanë bërë të mundur nxjerrjen e numrave të parë, që u pasuan nga të tjerë e tjerë për t’u kthyer në uraganin e fjalës së lirë, dje kishin të drejtë të ndiheshin krenarë.

Basha:  Prej të vërtetës do të fitojmë

Fjalën e rastit do e mbante kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili përgjatë gjithë mbrëmjes u mundua të ishte prezent në çdo tavolinë gazetarësh. “Prej të vërtetës ekzistojmë, dhe prej të vërtetës do të fitojmë”, tha Basha. “Dua t’i bëj thirrje mediave të vendit përfshirë mediat kritike ndaj opozitës, të bashkohemi sot për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të luftojmë së bashku, për të zhdukur njëherë e mirë blerjen e votës, si një atentat që i bëhet zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dua ta pohoj para jush; prej të vërtetës ekzistojmë dhe prej asaj do të fitojmë. Kam qenë dhe jam kurdoherë i hapur me mediat dhe bashkëpunues. Misioni im e përfshin këtë dimension. Refuzimi i kritikës është refuzim i vet idesë së ndryshimit. Kjo është një nga pikat, ku unë dua të bëj ndryshim. Besoj që kjo ditë të shënojë bashkëpunimin e ri të opozitës me median. Gëzuar ditën e shtypit të lirë”, tha Basha. Të pranishmit bënë dhe diferencën e madhe mes atij që duhet të bëjë kryeministrin e vendit dhe kreut të opozitës. I pari, çdo media kritike e quan “media kazani”, ndërsa i dyti i vlerëson dhe i bën thirrje që të bashkëpunojmë për gurin e themelit të çdo sistemi, zgjedhjet e lira. Pas fjalës së Bashës, do të bëhej ceremonia e dorëzimit të medaljes “Titulli Kalorës i Urdhërit të Skëndërbeut” të akorduar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili iu dorëzua kryeredaktorit të “RD” Bledi Kasmi nga Florian Nuri, Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës. “Dua të bëj dy falënderime të veçanta, një për Presidentin e Republikës për nderin e veçantë që i bëri “Rilindjes Demokratike” me akordimin e këtij titulli, dhe falënderimi i dytë shkon për të gjithë ata themelues dhe drejtues të gazetës ndër vite”, do ishte fjala e kryeredaktorit Kasmi.

5 janari dita simbol e medias

Kështu u mbyll ky 26-vjetor, mes falënderimeve batutave të pjesëmarrësve. Ditëlindja e “RD” është dhe do të mbetet data simbol e medias shqiptare. Eshtë kjo arsyeja se përse, të gjithë ndjehen si në shtëpinë e tyre. Sepse 5 janari nuk është vetëm ditëlindja e “Rilindjes Demokratike”. 5 janari do të hyjë në analet e historisë, kur populli shqiptar “vrau frikën”. Kur fletushka që doli në atë ditë të ftohtë dimri përcëlloi duart gjakatare të diktaturës dhe drodhi nga themelet sistemin komunist. Bibla thotë “e para ishte fjala”, dhe ashtu si në tregimet biblike edhe “RD” foli për të vërtetën dhe do të vazhdojë të flasë. Ashtu si në tregimet biblike, fjala hyri në çdo vatër shqiptari, për t’u kthyer në një uragan që rrëzoi një diktaturë.. Ata që shkruajtën dhe shpërndanë ishin ata që bënë historinë, por rruga është e gjatë…. E para ishte fjala, e para ishte “Rilindja Demokratike”.