15 ngjarjet që ndryshuan skenarin ndërkombëtar 2016

444

Më poshtë kemi hartuar në një slideshow 15 evenimentet më të rëndësishme që kanë karakterizuar skenarin gjeopolitik gjatë vitit 2016. Kopertina i është kushtuar dy personaliteteve që kanë ndikuar më shumë mbi evenimente të tilla: Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump dhe Presidenti i Federatës ruse, Vladimir Putin.

3 janar: Irani dhe Arabia Saudite ndërpresin marrëdhëniet diplomatike si pasojë e sulmit ndaj ambasadës saudite në Teheran të shkaktuar nga protestat prej ekzekutimit kapital në Riad të liderit shiit Nimr-al-Nimr.

16 janar: Partia Demokratike Progresiste (DPP) fiton zgjedhjet në Tajvan dhe Presidentja Tsai Ing-Wen bëhet gruaja e parë në pushtet në një vend të gjuhës kineze. Rezultati elektoral është para së gjithash një humbje e politikës së afrimit me Kinën e promovuar nga Kuomintangu gjatë viteve të fundit.

12 shkurt: Papa Françesku dhe Patriarku i Moskës Kirill takohen zyrtarisht për herë të parë në Havanë për nënshkrimin e një deklarate ekumenike për paqen në Lindjen e Mesme dhe pajtimin midis besimeve kristiane.

22 mars: 3 sulme terroriste trondisin përkohësisht Brukselin, duke shkaktuar 32 të vdekur dhe mbi 250 të plagosur. Operacioni është rivendikuar nga Shteti Islamik dhe është planifikuar nga vetë celula terroriste që kishte përgatitur atentatet parisiane të nëntorit të kaluar.

2 prill: Përplasjet e reja midis forcave të armatosura armene dhe azerbajxhane në Nagorno Karabakh shkaktojnë mbi 190 viktima. Është kriza ushtarake më e keqe midis dy vendeve nga armëpushimi i 1994.

23 qershor: Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar zgjedhin që ta braktisin Bashkimin Europian në një referendim që shikon mbështetësit e Brexit-it të grumbullojnë 51.8% të votave. Megjithatë, Skocia dhe Irlanda e Veriut nxjerrin një afirmim të fortë të zgjedhjes europeiste.

14 korrik: Një terrorist në drejtim të një mauneje përplaset në Nicë me turmën e mbledhur përgjatë Promenade des Anglais me rastin e festës kombëtare, duke shkaktuar 86 viktima. Atentati rivendikohet nga Shteti Islamik.

15 korrik: Sektorë të forcave të armatosura turke tentojnë një grusht shteti për të përmbysur Presidentin Erdogan. Qeveria e ruan kontrollin e vendit dhe e shtyp revoltën me spastrime shumë të gjera të niveleve drejtuese të ushtrisë, Prokurorisë dhe universiteteve. Predikuesi dhe politologu Fethullah Gülen, i mërguar në Shtetet e Bashkuara, është treguar nga qeveritarët si përgjegjës për grushtin e shtetit të dështuar.

31 gusht: Senati brazilian miraton procedimin me aktakuzën dhe largimin nga posti i presidentes për Dilma Rousseff, e akuzuar se kishte falsifikuar deficitin e bilancit vjetor. Funksionet e kreut të shtetit mbulohen nga zëvendësi Michel Telmer.

4 shtator: Vdes në Tashkent Presidenti yzbek Islam Karimov, për pothuajse 3 dekada lideri i vetëm i Yzbekistanit para dhe passovjetik.

3 tetor: Fitore e jo-së në Kolumbi në referendumin për miratimin e marrëveshjeve të nënshkruara me FARC-un nga Presidenti Santos, të cilit i është dhënë edhe Nobeli për Paqen. Për shkak të votës popullore, marrëveshja më pas do të rishikohet pjesërisht dhe do të miratohet përfundimisht.

8 nëntor: Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Shpërthen debati lidhur me rolin e ardhshëm ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe mbi instrumentet, të cilat do të përdorë administrata e re për të ruajtur momentumin unipolar.

25 nëntor: Vdes në Havanë leader máximo i revolucionit kubanez Fidel Castro, në pushtet në ishullin amerikan nga janari 1959 deri në shkurt të 2008.

19 dhjetor: Njëkohësisht me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara nga ana e një ish-polic, në Berlin një maune merr përpara një treg Krishtlindjesh në qendrën e qytetit, duke shkaktuar të paktën 12 viktima. Atentati është rivendikuar nga Shteti Islamik.

22 dhjetor: Komanda e përgjithshme e forcave proqeveritare siriane njofton marrjen përfundimtare të Alepit: rrethimi përfundon vetëm pas mbi 4 vjetësh, me një bilanc prej më shumë se 31000 viktimash dhe shkatërrimin e pjesës më të madhe të qytetit të vjetër mijëravjeçar, pasuri e njerëzimit UNESCO.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA