Zgjidhet njeriu i vitit i “TIME”, Trump: Do bashkoj vendin

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump pranoi dje se ai ka për ta marrë drejtimin e vendit, në kushtet kur amerikanët janë të ndarë politikisht, por i hodhi poshtë thëniet se ai ka kontribuar në këtë ndarje.
Në një intervistë që ai dha për rrjetin televiziv “NBC”, pas njoftimit se revista “TIME” e kishte cilësuar atë “Njeriun e vitit” dhe si udhëheqësin e zgjedhur të “Shteteve të Përçara të Amerikës”.
“Ekzison një përçarje e madhe, por ne kemi për ta bashkuar vendin. Ne do t’ja shërojmë plagët, kemi për t’u bërë një forcë e madhe ekonomike dhe do të forcojmë ushtrinë dhe masat e sigurisë në vend. Kemi për të bërë gjëra të mëdha”, tha zoti Trump.
Miliarderi Donald Trump, një manjat i pasurive të patundshme, që u bë politikan republikan, i fitoi zgjedhjet presidenciale, pasi siguroi shumicën e votave të Kolegjit Elektoral, që bazohen tek rezultati i zgjedhjeve në 50 shtete amerikane dhe kryeqyteti Washington, edhe pse rivalja e tij, demokratja Hillary Clinton, fitoi votën popullore, duke siguruar rreth 2.7 millionë vota më tepër se zoti Trump.
Donald Trump tha në intervistë se ekziston një ndjenjë pëlqimi të dyanshëm mes tij dhe Presidentit demokrat, Barack Obama, të cilit ai do t’i zerë vendin më 20 janar; zoti Obama e mbështeti me forcë zonjën Clinton gjatë fushatës elektorale dhe e cilësoi zotin Trump si një njeri të papërshtatshëm për t’u bërë president.
Trump tha se e pëlqen Barak Obamën, edhe pse ata nuk janë dakord për një numër politikash. Ai shtoi se në takimin që patën dhe në disa biseda telefonike, ata kishin patur një dialog shumë të mirë dhe se i merr shumë seriozisht rekomandimet e zotit Obama.
Donald Trump shprehu në intervistën me “NBC News” disa mendime të tij për çështje të ndryshme.
Gjatë fushatës elektorale ai kritikoi disa marrëveshje tregtare të Shteteve të Bashkuara, se ato ishin në dëm të punonjësve amerikanë, por në intervistë ai tha se, “beson tek tregtia e lirë, por jo tek tregtia e pazgjuar. Politikat e mia tregtare kanë për të qenë të shkëlqyera”, tha ai.
Në fillim të javës, zoti Trump kërkoi vënien e një takse prej 35 për qind ndaj prodhimeve të kompanive që janë zhvendosur jashtë Shteteve të Bashkuara për në vende të tjera, ku krahu i punës është më i lirë dhe që përpiqen t’i sheshin prodhimet e tyre në tregun amerikan.
Trump tha se i pëlqen shumë komunikimi thuajse i përditshëm me publikun amerikan përmes Twitter-it. Ai shtoi se ka 40 milionë ndjekës në Twitter dhe në Facebook, duke i cilësuar këto forma komunikimi “si forma moderne të komunikimit”. Ai tha se në këtë mënyrë ai i transmeton mesazhet e tij më shpejt se sa përmes konferencave të shtypit dhe se mund t’i paraqesë mendimet e tij “më me ndershmëri se sa ato që jepen nga gazetarë të pandershëm”.

Do të tregojmë forcën e ushtrisë ku na preken interesat

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump ritheksoi dje vizionin e tij për një politikë të jashtme amerikane jo ndërhyrëse, duke përsëritur ato që tha gjatë fushatës elektorale, se ai nuk dëshironte që forcat amerikane të luftonin, siç u shpreh ai, “në zona që ne nuk duhet të përfshihemi”. Duke folur gjatë një tubimi falënderimi për mbështetësit e tij në Karolinën e Veriut, zoti Trump tha se fokusi i tij do të jetë mundja e terroristëve, përfshi këtu grupin e vetëquajtur Shteti Islamik.
“Unë do ta autorizoj përdorimin e forcës ushtarake vetëm kur bëhet fjalë për interesat jetike të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Nuk duam një ushtri të dobësuar, të shpërndarë kudo në botë, në zona ku nuk duhet të ishim të angazhuar. Tani e tutje, Amerika do të jetë e para. Nuk do të nxitojmë për të përmbysur regjime të huaja, për të cilat nuk dimë asgjë, ku nuk duhet të jemi të përfshirë”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund asaj që ai e quajti “cikël shkatërrimtar ndërhyrjesh dhe kaosi”.
Zoti Trump premtoi të forcojë ushtrinë, por tha se qëllimi do të jetë për të treguar forcë dhe jo agresion.
Gjatë fushatës elektorale, ai kishte përmendur disa herë se NATO dhe aleatët e tjerë nuk po mbajnë barrën financiare që u takon, dje zoti Trump u shpreh se ai kërkon të forcojë miqësitë e vjetra dhe krijojë miqësi të reja.
Në të njëtin tubim, zoti Trump njoftoi zyrtarisht se ka zgjedhur gjeneralin në pension, James Mattis për postin e sekretarit të Mbrojtjes.
Zoti Mattis ka shërbyer në krye të Komandës Qendrore amerikane që drejton operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, si dhe ka qenë komandant Suprem i NATO-s.
Gjenerali në pension do të ketë nevojë për një autorizim të posaçëm nga Kongresi për t’u konfirmuar në krye të Departamentit të Mbrojtjes. Përndryshe, ai nuk mund të shërbejë si sekretar i Mbrojtjes pasi ligji kërkon një pauzë shtatë vjeçare për ish-ushtarakët që të shërbejnë në këtë post. Ai ka më pak se katër vjet që ka dalë në pension.

I përqendruar tek hapja e vendeve të punës

Zoti Trump, në rrugën e tij të pazakontë drejt Shtëpisë së Bardhë, bëri fushatë për të sjellë më shumë vende pune në Amerikë, veçanërisht në rajonet e goditura nga recesioni dhe globalizimi.
Marrëveshja me kompaninë “SoftBank” është e dyta që zoti Trump ka përdorur për të theksuar se po mban premtimin e votuesve. Javën e kaluar, ai njoftoi se kompania “Carrier Manufacturing Corporation” do të mbante 800 vende pune në Indiana në vend që t’i dërgonte ato në Meksikë. Kompania “Carrier” ende ka në plan të dërgojë qindra vende pune atje nga një tjetër uzinë në Indiana.
Ai shkroi gjithashtu në Twitter se kërkon të anulojë një porosi pune për një avion të ri Air Force One, avioni me të cilin fluturon presidenti amerikan përreth botës. Qeveria ka kontraktuar kompaninë Boeing për të ndërtuar të paktën dy avionë të rinj që do të fillonin shërbimin në vitin 2024. Kostoja totale pritej fillimisht të ishte 3 miliardë dollarë.
Zoti Trump shkruajti se, “kostoja është jashtë kontrollit, më shumë se 4 miliardë dollarë”.
Kompania Boeing u përgjigj ndaj kritikave të zotit Trump përmes një deklarate ku thuhet se në këtë fazë të procesit është përfshirë një shumë shumë më e vogël fondesh.
“Ne jemi aktualisht në një kontratë prej 170 milionë dollarësh për të ndihmuar në përcaktimin e aftësive të këtyre avionëve kompleksë ushtarakë që u shërbejnë kërkesave unike të presidentit të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.
Deklarata nga gjiganti i hapësirës sugjeron se projekti është thjesht në një nga disa fazat që duhen kryer gjatë procesit të zhvillimit dhe të ndërtimit. “Ne presim të punojmë me Forcave Ajrore amerikane në fazat e mëvonshme të programit, për të ofruar avionët më të mirë për presidentin në vlerën më të mirë për tatimpaguesit amerikanë”.