Vret gruan duke e hedhur nga kati i katërt

“Debatuam me njëri-tjetrin. Në gjaknxehtësi e sipër e shtyva. Ajo ra nga dritarja”. Kështu ka deklaruar për policinë Ferdinand Ruko, i cili vrau bashkëshorten e tij Lilianën, duke e hedhur nga dritarja e banjës së banesës së tyre në katin e katërt. Ruko është marrë në pyetje nga Policia e Fierit dhe ka deklaruar se nuk ka patur qëllim ta vriste, por e kishte bërë në gjaknxehtësi e sipër.
Çifti kishte patur një sherr të fortë pak minuta para ngjarjes dhe burri më pas ka ndërmarrë aktin ekstrem. duke e hedhur gruan nga dritarja. Fillimisht ngjarja u raportua si vetëvrasje, por dëshmitarët dhe fqinjët e familjes Ruko deklaruan se kishte qenë Ferdinandi ai që e kishte shtyrë nga dritarja dhe gruaja kishte qenë lakuriq. Madje 43-vjeçarja ishte përpjekur të mbahej, por ai e kishte shtyrë me këmbë.
Megjithatë burri-vrasës ka thënë krejt të kundërtën në polici se, “nuk kishte asnjë qëllim ta vriste”. Çifti ishte kthyer dy javë më parë nga Gjermania ku kishin kërkuar azil, por nuk e kishin fituar. 43-vjeçarja ishte nënë e dy fëmijëve. Edhe pse në vendngjarje ka shkuar menjëherë ambulanca për t’i dhënë ndihmën e parë 43-vjeçares, ajo sërish nuk ka mundur të mbijetojë.
Sipas fqinjës së çiftit, e cila ishte dëshmitare, Liliana Rukon e ka hedhur i shoqi nga dritarja e banjës. “I shoqi e shtyu me këmbë nga dritarja e banjës, ndërsa ajo tentoi të mbahej. Ne nuk dimë të kenë pasur probleme”, ka thënë ajo. 40-vjeçarja është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës. Policia ka shoqëruar si të dyshuar bashkëshortin e gruas 40-vjeçare, F.R i cili do të merret në pyetje. Mësohet se çifti sapo ishte kthyer nga Gjermania ku kishin qenë për azil.