Vrasja e 19-vjeçarit në Elbasan, hidhen dyshime për kanabisin

Dalin në dritë detaje të reja për vrasjen e 19-vjeçarit Gazmend Sllami në fshatin Gur i Zi Elbasan. 19-vjeçari Sllami u gjet i vrarë pak ditë më parë në kodrën afër banesës në fshatin Gur i Zi Elbasan. Ai u vra, 2 orë pasi kishte marrë një telefonatë të dyshimitë, ndërsa një ditë pas ngjarjes policia arrestoi Altin Hazizin, 21 vjeç, i cili deklaroi se e vrau nga pakujdesia mikun e tij, teksa kishin dalë për gjah.
Por Prokuroria ka zbuluar se 21-vjeçari fsheh shkakun e vrasjes, ndërsa ka dyshime se vrasja mund të jetë kryer për kanabis. Ndërkohë, dje është arrestuar një 27-vjeçar i cili mësohet të ketë penguar në zbardhjen e së vërtetës të vrasjes. Policia ka sekuestruar edhe armën e gjahut me të cilën është kryer krimi. Policia thotë se, arma u gjet e fshehur në vendin e quajtur “Guri i Keq”. Fshehja e armës së krimit dhe deklarata kontraditore të autorit të vrasjes hedhin dyshime se kemi të bëjmë me një vrasje të qëllimshme dhe jo nga pakujdesia.
Ka dyshime se krimi mund të jetë kryer për drogën, pasi në këtë zonë kanë qenë disa parcela të mbjella me kanabis. Grupi hetimor ka zgjeruar hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë vrasje. Janë bllokuar 5 telefona celularë që u gjetën në vendin e ngjarjes dhe është kërkuar zbardhja e tabulateve prej nga pritet të dalin bisedat e kryera mes viktimës dhe personave të tjerë, pronarë të celularëve.
Burimet policore thonë se, Naim Hazizi, 27 vjeç është nga fshati Guri i Zi dhe u ndalua, “pasi dyshohet të ketë penguar në zbulimin e së vertëtës për vrasjen e ndodhur më datë 26.11.2016 në një kodër në fshatin Guri i Zi”. Ai po hetohet nga Prokuroria për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”. Ndërkohë, burimet nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, pritet që nga dëshmia e të arresturit të zbulohet shkaku i vrasjes.
I riu i vrarë me plumb në zemër merrej me bujqësi, pasi nuk kishte mundur të vijonte gjimnazin, për shkak të rezultateve të dobëta dhe largësisë së shtëpisë nga shkolla. Edhe pse me arsim 8-vjeçar në fshat e njihnin si një djalë të sjellshëm dhe që nuk konfliktohej me njeri. 19-vjeçari u gjet i vrarë me çifte nga familjarët e tij, rreth orës 16:00 të pasdites së 26 nëntorit, rreth 200 metra larg banesës së tij në një kodër në fshatin Guri i Zi në Elbasan. Kanë qenë të shtënat e një arme gjahu çifte që trembën familjarët e tij. Menjëherë, ata u drejtuan nga ana ku edhe janë dëgjuar të shtënat, dhe më pas në kodrinë kanë gjetur të shtrirë djalin e tyre, të cilin e kishin të dytin në familje.
Të tmerruar nga ajo që kanë parë, familjarët menjëherë kanë tentuar ta lëvizin nga vendi me qëllim që t’i japin ndihmën e parë, duke e çuar atë në spital. Por i riu ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Edhe pse kanë shkuar në spital, mjekët pohojnë se ai ka shkuar i pajetë. “Djali nuk ka thënë në shtëpi se ku po shkonte, por menjëherë pas telefonatës ai doli, dhe ne nuk është se dyshuam se kjo telefonatë ishte e fundit për djalin tonë”, thanë në Polici familjarët e 19-vjeçarit.
Familjarët e Gazmendit tepër të hidhëruar dhe tronditur, kanë pohuar ndër të tjera në Polici, se djali i tyre ishte shembullor, dhe nuk njihej në fshat për ndonjë sherr apo konflikt mes shokëve të tij. Ata kanë pohuar se, Gazmendit i ka rënë telefoni rreth orës 2:00, dhe pas kësaj ai ka dalë pa thënë se ku do të shkonte. Vetëm rreth dy orë pasi ai ka dalë, dëgjuan të shtënat që erdhën nga kodrina, dhe menjëherë shkuan aty. Vrasja është e mbuluar me mister, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e saj.