Vettingu, kush janë tre muskëtierët e Ramës

Proçesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë, ose i quajtur ndryshe vetting, në mënyrën se si është hartuar nga qeveria rrezikon kapjen e sistemit të drejtësisë nga kryeministri Rama. Ky i fundit kërkon të zgjedhë apo rivlerësojë njerëz në institucione të pavaruara siç janë gjykatat, nga njerëz të emëruar prej tij, gjë që bie ndesh me parimet e Kushtetutës, e cila parashikon një vlerësim nga institucione të pavarura dhe të drejta të barabarta gjithsecilit për barrën e provës. Edi Rama synon ta kalojë këtë proçes nga tre institucione ku në dy prej tyre janë emëruar njerëzit e tij. Bëhet fjalë për institucione të tilla si Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ILDKP, ku drejtor është emëruar Shkëlqim Ganaj, pasi iu hoq e drejta e propozimit të Presidentit në këtë institucion. Kjo drejtori do të bashkëpunojë me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, ku drejtor është Alket Hyseni, ish-kryetari i Garancive Statutore në PS, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ku drejtor është Haki Çako. Një institucion tjetër hallkë në kontrollin e figurës së gjyqtarit është dhe DSIK Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ku drejtor është Arben Seferi, dhe ky një tjetër i emëruar i Ramës në krye të këtij dikasteri!

Magjistratura

Pra çfarë ndodh! Proçesi i vettingut do të kalojë nëpër tre faza. I pari, është ai i vlerësimit profesional që do të kalojë nga Shkolla e Magjistraturës. Drejtori i saj është Sokol Sadushi, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Edi Ramën nëpërmjet Fatmir Xhafës. Pra, që në nisje, proçesi është i paragjykuar, pasi vetë ky institucion drejtohet nga një njeri i emëruar dhe propozuar nga vetë Rama në këtë post. Gjyqtarë dhe prokurorë që kanë vite karrierë mund të bëhen subjekt i inateve të kryeministrit, apo interesave të ngushta partiake apo personale që në fillim të proçesit. Sokol Sadushi u emërua në këtë post në vitin 2014, pas një proçedure të dyshimtë shkarkimi të ish-drejtorit Neshat Fana. Vendimin e mori bordi drejtues i shkollës pas ndryshimeve që i bëri në emergjencë Edi Rama menjëherë me të marrë pushtetin. Deri në atë kohë emërimi i Shkollës së Magjistraturës ishte kompetencë e KLD-së, ndërsa me ndryshimet e reja kjo kompetencë i kaloi bordit drejtues të shkollës. Sokol Sadushi do ishte nga emërimet e para që Rama do të bënte në krye të Magjistraturës, një skenar i mirëmenduar për mbushjen e saj më pas me militantë nga forumet e Partisë Sociliste!

Verifikimi pasurisë

Hapi i dytë, është ai i verifikimit të pasurive. Gjyqtari duhet të dorëzojë një deklaratë në ILDKP, dhe më pas kjo e fundit fillon hetimin për pasurinë e gjyqtarit. Në lojë futen dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave si dhe Drejtoria e Policisë. Dhe këtu duket se proçesi është i kompromentuar. Në krye të ILDKP-së i pari është Shkëlqim Ganaj. Në kujtesën e opinionit publik shumëkush mund ta kujtojë se si Rama, rrezikoi ta kthente në skandal përzgjedhjen e tij, pas kompetencave që i hoqi Presidentit të Republikës për shkarkimin e Zana Zhukës dhe emërimin e ish-nëndrejtorit të këtij institucioni Ganaj. Në fakt të drejtën e propozimit të emrave në këtë institucion e ka Presidenti i Republikës dhe votohet nga Parlamenti. Por dhe këtu, Rama si në rastin e Sokol Sadushit në krye të Magjistraturës përdori forcën e kartonit dhe propozimin dhe emërimin e bëri si desh vetë! Ky njeri do të jetë ai që do të marrë në dorëzim deklaratat e pasurive të gjyqtarëve, dhe më pas do ja kalojë Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Këtu çështja do i kalojë Alket Hysenit, njeriut që është marrë me garancitë statutore në PS. Ky individ në këtë pozicion zëvendësoi Gentjan Gazhelin, dhe ky një tjetër i besuar i Ramës dhe financues i PS-së në fushatë, i cili u emërua ambasadori ynë në Turqi.
Alket Hyseni do të mbahet mend se si me urdhër të Ramës, bllokoi garën brenda Partisë Socialiste, duke mos lejuar Ben Blushin të garonte kundër Ramës për postin e kryetarit. Hyseni nga ana e tij do të bashkëpunojë për verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve me Haki Çakon drejtorin e Policisë së Ramës. Për këtë të fundit nuk ka shumë nevojë për koment se njihet për devotshmërinë ndaj kryeministrit dhe urdhrave të tij. Njeriu që në bashkëpunim me Tahirin lejon kamionët e drogës drejt Italisë, lejon kultivimin e hashashit, lejon kriminelët të bredhin rrugëve, lejon Balilin të bredhë i lirë rrugëve të Sarandës, e të tjera si këto, ky do të jetë njeriu tjetër kyç që do të vendosë për fatin e gjyqtarëve. Hallka e fundit është ajo biografisë së gjyqtarit, ose e gjërave që thuhen rreth tij. Këtu futet në lojë një tjetër drejtori, ajo që quhet Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Në krye të kësaj drejtorie është një tjetër personazh besnik dhe i emëruar nga Edi Rama dora vetë. Ai quhet Arben Seferi. Kjo drejtori do të merret më shumë thashethemnajat që qarkullojnë rreth gjyqtarëve dhe do i paraqesë ato para bordit të monitorimit si informacione të klasifikuara. Fjala është e madhe, por në fakt nuk është asgjë tjetër vetëm se mbledhja e thashethemnajave sa andej këtej që fliten për gjyqtarët dhe që kanë të bëjnë me perceptimin që ka në publik x apo y gjyqtar. Eshtë hallkë, e cila mund të raportojë çfarë të dojë dhe çfarë të dojë ta fshehë. Pra dhe këtë proçes do e kryejë një tjetër i besuar i Kryeministrit Edi Rama.

Skenari për të futur në dorë drejtësinë është i mirëmenduar

Duket se skenari për të futur në dorë drejtësinë është i mirëmenduar. Drafti i vettingut një prej më të rëndësishmëve, është përgatitur nga Fatmir Xhafa, ndërsa armata e militantëve përgatitet nga Sokol Sadushi. Janë rreth 850 gjyqtarë e prokurorë që do i nënshtrohen këtij proçesi. Por më e rëndësishmja është se ku do japin llogari të gjitha këto institucione, që siç e pamë më lart, qartazi tregohet se drejtohen nga militantë të thekur. Kushtetuta parashikon, se gjyqtarët duhet të rivlerësohen nëpërmjet një proçesi të pavarur, por a mund të kryhet kjo nga njerëz partiakë dhe të intimiduar. Duke njohur praktikën e Ramës me emërimet, proçesi rrezikon të futet në një udhë pa krye dhe ta fundosë përfundimisht sistemin tonë të drejtësisë. Të katër personat që janë ngarkuar të shqyrtojnë proçedurat janë njerëz që raportojnë sistemakisht tek Edi Rama dhe nuk kryejnë asnjë lëvizje pa miratimin e tij. Duke njohur praktikat e Ramës, nuk është çudi që në fund të këtij proçesi të rrezikojmë që të gjitha vendimet e gjykatave, para se të jepet vendimi përfundimtar të kalojnë në sitën e zyrave apo kryetarëve të Rilindjues në rrethe. Opozita e kundërshtoi me të drejtë kalimin e tij në Kuvend, por kundër tij janë shprehur dhe Unioni i Gjyqtarëve. Çështja tashmë është në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kjo e fundit ja ka kaluar Komisionit të Venecias për mendim. Se çfarë do të bëhet më pas mbetet për t’u parë!

Pse PD kërkoi rrëzimin në Gjykatën Kushtetuese të Vettingut

Ndërhyrja me rol aktiv i institucioneve të treta, të varura apo nën ndikimin e politikës apo pushtetit ekzekutiv, përbën cenim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit, si dhe rrezik potencial të përfitimit politik nga procesi të mazhorancës aktuale, duke cenuar në këtë mënyrë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ligji ka asgjësuar thelbin dhe frymën e dispozitave kushtetuese, sepse kontrollin dhe hetimin në procesin e rivlerësimit e ka zhvendosur nga organet e krijuara rishtas dhe të konceptuara si organe të pavarura (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit), tek organet ekzistuese, jo kushtetuese, të pareformuara dhe të kontrolluara nga qeveria, siç janë ILDKPKI, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme.
Organet e reja të vettingut vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e qeverisë, sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të qeverisë, si psh. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ligji cenon parimin e barazisë përpara ligjit, standardet e procesit të rregullt ligjor, si dhe parimin e llogaridhënies së organeve kushtetuese, si element thelbësor i shtetit të së drejtës. Nga mënyara sesi është konceptuar procesi i vlerësimit, ligji krijon një pseudoproces të rivlerësimit, i cili dhunon haptazi elementët dhe standardet thelbësore kushtetuese. Veçanërisht, procesi dhe standardet e kontrollit të figurës cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ligji dhunon standardin kushtetues për të mos deklaruar fajtor dikë mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, duke lënë hapësirë për subjektivizëm dhe selektivitet në procesin e vettingut.
Ligji dhunon parimin e sigurisë juridike, sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor. Ligji krijon mundësi që në praktikë të ketë ngërç institucional, zvarritje të procesit, konflikte kompetencash, ndjekje të praktikave jo uniforme dhe pengesa të tjera, që do të minojnë thelbin e procesit të rivlerësimit.

Gentian DACI