Vendim politik i Brukselit, Rama i padëshëruar në BE

371

Askush në BE nuk është dakort që t’i hapë Ramës dritën jeshile të Negociatave. Vendimi është tërësisht politik. Të gjitha kriteret e shtuara dhe të vendosura nga Bashkimi Europian janë politike. Ato janë një tregues i fortë i krizës politike në të cilën është sot Shqipëria. Nuk janë më as shtatë, por tetë kushte, sepse edhe Greqia ka mundur që të shtojë kushtin e saj ndaj Ramës sipas të cilit, Negociatat do të varen edhe nga marrëdhëniet me vendet fqinje.
Kushtet e Bashkimit Europian janë boshti mbi të cilin Rama ka ngritur qeverisjen. Kërkohet largimi i kriminelëve nga Parlamenti, qeveria dhe administrata, sepse Rama i ka mbushur institucionet me vrasës, përdhunues, trafikantë droge dhe prostituash. Kërkohen rezultate në ndëshkimin e korrupsionit tek zyrtarët e lartë, sepse Rama është sot kampioni i korrupsionit jo vetëm në Europë, por në rang global. Vendoset si kusht zhvillimi i zgjedhjeve që të plotësojnë standardet, sepse Rama e ka kthyer në sistem blerjen e votës me paratë e krimit dhe korrupsionit. Ndëshkimi i Shqipërisë në rrugën e saj europiane është direkt një përgjegjësi e Ramës. Kreu i organizatës kriminale që drejton qeverinë po mban sot peng vendin.

Refuzimi i ministrave të BE

Komisionit Europian i është kërkuar gjithashtu të paraqesë një raport për Shqipërinë, kur ajo të ketë bërë përparim të mjaftueshëm në këtë drejtim.
“Këshilli vëren pozitivisht rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, në varësi të një përparimi të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në veçanti të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thekson teksti për Shqipërinë, i cili u diskutua sot nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare.
Ajo çfarë është për t’u theksuar, lidhet me hapësirën që i lihet Komisionit, për të mos pritur kalendarin për Zgjerimin, por që të mund t’i drejtohet vendeve anëtare më parë, nëse vëren përparim. “Këshilli fton Komisionin të raportojë mbi Shqipërinë, përveç paketës së zgjerimit, dhe do të rimarrë në shqyrtim Shqipërinë, kur të jetë kryer progresi i mjaftueshëm”, thekson teksti. Këtë vuri në dukje në konferencën për shtyp në përfundim të takimit dhe ministri i Jashtëm sllovak Miroslav Lajçak, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së.
Clipp “Ka një marrëveshje të qartë. Ne nuk do të kemi nevojë të presim raportin e ardhshëm të komisionit, në pranverë të vitit 2018, por ka një angazhim të Komisionit që të informojë apo të rishqyrtojë ecurinë e Shqipërisë, sa me shpejt apo kur të ketë përparim të prekshëm. Pra, unë mendoj se ky është një rezultat i qartë dhe pozitiv dhe se Shqipëria duhet të jetë e kënaqur”.
Ndërkohë Këshilli, kërkon që vendi të vazhdojë me zbatimin e 5 përparësive kyçe të identifikuara që në vitin 2014. “Duke rikujtuar përfundimet e mëparshme të Këshillit, përfshirë ato të dhjetorit 2015, Këshilli thekson se zbatimi i qëndrueshëm, i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës i të 5 prioriteteve kyçe, duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave”, nënvizohet në pjesën për Shqipërinë.
Pikat e tjera ishin një përmbledhje e gjetjeve të Raportit të Komisionit Europian, ku sërish një theks i veçantë i vihet rëndësisë së miratimit të Reformës në Drejtësi. Reforma mbetet kyç për shtetin e së drejtës dhe mund të jetë transformuese edhe për fusha të tjera, ndërsa Komisioni ftohet të intensifikojë angazhimin e vet teknik me Shqipërinë në fushën e shtetit të së Drejtës. Po ashtu, Shqipërisë i kërkohet që “të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të sigurojë se rezultate në luftën kundër korrupsionit do të ketë dhe në nivele të larta, sikundër duhet të garantohen në mënyrë progresive dhe rezultate më efektive në shkatërrimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe trajtimin e çështjes së prodhimit të drogës dhe trafikimit”.
Në pjesën për Shqipërinë theksohet gjithashtu, se “dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat që lidhen me integrimin europian mbeten kyç për avancimin e mëtejshëm të axhendës së reformave dhe e çon vendin më afër BE-së. Kjo do të jetë e një rëndësie të veçantë gjithashtu për finalizimin e Reformës Zgjedhore, në trajtimin e rekomandimeve të OSBE-së në një kohë të mjaftueshme para zhvillimit të zgjedhjeve për të siguruar që ato të mbahen në linjë me standardet ndërkombëtare”.
Tensionet e kohëve të fundit me Greqinë duket se kanë lënë gjurmë edhe në përfundimet e vendeve anëtare për Shqipërinë. Në paragrafin e fundit “Këshilli mirëpret vazhdimin e angazhimit konstruktiv në bashkëpunimin rajonal dhe nënvizon rëndësinë për të siguruar marrëdhënie të mira të fqinjësisë, çka është thelbësore. Veprime apo deklarata, të cilat ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore, duhet të shmangen”.

Përse hesht Rama për vendimin e Brukselit?

Asnjë koment në faqen e tij në Facebook. Asnjë fjalë për vendimin e Këshillit Evropian të BE-së. Asnjë rresht se çfarë do të bëhet tani e tutje me negociatat, se çfarë do të bëhet me zgjedhjet e lira që i janë vënë kusht Shqipërisë drejt rrugës së integrimit. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes hodhi një fotografi në rubrikën e tij Armarcord, ku komentonte personazhe të kohës së rilindasve, që ai me të padrejtë dhe turpërisht i ka vjedhur emrin. Njeriu që nuk lë komentues pa i kthyer përgjigje që krekoset si gjeli majë plehut për çdo deklaratë të ndonjë personaliteti ndërkombëtar të oborrit të tij për gjashtë orë hesht!. U mjaftua me disa video të hedhura nga një takim me ambasadorë, ku krenohej se do të ishte sërish kryeministër, ndërkohë që në Bruksel po diskutohej për fatet e vendit. Nuk kish se si?! Brukseli ja tha qartë e shkoqur?! Në rast se ti do të jesh sërish kryeministër me vota të vjedhura, atëherë nuk ka integrim. Në rast se do të jesh kryeministër i një vendi eksportues të drogës, atëherë ska integrim. Në rast se do të vijosh talljen, karagjozllëkun dhe shtypjen e qytetarëve që të besuan, atëherë ska integrim?! Nuk ka integrim në rast se do të jesh ti Kryeministër! Evropa e ngritur nga parimet e të drejtës dhe lirisë së zgjedhjes, nuk mund të shtrohet në bisedime me kryeministrin që burgos fukarenjtë se kërkojnë pak dritë për vogëlushët në shtëpitë e tyre dhe i hap rrugët e pushtetit trafikantëve dhe përdhunuesve të tipit Roshi, Bushi apo Prenga. Prandaj Kryeministri heshti. Dje, atë s’mund ta qetësonte askush, as Fuga i tij i bindur që ndejti me orë të tëra para ekraneve për të gjetur “fajtorët”, që ai i ka fort për zemeër. Kërkoi e rrëmoi por të gjitha të çonin tek një emër Edi Rama! Evropa i kish mbyllur derën, dhe në këtë rast atë s’ka “vetting” që e shpëton nga situata. Vendet partnere ia drejtuan gishtin fajtor është vetëm ai e askush tjetër. Ajo botë ku duam të integrohemi na pret pas 18 qershorit të vitit të ardhshëm, kur ky vend do i drejtohet kutive të votimit për të ndryshuar këtë realitet. Deri atëherë, mos prisni të flasë, por mos prisni dhe nga ndërkombëtarët asgjë!