Uragani i studentëve dhe Azemi

Replikë me “mikun” tim Edi Rama

Ilir Kaduku

Janë katër ditë me aq shumë ngjarje dhe aq protagonistë, sa do të duheshin kapituj të tërë për ta përshkruar, që nga nisja e protestës së studentëve më 8 dhjetor dhe deri në themelimin e Partisë Demokratike më 12 dhjetor 1990. Është periudha e kthesës së madhe të Shqipërisë, rrëzimi i mureve të diktaturës, hapat e parë drejt lirisë së munguar. Ishin ata djem e vajza të Qytetit “Studenti”, që guxuan pikërisht atë natë të 8 dhjetorit, të mblidheshin bashkë për të protestuar, për të ringjallur shpirtin e lirisë edhe në kryeqytetin shqiptar, atje ku e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, jetonte monotoninë e zakonshme. Për të gjithë ata që e jetuan nga afër këtë natë dhe të tjera që pasuan, imazhet e asaj ngjarjeje të vrullshme, që gjunjëzoi përfundimisht diktaturën komuniste, mbeten të pashlyera në kujtesë. Edhe pse pas këtyre viteve, disa detaje kanë humbur nga kujtesa e tyre, imazhet dhe emocionet për secilin prej pjesëmarrësve mbeten po ato: frika ndaj regjimit e përzier me madhështinë e momentit historik që po jetonin.
Kur shohim sot imazhet dhe fotot e atyre momenteve, dallojmë varfërinë dhe gjendjen e vështirë ekonomike, që kishte pllakosur gjithë familjet shqiptare, por edhe aspiratën për të jetuar të lirë si gjithë popujt e tjerë evropianë. Aspiratë, që lexohej lehtë te fytyrat e atyre studentëve, të cilët veshën atë natë kostumin e rëndë të protagonizmit, që historia kishte rezervuar për ta. Ata ia dolën të shtyjnë drejt greminës, sistemin e rrënuar komunist.
Si një dëshmitar okular dhe si një pjesëmarrës aktiv i atyre ditëve historike më poshtë po rendis kronologjisht katër ditë që kulmuan me themelimin e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare pas gjysmë shekulli. Në shkrimin modest timin shfaqen sërish emocionet e asaj kohe me të gjithë dimensionin historik dhe me dyshimin nëse kemi vepruar drejt dhe mirë gjatë këtyre viteve. Kam dyshime në përgjithësi, për momente të caktuara gjatë rrjedhës së ngjarjeve, për rolin e “shokut” të dhomës apo fakultetit, pedagogut apo intelektualit. Dyshimet lidhen kryesisht për mundësinë e rolit të Sigurimit të Shtetit apo të Ramiz Alisë në ato ngjarje. Sekuenca të veçanta rrëfejnë rrugën drejt destinacionit final, drejt projeksionit dhe ëndrrës të madhe që quhet “Demokraci”.
Dyshimi më i madh është se nëse kemi qenë të pirë apo jo? Ky dyshim më është shtuar sidomos pas intervistës të liderit global dhënë në Neë York. Ti, “miku” im Edi Rama je i njohur për deklaratat dhe veprimet e papërgjegjshme. Po të mos ishe kryeministër i vendit tim as që do të më shkonte mendja për të lodhur gishtat mbi tastierë për të bërë replikë me një njeri të mbytur në vese dhe perversitete. Nga Neë York-u ke deklaruar: “Studentët e dhjetorit dolën në rrugë pasi kishin pirë”. S’do ta kisha marrë seriozisht deklaratën e tij sikur ajo të mos vinte nga përtej oqeani, ku vetëm pak muaj më parë kryeministri ynë në rrjetin televiziv “CNN” në ato pak minuta që ju dha mundësia të fliste për vendin e tij i konsumoi duke stigmatizuar me fyerje dhe denigrime njërin prej njerëzve më të suksesshëm të botës së biznesit, që para disa javësh u zgjodh presidenti i vendit më të fuqishëm të botës, aleatit dhe partnerit tonë strategjik.
Unë s’do ta merrja seriozisht deklaratën e tij në adresën tonë sepse na ke mësuar të mos e marrim seriozisht, pasi kur shkon në gjykatë dëshmon që djali s’është i tij, por i babait të tij. Kur është në Kishën Katolike thotë jam katolik, kur është në xhami bëhet mysliman, në Kishën Ortodokse jam ortodoks, prej lidhjeve me Sorosin që i ka siguruar nga lidhja në martesë të kushtëzuar thotë që jam hebre, në mjedise veteranësh dhe komunistësh rreh gjoksin duke u mburrur që jam nipi i Spiro Kolekës dhe kur gjendet në rrethe të djathtish aludon jam nip i Mbretit Zog (sipas Kastriot Myftarajt). A mund të merret seriozisht një tip i tillë sikur të mos ishte kryeministri i vendit tim?!
Në deklaratën tuaj për ne idealistët e Dhjetorit ‘90 ka diçka shumë të vërtetë: ne kemi qenë realisht të dehur nga aroma e lirisë dhe demokracisë. Na kishte dehur shembja e Murit të Berlinit, na kishte dehur çlirimi prej diktature i hungarezëve, i çekëve, i rumunëve. Ishte koha kur ti po eglendiseshe nëpër Greqi me një bursë shteti i dërguar si djali i babait që kishte nënshkruar varjen e poetit disident Havzi Nela vetëm një vit më parë se të binte muri që na kishte dehur ne.
Ishte koha kur ti dhe plehrat që të rrethonin ulërisnit: “Komunistët në litar”. Dhe në vërtet i ke “varur”. Në krah të djathtë ke sygjaksin Gramoz Ruçi, majtas atë tranvestitin Bushati, midis këmbëve ke pinjollët e Lenka Çukos, Xhelil Gjonit, Spiro Kolekës, Bilbil Klosit, Manush Myftiut e me qindra të tjerë që i ke në kupolën tënde të shtetit më kriminal që ka patur kombi ynë në histori. Ishte koha jonë e artë e përplasjes me diktaturën, kur ti bëje sehir nga veranda e Hotel “Tirana” bashkë me Pranvera Hoxhën dhe me “ajkën” e shoqërisë shqiptare. Ishte koha kur të përshpëriste në vesh Ramizi për të marrë kapital politik dhe për t’u zgjedhur diku në partinë që e gjete të krijuar. Nuk ja arrite me PD-në ju turre PS-së. Te partia e baballarëve ja dole, veçse e ke bërë atë parti “si gosti ujqërish të uritur”.
Ne ishim vërtet të dehur nga aroma e lirisë dhe demokracisë në atë dhjetor të ‘90-tës, por ju dhe trashëgimia juaj e keni kalbur atë aromë lirie, e keni ndryshkur demokracinë e brishtë që solli ai dhjetor i lavdishëm.
Lëvizja Studentore është një moment shumë historik dhe në të njëjtën kohë kritik në historinë moderne shqiptare. Diku tjetër i kam zbërthyer me qetësi arritjet e saj historike. Mirëpo, në këtë moment delikat në të cilin po shihet qartë se ku po na gremis qeverisja e sotshme kriminale, ku shoqëria është e kriminalizuar, sistemi politik është oligarkik, ekonomia është në grushtin e disa monopolistëve, kur administrata është e korruptuar, vendi nuk ka sovranitet dhe pyetja shtrohet, se cili do të jetë niveli i përplasjes shoqërore të nesërmen e zgjedhjeve, është e dobishme të reflektohet mbi momente e lëvizje të tilla shoqërore. Më shumë se kurrë kemi nevojë për t’iu drejtuar të shkuarës për të gjetur shembuj të mirë. Mendoj se gjatë periudhës tepër të vështirë të tranzicionit shembullin më të mirë e pasqyron Lëvizja Studentore e viteve 1990-1991.
Duke lënë mënjanë shumë individë, elemente e kontribute, do të thoja se arritjet e mëposhtme të Lëvizjes Studentore e meritojnë vëmendjen e analistëve dhe të historianëve. Së pari, e para të gjithave vlera themelore e Lëvizjes Studentore ishte mesazhi thellësisht patriotik e kombëtar. Edhe pse kishte ideologji e besime të tjera, fryma kombëtare ishte përcaktuese në momentet më kritike dhe në vendimet që u morën. Kjo e bëri lëvizjen një kontribut të veçantë e të dallueshëm në atë periudhë kritike dhe pikërisht për këtë arsye, ai kontribut është themeli i respektit dhe vlerësimit që shprehet nga të gjithë shqiptarët për lëvizjen e për pjesëmarrësit e saj. Së dyti, ishte mobilizimi e strukturimi i studentëve në masën kritike që e gjeti dhe e fitoi zgjidhjen e duhur politike në një moment historik kur paria e Tiranës dhe intelektualët ishin krejtësisht të paralizuar e të pazotët që të vepronin si duhet. Së treti, ishte ruajtja e dallueshmërisë së Lëvizjes Studentore nga partitë politike. Shumë nga studentët u përfshinë në politikë, por karakteri, individualiteti dhe besimi politik i lëvizjes u ruajt i patjetërsueshëm përmes organizatave dhe individëve të veçantë. Ishte fitimi i pluralizmit nga ana e vetë studentëve dhe dhënia e shembullit të sjelljes së vërtetë demokratike e kombëtare. Së katërti, ishte themelimi, drejtimi dhe mbështetja që iu dha partisë së parë opozitare si një formë moderne kundërvënie ndaj një sistemi ende shumë të fuqishëm. Së pesti dhe e lidhur pazgjidhshmërisht me kontributin e mësipërm ishte planifikimi, organizimi, drejtimi dhe mbyllja në sukses e grevës historike të urisë që e detyroi sistemin të hiqte statujën dhe emrin e themeluesit të vet, Enver Hoxhës dhe të pranonte humbjen e legjitimitetit. Kjo edhe çliroi masat e gjera të popullit dhe të gjithë shtresat nga kontrolli, frika, detyrimi dhe dyshimi.
Jemi dëshmitarë për përpjekje të mahnitshme për të manipuluar me Lëvizjen Studentore. Politika nuk na lë që ta harrojmë Lëvizjen Studentore. Janë edhe disa të korruptuar e të degjeneruar nga të gjithë krahët që na shiten si liderë të dhjetorit. Duke e parë këtë manipulim të pashembullt, duke e vlerësuar si duhet momentin kritik në të cilin gjendemi, mendoj se duhet të ndahemi me këta matrapazë e manipulues të së vërtetës. Ashtu si edhe është e kam vënë në dukje disa herë duhet që të sqarohen si motivet ashtu edhe e vërteta lidhur me Lëvizjen Studentore. Duhet të sqarohet se këta matrapazë dhe kameleonë politikë nuk kanë të bëjnë asgjë me lëvizjen e kontributet e saj. Megjithatë këta janë shkaku pse kjo lëvizje historike është persekutuar pa mëshirë.
Pse e them këtë? E them sepse Lëvizja Studentore është burimi kryesor i legjitimitetit të Edi Ramës, Pandelush Majkos, Ilir Metës e të shumë prej figurave tashmë të diskredituara që ende duan të shiten si “dhjetoristë” dhe e shumë pseudomilitantëve të PD-së që janë në gjendje të cicërojnë se çfarë kanë bërë në ato ditë të stuhishme.
26 vite më parë, në kryeqytetin e Shqipërisë, e pikërisht në Qytetin “Studenti”, studentët e Universitetit të Tiranës ngritën krye kundra këtij regjimi famëkeq. Ata në datën 8 dhjetor 1990 vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundra regjimit, fillimisht për ndërprerjen e energjisë elektrike, kushtet e vështira ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente, kushtet tepër të vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla. Ata organizuan një protestë, në të cilën ndodhi që policia e ushtria përdorën dhunë për të shpërndarë studentët dhe disa protestues morën plagë nga dhuna që përdorën forcat e pushtetit komunist. Kjo do të sillte dhe irritimin e mëtejshëm të studentëve dhe kërkesat e tyre u zgjeruan. Përveç kërkesave për plotësimin e kushteve të jetesës ata kërkuan lejimin e pluralizmit, si dhe dënimin e dhunuesve të studentëve.
Ngjarjet rodhën shumë shpejt dhe pas shumë protestave ku zëri kryesor që dëgjohej ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, një përfaqësi studentësh e kryesuar nga Azem Hajdari, iu drejtua më 11 dhjetor 1990, Pallatit të Brigadave ku priteshin në takim nga sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë, Ramiz Alia, njëkohësisht edhe president i vendit. Ky është dhe momenti më kyç i Lëvizjes Studentore. Në atë mbledhje, Ramiz Alia, duke parë që studentëve u ishin bashkëngjitur tashmë dhe qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria dhe pushteti nuk kishte më fuqinë t’i bënte ballë Lëvizjes për Demokraci, pranoi pa kushte pluralizmin politik në Republikën e Shqipërisë.
Lëvizja Studentore shqiptare lindi si rezultat i një serie protestash studentore e demonstratash që u përshkallëzuan në një konflikt të hapur me sistemin totalitar e partinë-shtet. Ndërmjet arritjeve të shënuara të kësaj lëvizjeje janë mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri, formulimi i qartë i kërkesave politike që sollën pluralizmin në Shqipëri, galvanizimi i masave të popullit në mbështetje të forcave politike opozitare që lindën më pas, organizimi i grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shmangien e luftës civile në një moment shumë kritik të tranzicionit të Shqipërisë prej sistemit totalitar.
Sot, pas 26 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik dhe për këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të vitit 1990, e kryesuar nga Lideri i Demokracisë, “Nderi i Kombit”, Azem Hajdari, si dhe mijëra studentët e intelektualët që me uraganin studentor përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Europa.
8 Dhjetori i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e shqiptarëve si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste.
Dhjetori i vitit ’90 vendosi në axhendën e shqiptarëve ballafaqimin. Dhjetoristët dhe gjithë populli shqiptar, në këtë ditë historike, nderojnë kujtimin e liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, i cili u vra më 12 shtator 1998 nga socialkomunistët që u rikthyen në pushtet nëpërmjet rebelimit mafiozo-komunist të ’97-ës. Rrugën për fitoren e demokracisë e të pluralizmit shqiptar, rinia studentore e nisi 26 vjet më parë nga ai vend që sot quhet Sheshi “Demokracia”, në krye të së cilës ishte tribuni Azem Hajdari. Studentët e udhëhequr nga Azemi mbushën rrugët e Tiranës, sheshet dhe shpirtrat e shqiptarëve me dritën e lirisë. Në dhjetor të vitit 1990, Shqipëria ishte i vetmi shtet totalitar policor në Europë. Në atë kohë të acartë, kur bisha komuniste ishte në përpëlitjet e fundit, barra e përplasjes me regjimin më gjakatar që kishte njohur njerëzimi ra mbi studentët e universiteteve të Tiranës dhe të qendrave të tjera të arsimit të lartë në Shkodër, Korçë, Elbasan e në Gjirokastër. Në periudhën ndërmjet dhjetorit 1990 dhe prillit 1991, studentët shqiptarë demonstruan ndjenjë të lartë përgjegjësie politike dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e tranzicionit prej sistemit totalitar në një sistem demokratik. Këto ngjarje kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimet e mëvonshme politike, ekonomike e shoqërore në shtetin shqiptar. Studentët që morën pjesë në veprimtaritë e Lëvizjes Studentore kanë qenë kontribues shumë aktivë në të gjitha nivelet e politikës shqiptare.

Nuk ka më kohë për të humbur

Kombi shqiptar nuk ka më kohë për të humbur. Edhe më “nostalgjikët” e parajsës së humbur, tanimë e kanë kuptuar se koha e tyre ka mbaruar. Ka ardhur koha që “kongresmenët e kuq”, ta ngulin mirë në mendje, se nuk janë gjë tjetër veçse “një jashtëqitje” e komunizmit, e regjimit më antishqiptar dhe më kriminal të historisë të popullit shqiptar. Çdo makijazh, çdo aleancë hibride me fitimtarët, çdo “kameleonizim” i radhës për të cilat rilindasit janë mjeshtra, është fare i pashpresë në përballjen me faktet që do t’i servirë realiteti shqiptar në të ardhmen. Ora e historisë po afron, është ora e vërtetë e shqiptarëve.

Rikthimi i demokratëve

Rikthimi i demokratëve në pushtet është një emergjencë kombëtare, duke mbartur me vete dhe shpresën e mbarë shqiptarëve për një ndryshim të thellë, për një Shqipëri më të mirë. Invadorët rilindas, protagonistë të një pushtimi korruptiv total, po tentojnë të sundojnë “qetësisht” duke lënë pas një shtet me një trashëgimi mjaft të hidhur politike dhe një faturë ekonomike të kalkuluar në mënyrën më diabolike në dëm të shqiptarëve. Ja kush është skaneri i Ramës dhe i ortakëve të tij të “Rilindjes” gjatë 1140 ditëve të qametit koncesionar:
– një shtet të renditur në parajsën europiane të prostitucionit, trafikut të drogës, të armëve dhe krimit të organizuar;
– një shtet antikombëtar i konvertuar në një makinë shtetërore për denigrimin politik dhe ekonomik të kombit të vet;
– një shtet që përdor dhunën politike, ekonomike, policore dhe sociale ndaj fisnikërisë të shoqërisë shqiptare;
– një shtet të “droguar” ku indeksi i zbatimit të ligjit është tronditës dhe absurd;
– një shtet me nivelin më të lartë të korrupsionit. Shteti shqiptar është i vetmi shtet ndër vendet në tranzicion me fenomenin kanceroz “state chapture”.
Fatura e “taksës“ së ryshfetit kryeministror arrin masën 1.6 miliardë euro;
–  një shtet me informalitetin më të madh në Europë;
– një shtet me absorbimin më të vogël të të ardhurave fiskale në raport me PBB;
– një shtet që ka diskriminuar totalisht iniciativën kombëtare në privatizimet strategjike;
– një shtet ku i “zoti i shtëpisë” ditën e përmbytjes biblike, e kalon duke parë ndeshjet e NBA-së në USA;
– një shtet ku qeveria ikën si klandestine ditëve të revoltave popullore;
– një shtet policor (Shqipëria ka numrin më të madh të policëve për frymë të popullsisë në Europë);
– një shtet që shpall si parësore të zhvillimit ekonomik, koncesionet;
– një shtet që ushtron gjenocid politik ndaj kundërshtarëve të regjimit të tij;
– një shtet shpikës dhe zbatues të teorisë “së tokës së djegur”, “përdhunues” konstant i pasurisë kombëtare të shqiptarëve, popullit më të varfër të Europës;
–  një shtet me një politikë antikombëtare të “portave të shqyera” bankare;
– një shtet që ka varfëruar në mënyrë origjinale popullin e vet (5% e popullsisë zotëron 95% të pasurisë kombëtare);
– një shtet që e ka shndërruar sistemin bankar dhe financiar në “lavatriçen” më të madhe të pastrimit të parave në rajon;
–  një shtet që “plaçkit” thesarin e shtetit ditën për diell;
– një shtet, që “plaçkit” identitetin ekonomik të qytetarit;
– një shtet që “plaçkit” identitetin fizik të qytetarit (200 000 kërkesa për “green card” vetëm pranë ambasadës amerikane);
– një shtet që i katandisi shqiptarët në borxhlinj të bankave të botës me anë të borxhit publik;
– një shtet që premton 300 000 mijë vende të reja pune dhe zyrtarisht ka bërë gati gomonet për punësim matanë detit.
Ky është testamenti politik dhe ekonomik i qeverisjes së “Rilindjes” tënde, o i madhi dhe i gjati Edi Rama. Përpara se të fillosh të “nanurisish” për 1140 ditët tuaja të “qametit”, merr mundimin dhe jep llogari për “hyneret” e tua dhe të koncesionarëve tuaj. Besoj se e ke lexuar mikun tonë të përbashkët, të pavdekshmin Dante Aleghieri. Ti dhe skota jote, e dini mjaft mirë se jeni në shkallën e nëntë të ferrit. Si “mik” të ngushtë që të kam, e shoh të udhës të të këshilloj që mbaro një herë punë me ferrin dhe pastaj mund të të vijë radha për purgatorin e famshëm. “Mballoma” e Gandhit të Ballkanit dhe e sekretarit të Parë të Partisë-Shtet që dëshiron të veshësh ti është tepër e hollë për të mbuluar bëmat e “Rilindjes” tënde.
Për fund dua t’jua bëj me dije zoti kryeministër i varfërimit të shqiptarëve që nuk ke lënë grup interesi në Shqipëri pa fyer e nëpërkëmbur, me ne brezin e studentëve të ‘90-ës e paske lënë për në fund, ndoshta për të nënshkruar fundin tënd.
Ne mund të jemi të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga ata që na e vodhën lirinë dhe nga hienat e demokracisë në vendit tonë, por të sigurojmë ty dhe gjithë lukuninë tënde se shqiptarët do të gjejnë shpejt rrugën për të rifituar lavdinë dhe dinjitetin që u është grabitur.
I nderuar i Pari i Gubernës shqiptare,
I nderuar Shoku Kryerilindas!
I nderuar Shoku Sekretari i Parë i Partisë-Shtet,
Të më ndjejnë “Rilindasit”, pushtetarët më antishqiptarë dhe më kriminelë të historisë tragjike të kombit tonë. Besoj se e kuptojnë “me qetësi dhe dashuri” që koha e tyre ka mbaruar. Ora e historisë po afron, është ora e vërtetë e shqiptarëve. Uroj që të jeni i “plotfuqishëm” në misionin historik që Ju kanë ngarkuar 1 000 000 shuplakat. Ftoj bashkëkombasit e mi kudo që janë, të shporrim sa më parë këtë “Rivdekje”, këtë fatkeqësi kombëtare. Të bashkohemi si kurrë ndonjëherë për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!