Trump: Të anulohet blerja e avionit të ri presidencial

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump i kërkoi qeverisë të anulojë blerjen e një avioni të ri presidencial Boeing, duke thënë se kushtonte shumë shtrenjtë dhe ishte diçka “qesharake”.
“Boeing, shkruante zoti Trump në Twitter, është duke ndërtuar një avion të ri 747 për presidentët e ardhshëm, por shpenzimet janë jashtë kontrollit, më shumë se 4 miliardë dollarë. Të anulohet porosia!”. Forca Ajrore amerikane njoftoi janarin e kaluar se një avion i ri Boeing 747 seria 8 do të përdoret për të zëvendësuar dy avionët që përdoren tani për të transportuar presidentin.
Avionët presidencialë të njohur me emrin “Air Force One” janë ndër simbolet më të njohura të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit. Hollësitë rreth çmimit të kontratës së re nuk janë bërë publike, por Forca Ajrore kishte njoftuar më parë se kishte planifikuar 1.65 miliardë dollarë për zëvendësimin e dy avionëve.