Trump, paralajmërim për kompanitë amerikane që duan të largohen nga vendi

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, paralajmëroi ashpër dje bizneset amerikane se nëse zhvendosen në vende të tjera, do të përballen me një taksë prej 35% nëse përpiqen të shesin produktet e tyre në Shtetet e Bashkuara.
Nëpërmjet disa komenteve në Twitter, zoti Trump tha se ai synon të reduktojë ndjeshëm taksat dhe rregullat shtrënguese ndaj bizneseve. Por, ai shtoi se çdo kompani që shkarkon punonjësit e saj, ndërton qendër të re në një vend tjetër dhe pastaj mendon se do të shesë produktet e saj në SHBA pa pasoja, e ka gabim.
Zoti Trump, i cili merr detyrën më datë 20 janar, thotë se vendosja e taksës kufitare për produktet e prodhuara në vende të tjera, do ta bëjë largimin të vështirë financiarisht dhe se tashmë kompanitë janë të paralajmëruara ndaj një gabimi të tillë që do t’u kushtojë.
Shtetet e Bashkuara kanë humbur 5 milionë vende pune manifakture që nga viti 2000, një pjesë për shkak të automatizimit dhe një pjesë prej largimit drejt vendeve të tjera ku pronarët i paguajnë punëtorët shumë herë më pak se sa në SHBA.
Zoti Trump përmend si histori të hershme suksesi ofertën prej 7 milionë dollarë uljesh në taksa për kompaninë e kondicionerëve “Carrier” që ajo të mbajë të 1069-të vendet e punës në shtetin Indiana, për të cilat “Carrier” pati njoftuar se do të zhvendoseshin drejt Meksikës. Por, zoti Trump nuk përmend se sidoqoftë kompania do të zhvendosë 1100 vende të tjera pune drejt Meksikës. Ai përmendi si një sukses rastin e kompanisë “Carrier”, megjithëse në të kaluarën pati denoncuar pakte të tilla të ngjashme me favorizime në taksa. Presidenti i zgjedhur sulmoi në vazhdim kompaninë e kuzhinetave “Rexnord”, për të cilën tha se po shkarkon pa mëshirë të 300 punonjësit dhe po largohet drejt Meksikës.
Kritikët e marrëveshjes me kompaninë “Carrier” thonë se kjo do të shtyjë kompani të tjera të kërkojnë favorizime në taksa për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara.
Por, një nga këshilltarët ekonomikë të zotit Trump, Anthony Scaramucci, u shpreh se, “kompanitë sidoqoftë do të kenë ulje taksash. Ne kemi nivelin më të lartë të taksimit të korporatave në botën e industrializuar; duhet t’i ulim këto taksa në një nivel konkurues… Shpresoj që çdo drejtues biznesi në Amerikë po e merr sinjalin e fanarit të administratës së re Trump”.
Taksa për korporatat në SHBA është zyrtarisht në nivelin 35%, por shumica e kompanive paguajnë shumë më pak, pas zbritjes së shpenzimeve të tyre të biznesit.
Hector Castillo-Olivares, kryebashkiak i qytetit Santa Catarina, në Meksikë, ku planifikohej të zhvendosej kompania “Carrier”, i tha “Zërit të Amerikës” se nuk është i shqetësuar prej ndryshimit në planet e kompanisë.
Ai tha se “nuk na shqetëson, pasi ne vazhdojmë të përmirësojmë kushtet që i bëjnë bizneset të vijnë këtu. Boshllëku i lënë nga një investitor do të mbushet nga një tjetër”.