Trump: Mos prisni që të ndryshoj!

“CNN”

Donald Trump përçoi një mesazh të pagabueshëm ditën e enjte gjatë fjalimit të tij të parë të madh që pas fitores së jashtëzakonshme ditën e zgjedhjeve: personi i pazakontë, impulsiv dhe i paparashikueshëm që fitoi zgjedhjet, është i njëjti që do të bëhet president i Shteteve të Bashkuara.
Presidenti i ri i zgjedhur doli këtë javë në publik pas tre javësh të mbyllur në Kullën Trump dhe në resortet e tij private nga ku po ndërtonte kabinetin, për të ndjekur një event të stilit të fushatës së tij, përballë një turme adhuruesish të entuziazmuar. Ndalesa e tij e parë ishte Ohio, i pari i një turi falënderimi përgjatë shteteve që u konsideruan fushëbetejat më të mëdha të këtyre zgjedhjeve, së bashku me zëvendëspresidentin Mike Pence.
Të gjithë ata që mendonin se, Trump-i do të shfaqte një imazh të ri, më të matur dhe presidencial të vetes vetëm 50 ditë përpara se të bëjë betimin, kanë gabuar rëndë. “E rëndësishme është që fitoi”, tha një mbështetës dukshëm i emocionuar i Trump-it në arenën e mbushur në Cincinnati-t të Ohios ku Trump korri një fitore prej pothuajse 9 pikësh diferencë natën e zgjedhjeve.
Qëllimi i perceptuar i këtij eventi ishte të theksohej mesazhi i unitetit kombëtar pas një fushate tepër të përçarë dhe të hapej rruga drejt presidencës së Trumpit. Por presidenti i zgjedhur tregoi qartë se barrat e rënda të detyrës së presidentit që do të rëndojnë shumë shpejt në supet e tij dhe kufizimet në sjellje që i imponohen zakonisht krerëve të shtetit, nuk kanë për ta frenuar aspak stilin e politikës që ai ka promovuar me aq zjarr gjatë gjithë fushatës presidenciale.
Në kundërshti të plotë e të dukshme nga fjalimi që shfaqej në monitorin e tij, Trump sulmoi edhe një herë mediat “e pandershme”, ngacmoi guvernatorin e Ohios, John Kasich, i cili refuzoi ta mbështeste dhe u mburr haptazi për fitoren e tij të madhe kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton. Ai lavdëroi veten për fitoren elektorale dhe u tall me morinë e ekspertëve që ishin betuar se Trump-i nuk kishte asnjë shans të siguronte 270 votat elektorale që i duheshin për t’u bërë president.
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara garantoi edhe një herë, për të githë dyshuesit, se do të mbajë premtimet më të diskutuara të fushatës së tij, siç është ndërtimi i murit përgjatë kufirit me Meksikën, kufizimi i emigracionit të myslimanëve në Shtetet e Bashkuara dhe shfuqizimi e zëvendësimi i politikës së kujdesit shëndetësor të administratës Obama, të njohur si Obamacare.
Duke rigjallëruar lidhjen e tij të fortë me mbështetësit që brohorisnin më të madhe “Ndërtoni murin!” apo “Futeni Clinton-in në burg!”, Donald Trump përçoi dhe një paralajmërim për kundërshtarët e tij në Washington, përfshirë edhe vetë anëtarët e partisë së tij, duke thënë se ka ndërmend të ndjekë çdo pikë të programit që ka shpalosur në fushatë gjatë presidencës së tij. Dukej qartë se Trump ishte duke u argëtuar shumë me rikthimin e figurës së tij si gjenerali që flet para ushtrisë, duke tallur kundërshtarët dhe duke zotëruar qendrën e vëmendjes i rrethuar nga turma adhuruese.

“Mos i tregoni askujt”
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara nuk i rezistoi dot tundimit për të bërë publik një vendim që do të duhej të zyrtarizohej të hënën, se do të emërojë gjeneralin e Marinës amerikane, James Mattis, në krye të Pentagonit. “Do të emërojmë ‘Qenin e Çmendur Mattis’ si sekretarin tonë të Mbrojtjes”, tha Trump duke bërë shaka me turmën. “Këtë lajm do ta bëjmë publik të hënën, kështu që mos i tregoni askujt! Ka ardhur koha të kemi një person të tillë në krye të Pentagonit”.
Trumpi bëri edhe një përshkrim të shkurtër të momenteve më emocionuese të natës së zgjedhjeve, duke kujtuar mënyrën se si kishte parë që shtet pas shteti kishin votuar për të, përfshirë edhe bastionet tradicionale demokrate si Uinskonsis, Miçigan dhe Pensilvania dhe u tall përsëri me analistët e mediave që kishin thënë se Trump-i nuk do ta rrëzonte dot kurrë murin blu të Clinton-it. “Nuk e rrëzuam, e shpartalluam!”, tha ai.
Ai përkëdheli edhe një herë egon e tij, edhe pse në mënyrë më të përmbajtur, duke i thënë turmës se ishte vetëm një mjet për t’i dhënë zë të frustruarve. “Unë jam vetëm një lajmës, edhe pse kam qenë një lajmës shumë i mirë në fakt”, tha Trump-i.
Ai përfitoi nga ndalesa e tij në Ohio edhe për të ngacmuar guvernatorin republikan, i cili gjatë fushatës është shprehur hapur kundër Trump-it. “Mund të themi që në shtetin e madh të Ohios, nuk kemi pasur një politikan edhe aq të madh apo jo? Megjithatë, mund të them që ishte një gjest shumë i këndshëm që guvernatori juaj, John Kasich, më mori në telefon menjëherë pas zgjedhjeve për të më uruar. Ishte fantastike”.
Thirrja e Trump-it për unitet erdhi menjëherë pasi mbështetësit filluan të kërkonin që Hillary Clinton të futej në burg. Ai theksoi se edhe atëherë kur përpiqet të zbusë përçarjet e mëdha politike të vendit, që Trump kishte nxjerrë në pah gjatë fushatës zgjedhore, vetë stili i tij politik dhe performanca ia vështirësojnë shumë këtë detyrë.
“Nuk do të jemi edhe për shumë kohë të përçarë sepse unë gjithmonë i kam bashkuar njerëzit me njëri-tjetrin, edhe pse ndoshta e keni të vështirë ta besoni këtë. U argëtuam shumë duke luftuar kundër Hillary-t apo jo?”, tha Trump teksa turma brohoriste me të madhe “Fute në burg! Fute në burg!”. Megjithatë, që pas fitores së zgjedhjeve presidenciale Trump ka thënë se nuk ka ndërmend të hapë hetime për serverin e postës elektronike të ish-sekretares së Shtetit.

Forcë e patundur
Performanca e presidentit Trump ditën e enjte reflektoi një temë të rëndësishme të tranzicionit të tij. Nga njëra anë, presidenti i zgjedhur po kryeson përpjekjen e menjëhershme dhe profesionale të ndërtimit të qeverisë dhe axhendës së tij. Ai u shfaq shumë i matur dhe serioz kur u takua me presidentin Barack Obama në Zyrën Ovale menjëherë pas zgjedhjeve që e bënë fitimtar.
Por ka edhe momente të tjera, si “leksionet” që poston herët në mëngjes në Twitter dhe performanca e tij e shfrenuar ditën e enjte ku shfaq të gjithë forcën e patundur të tij që arriti ta shkundë në themel politikën amerikane. Mënyra se si do të zhvillohen dhe bashkëjetojnë këto dy aspekte të fuqishme të karakterit të tij, do të jetë edhe tipari dallues që do të formojë presidencën e Donald Trump-it.
Turi i falënderimeve ka filluar në një kohë kur Trump ishte i zënë me formimin e kabinetit të tij, pasi kishte emëruar kandidatët për kreun e departamenteve të Thesarit, Tregtisë dhe Transportit si pjesë e detyrës shumë të rëndësishme të ngritjes në këmbë të administratës së tij përpara inaugurimit në janar. Trump ka qortuar edhe kritikët që e kanë kundërshtuar kandidaturën e miliarderit biznesmen, Wilbur Roos si sekretar i Tregtisë. “Ai e di si bëhen paratë, miq”, tha Trump përpara se t’i quante pjesëtarët e tjerë të kabinetit të tij si “Vrasësit më të mëdhenj që keni parë ndonjëherë”.
Eventi paraqiti edhe një pamje të mënyrës se si Trump do të përpiqet t’i mbajë mbështetësit e tij të motivuar gjatë gjithë presidencës, në rast se axhenda e tij frenohet ose sfidohet nga republikanët në Washington. “Çdo ditë të vetme, ne do të jemi agjentët e ndryshimit”, tha Trump përpara turmës. Edhe folësit e tjerë përpara Trump-it shpalosën të njëjtin qëndrim. Guvernatori i Kentacit, Matt Bevin citoi Wiston Churchill-in, i cili pas Luftës së Dytë Botërore tha se britanikët ishin luanë dhe ai ishte zgjedhur që të bërtiste për ta.
“Ju jeni luanët dhe keni zgjedhur Donald Trump-in dhe Mike Pence që të ndeshet për ju”, tha Bevin përpara turmës. Këshilltari politik i Trump-it, Stephen Miller, i kërkoi turmës që të vazhdonte të angazhohej gjatë tetë viteve të ardhshme. “Do të kemi nevojë për energji, përkushtim dhe pasion, veti që secili prej jush jam i sigurt që i ka për të mbështetur presidentin e zgjedhur që të mbarojë punën që ka nisur”.

I njëjti Trump
Donald Trump e shfrytëzoi eventin edhe për të garantuar përsëri pikat thelbësore të fushatës së tij. Ai përsëriti premtimin për t’i dhënë prioritet interesave amerikane kundrejt pjesës tjetër të botës dhe deklaroi se një thikë e ngulur në Universitetin Shtetëror të Ohios nga një student i radikalizuar ditën e hënë, ishte rezultati i politikave të dobëta të refugjatëve, të mbështetura “nga njerëz budallenj”.
“Njerëzit po burojnë me turma nga rajonet e Lindjes së Mesme. Nuk ia kemi idenë se kush janë, nga vijnë dhe çfarë mendojnë. Këtë do ta ndryshojmë!”.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump mbërriti në Ohio nga Indiana, ku theksoi marrëveshjen që kishte bërë me Carrier, një kompani të sistemit të ngrohjes dhe kondicionimit për të shpëtuar 1 mijë vende pune që ishin vendosur të transferoheshin në Meksikë, duke realizuar kështu një prej premtimeve të tij elektorale. Këtë marrëveshje ai e quajti një hap të vogël drejt ringjalljes mbarëkombëtare.
“Ka ardhur koha të heqim ndryshkun që ka pushtuar vendin tonë dhe të nisim një revolucion të ri industrial”, tha Trump. Edhe pse eventit i mungonte furia dhe ndenja e revoltës që karakterizoi ditët e fundit të fushatës së Donald Trump-it, në atë sallë të Ohios u duk pas kaq javës sikur asgjë nuk kishte ndryshuar që kur Trump-i u bë presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara. Ishte i njëjti Trump.
Brohoritjet dhe duartrokitjet ishin diçka që e ka ndjekur Trump-in gjatë gjithë eventeve të fushatës së tij. Edhe kënga e zgjedhur si kolonë zanore e fushatës së Trump-it “Nuk merr dot gjithmonë atë që do” e kënduar nga Rolling Stones, ishte e njëjta. Në fakt, e vetmja gjë që e bënte këtë event ndryshe nga ato përpara fushtatës, ishte momenti kur Trump-i u prezantua nga Pence si “presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara”. Kjo shprehje ishte përdorur edhe më parë, por këtë radhë nuk ishte një shpresë e së ardhmes, por një fakt i së tashmes.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI