Tritol për herë të dytë banesës së oficerit të Krimeve në Rinas

Përsëri shpërthim eksplozivi në banesën e oficerit të Krimeve në Komisariatin e Policisë së Rinasit. Pa u mbushur dy javë nga shpërthimi i parë, në banesën e Arben Kajmakut në Fushë Prezë, ka shpërthyer një tjetër sasi eksplozivi. 10 ditë më parë, atij ju vendos një sasi eksplozivi nga shpërthimi i së cilës nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Po në të njëjtën banesë, persona të paidentifikuar i vendosën sërish tritol ku edhe këtë radhë pati vetëm dëme materiale. Ngjarja ndodhi në orët e para të së hënës në Fushë-Prezë.
Burime nga policia thanë se, nga shpërthimi ka vetën dëme materiale. “Rreth orës 21:30 minuta të mbrëmjes së djeshme në Fushë-Prezë, në oborrin e banesës së Arben Kajmakut, 43 vjeç është vendosur e ka shpërthyer lëndë eksplozivi dyshohet tritol”, thanë burime nga policia e kryeqytetit.
Si pasojë e këtij shpërthimi mësohet, se është dëmtuar një bordurë prej betoni. Policia tha se, ka nisur hetimet për të ardhur tek shkaqet dhe identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje, të dytë brenda pak ditësh. Në polici, ai ka deklaruar se nuk ka konflikt me asnjë person. Të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe familjarët e tij.