Tillerson raporte të shkëlqyera me Rusinë

310

Shefi i ExxonMobil, Rex Tillerson do të bëhet ministër i Jashtëm i SHBA. Ai ka kontakte të ngushta me Kremlinin. Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump e paraqiti të martën Tillersonin si kandidatin e tij të dëshiruar për postin me ndikim të ministrit të Jashtëm të SHBA. Emërimin e tij duhet ta konfirmojë edhe Senati.
Si gjithmonë në raste të tilla, Moska reagoi e përmbajtur dhe nuk u tregua shumë e gëzuar. “Përfaqësues rusë, jo vetëm Presidenti, kanë marrëdhënie të mira biznesi me këtë burrë”, tha një bashkëpunëtor i Kremlinit në një pozicionim të parë. Tillersoni vlerësohet prej të gjithëve si figurë solide me pikëpamje të vetat, tha zëdhënësi. Konstantin Kossaçev, kryetar i Komisionit të Jashtëm në Këshillin e Federatës ruse u shpreh në mënyrë shumë më optimiste.
Raporti me Rusinë ka qenë vendimtar në zgjedhjen e kandidaturës së Tillersonit si ministër i Jashtëm, shkroi ai në Facebook. “Trumpi është konsekuent dhe deklaratat e tij për Rusinë nuk ishin thjesht fushatë elektorale”. Vendimi për Tillersonin qe një sinjal ndaj elitave të SHBA, por edhe ndaj gjithë botës, duke përfshirë Rusinë. “Po vijnë kohë të reja”, kështu u shpreh politikani rus.
Në fakt në Moskë atmosfera duhet të jetë euforike. Diplomacia e SHBA do të përcaktohet në të ardhmen nga një burrë, i cili e njeh Rusinë që prej gati 20 vjetësh dhe i cili ka lidhje të shkëlqyera me qarqet më të larta drejtuese të Kremlinit. Presidenti rus, Vladimir Putin e dekoroi atë më 2013 me një urdhër miqësie. “Për një kontribut të konsiderueshëm për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë”, shkruhej në argumentim.

Një shok i Putinit nga rrethi drejtues më i ngushtë
Kontaktet e Tillersonit me Rusinë e kanë fillesën që në fund të viteve ’90, kur Presidenti i Rusisë ende quhej Boris Jelzin dhe kur Moska ndodhej në një kurs properëndimor. Menaxheri i naftës nga Teksasi ishte përgjegjës për projektet e Exxonit në Rusinë e pasur me lëndë të para, fillimisht që nga ishulli Sachalin në Lindjen e Largët të Rusisë. Edhe në fushat e naftës në Siberi firma amerikane dhe ruse bashkëpunojnë ngushtë. Tillersoni 64-vjeçar është takuar disa herë me Putinin dhe është i ftuar i përhershëm në Forumin Ekonomik të Shën Petërsburgut, një projekt prestigjioz i Kremlinit.
Edhe më të ngushta duken marrëdhëniet e Tillersonit me shokun e tij Seçin të Rosneftit. Në kohët sovjetike, shefi i sotëm i koncernit udhëheqës në tregun rus ka qenë njësoj si Putini punonjës i shërbimit të fshehtë. Mediat ruse e përshkruajnë Seçinin si një biznesmen veçanërisht të suksesshëm, i cili bën pjesë në rrethin drejtues më të ngushtë pranë Putinit.

A do të shkrijë partneriteti i ngrirë?
Në një intervistë me revistën ekonomike ruse, “Wedomosti, në vitin 2005, Tillersoni tha se janë “aftësitë e tij menaxhuese” që e kanë bërë të suksesshme në Rusi firmën e tij. Si Seçini personalisht, ashtu edhe Rosnefti janë të prekura nga sanksionet e Perëndimit, të cilat janë vendosur për shkak të veprimeve ruse në Krime dhe në Ukrainën Lindore. Sipërmarrja ruse ka nevojë për kredi perëndimore dhe për njohuri për shpime në zona të vështira. ExxonMobil i llogariti humbjet e tij për shkak të sanksioneve në vitin 2015 në një miliard dollarë.

Reagime të ndryshme për emërimin e tij
Ka patur reagime të ndryshme lidhur me përzgjedhjen e presidentit të zgjedhur Donald Trump për detyrën e sekretarit të Shtetit. Disa e kanë vlerësuar drejtuesin e kompanisë ExxonMobil, Rex Tillerson, ndërsa të tjerë janë shprehur të shqetësuar për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Rusinë. Njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës” në Departamentin e Shtetit, Steve Herman.
Text: Në një deklaratë, presidenti i zgjedhur Trump tha se shefi i kompanisë së naftës Rex Tillerson është një zgjedhje e shkëlqyer për postin e sekretarit të Shtetit bazuar në këmbënguljen, përvojën ndërkombëtare dhe të kuptuarit e thellë të gjeopolitikës.
“Ai ka një përvojë menaxhuese të jashtëzakonshme që mendoj se do të jetë e dobishme. Por ai nuk ka përvojë në politikë”, thotë ambasadorja Barbara Bodine në Universitetin “Georgetown”.
Ndër të parat figura ndërkombëtare që vlerësuan zgjedhjen e zotit Trump ishte udhëheqësi i OPEC-ut, organizatës së vendeve eksportuese të naftës me 13 anëtarë. Ai e quajti zotin Tillerson “më tepër se të mbikualifikuar”.
“Ekziston një vijë e hollë ndarëse mes naftës, gjeopolitikës dhe diplomacisë”, tha sekretari i Përgjithshëm i OPEC-ut, Mohammad Markindo.
Por kjo vijë e hollë ndarëse, mund të jetë një sfidë për kandidatin kur ai të përballet me senatorët në procesin dëgjimor për emërimin e tij.
“Republikanë dhe demokratë po bëjnë pyetje lidhur me konfliktet e mundshme të interesit të zotit Tillerson, për marrëdhënien e tij të gjatë dhe të ngushtë me Vladimir Putinin dhe Rusinë. Ata pyesin dhe mbi aftësinë e tij për të balancuar kërkesën për të qenë diplomat dhe për të luftuar në mbrojtje të interesave amerikane, me përvojën e tij të drejtimit të një kompanie gazi e nafte me interesa dhe përparësi të ndryshme”, thotë senatori Chris Coons.
Zoti Tillerson ka qenë kritik i sanksioneve amerikane mbi Rusinë, të cilat kanë dëmtuar kompaninë e tij ExxonMobil.
“Duhet të presim që kandidati, zoti Tillerson të kërkojë çlirimin e Rusisë prej sanksioneve”, thotë James Goldgeier i Universitetit “American”.
Rusia akuzohet se është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale amerikane, të cilat u fituan nga zoti Trump. Ligjvënësit janë të shqetësuar edhe për aktivitetin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe Siri.
“Çdo përpjekje për të ngrohur marrëdhëniet me Rusinë dhe që perceptohet si e bazuar në interes personal, do të krijonte probleme për Shtetet e Bashkuara dhe diplomacinë e saj”, shton James Goldgeier i Universitetit “American”.
Në Departamentin e Shtetit krijohet shqetësim sa herë ndryshon udhëheqja, por diplomatët veteranë nuk mendojnë se do të ketë një largim në masë të stafit të karrierës.
“Ata shpresojnë që sekretari i ri t’i shohë si profesionistë dhe t’i përdorë si të tillë e të bazohet në ekspertizën që ata ofrojnë. Askush nuk ka në plan të largohet”, thotë ambasadorja Bodine.
Sekretari i Shtetit, John Kerry e uroi zotin Tillerson për emërimin dhe premtoi mbështetjen e plotë të Departamentit të Shtetit për një tranzicion të qetë.