Taksa 22 milionë euro në vit për Jakën

Nënkryetari i PD, Edmond Spaho dhe Sekretari për Sipërmarrjen, Besart Kadia pritën sot përfaqësuesit e 18 organizatave të biznesit, të cilët kundërshtojnë ligjin që i detyron ato të bëhen pjesë e Dhomës së Tregtisë. Partia Demokratike e ka konsideruar këtë si taksë të fshehtë, e ka kundërshtuar dhe është shprehur në favor të dekretit të Presidentit që e ka kthyer ligjin. Gjithashtu, drejtuesit e PD i njohën përfaqësuesit e biznesit me alternativën dhe projektin për të përmirësuar klimën e biznesit.
“Ne u takuam sot me përfaqësuesit e 18 shoqatave të biznesit dhe të dhomave të tregtisë. Objekti i diskutimit është ligji i miratuar së fundi nga Parlamenti, i cili bën të detyrueshëm anëtarësimin në dhomat të tregtisë të gjithë biznesit shqiptar. Në fakt PD është shprehur kundër që në momentin e fillimit të diskutimit të këtij ligji në komisione dhe në seancë plenare, pasi kjo është një taktikë e tejkaluar që në vitin 2008. Në atë kohë, është hequr anëtarësimi i detyrueshëm me kërkesë të shoqatave të biznesit dhe Bankës Botërore me synim përmirësimin e klimës së biznesit. Eshtë e vërtetë që anëtarësimi i detyrueshëm është një kosto e madhe financiare për çdo biznes. Në atë kohë është pas vlerësuar rreth 250 mijë lekë të vjetra, por kosto e sotme është shumë më e madhe. Në total shuma që do të mblidhet nga ky ligj, vlerësohet rreth 20-22 milionë dollarë. I garantuam shoqatat që do të votojmë pro dekretit të Presidentit, i cili e ka rrëzuar ligjin, por nuk është vetëm kjo çështje. Nëse do të ishte vetëm kjo në raportet e politikës me biznesin dhe klimës së biznesit do të ishte mirë, por janë dhe mjaft çështje të mprehta, të cilat duhen adresuar. Klima e biznesit nuk është ajo që duhej të ishte, por është një klimë mbytëse. Po largohen bizneset e huaja nga Shqipëria, njerëzit po emigrojnë. Ka një represion të madh nga organet tatimore dhe doganore si dhe nga struktura të tjera të shtetit ndaj binzesit. Rritje e pashpjegueshme e barrës fiskale vit për vit. Në 3 vite qeverisje, barra fiskale vlerësohet rreth 400 milionë dollarë. Në takim me biznesin ne shpjeguam që në qeverinë e PD do t’i ngelemi fort realizimit të dy premtimeve taksës së sheshtë 9% mbi të gjitha detyrimet si dhe TVSH 15%. Po kështu i shprehëm përfaqësuesve të grupeve të biznesit, se sugjerime të tjera ide, bashkëpunime për programin e PD, i cili është në fazën e tij përfundimtare, të mund të na i paraqesin, sepse ne do të bëjmë që klima ndaj biznesit me qeverisjen tonë të ndryshojë sa më shumë të jetë e mundur, sepse biznesi është faktori numër një i zhvillimit ekonomik, i hapjes së vendeve të punës”, u shpreh Spaho.