Strakosha luan derbin e zjarrtë

Thomas Strakosha përgatitet për të luajtur ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij. Të dielën në “Olimpico” luhet një nga derbit më të ndjerë dhe me më shumë rivalitet të futbollit botëror, Lazio-Roma. Përpara disa muajsh Strakosha as që do ta kishte imagjinuar se do ta përjetonte si protagonist këtë sfidë, por falë punës dhe përkushtimit të shfaqur në stërvitje dhe paraqitjeve fantastike në ndeshjet që ka luajtur me Lazion në këtë kampionat do të jetë talenti shqiptar ai që do të mbrojë portën e skuadrës bardhekaltër në derbin e kryeqytetit italian.
Federico Marchetti nuk ia ka dalë të rikuperohet në kohë dhe tashmë është e sigurtë prania e Strakoshës në formacionin titullar të Lazios për ndeshjen ndaj verdhekuqve të Luciano Spallettit. Simone Inzaghi beson shumë te 21-vjeçari shqiptar, i cili në 5 ndeshjet që është aktivizuar si titullar në këtë sezon të Serisë A me skuadrën kryeqytetase ka pësuar në total vetëm 3 gola, duke përcjellë sigurinë dhe klasin e tij mes shtyllave.
Nëse vazhdon me këto ritme Strakosha ka shanse të mira të jetë ai titullari i Lazios edhe në momentin që Marchetti do të rikthehet nga dëmtimi, por derisa të vijë ai çast derbi i Romës është një mundësi e shkëlqyer që ish-portieri i Salernitanës, të fitojë zemrat e tifozëve bardhekaltër dhe të blindojë vendin e tij në formacion. Strakosha së fundmi është grumbulluar rregullisht edhe nga trajneri Giani de Biasi në kombëtaren kuqezi dhe nëse vazhdon të paraqitet në këto nivele në mungesë të Etrit Berishës, 21-vjeçari ka shanse të mira të bëjë debutimin e tij me Shqipërinë pikërisht në sfidën ndaj Italisë që do të zhvillohet në mars në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos.