Skandali 100 milionësh, Briseida Shehaj thirret 1 orë në Prokurori

Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj është thirrur dje në Prokurorinë e Shkodrës, ku është marrë në pyetje për më shumë se 1 orë. Mësohet se thirrja e saj është bërë nga Njësia Task-Forcë. Organi i akuzës ka regjistruar disa procedime penale ndaj Shehajt për dyshime që lidhen me rimbursimet e paligjshme të një subjekti. Bëhet e ditur se, objekti i hetimit nga Prokuroria është deklarata e Ramadanit, i cili ka deklaruar se ishte kërcënuar nga drejtorja e Tatimeve për t’u larguar nga puna, nëse nuk do të firmoste një urdhër pagesë për një rimbursim prej 106 milionë lekësh. Ramadani nuk ka pranuar të firmosë, pasi drejtoresha Shehaj po vepronte në kundërshtim me ligjin.
Shehaj i tha BIRN se është treguar e hapur me prokurorët dhe ka ofruar ndihmën e saj në lidhje me procedimin penal që është regjistruar në Prokurorinë e Shkodrës prej prillit 2015. “Dëshmova për çështjen që prokurorët ishin të interesuar dhe kam ofruar bashkëpunimin tim. Nuk mund të flas për detaje për shkak të sekretit hetimor. Hetimi do të zbulojë të vërtetat e kësaj akuze”, tha Shehaj për BIRN.
Burime zyrtare të Prokurorisë konfirmuan se çështja për të cilën dëshmoi Shehaj lidhet me ndalimin në qershor të vitit 2016 të drejtuesit lokal të Tatimeve në Shkodër, Hysni Hysaj, i cili u akuzua se kishte shpërdoruar detyrën përmes rimbursimit të paligjshëm të kompanisë së nipit të tij.
Çështja penale ishte regjistruar në zyrën e Task-Forcës së Shkodrës në vitin 2015 pas kallëzimit të Agron Ramadanit, i cili mbante postin e drejtorit të Vlerësimit të të Ardhurave dhe Kontabilitetit në degën e Tatimeve të Shkodrës.
Ramadani akuzoi edhe ish-drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj se i kishte bërë presion për të firmosur urdhër-pagesën prej 10 milionë lekësh për rimbursimin e kompanisë së nipit të drejtorit Rajonal të Tatimeve në Shkodër, Hysni Hysaj.
Ai i tha BIRN se e larguan nga Administrata Tatimore, pasi refuzoi të hidhte firmën mbi një akt të paligjshëm. “Ndaj meje u rrit presioni për të firmosur dokumentet e rimbursimit, kur daja i pronarit të kësaj kompanie u emërua drejtor Rajonal i Tatimeve në Shkodër”, i tha Ramadani BIRN-it përmes një bisede telefonike.
“Më 30 dhjetor 2014, nëpërmjet telefonit jam urdhëruar nga Shehaj që të firmosja urdhër-pagesën e këtij rimbursimi, në të kundërt do të largohesha nga puna. Pas kësaj, ndaj meje filloi procedimi administrativ që përfundoi me pushimin nga puna”, shtoi Ramadani.
Pas 43 vitesh punë në administratën shtetërore, Ramadani u shkarkua në mars 2015 me motivacionin “Moszbatim urdhëri”. Ai iu drejtua Prokurorisë së Shkodrës me kallëzim, pasi mësoi se kompania e kishte përfituar rimbursimin e TVSH-së.
Në qershor 2016, Prokuroria urdhëroi ndalimin e Hysajt me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, ndalimi u quajt i paligjshëm nga Gjykata dhe ish-kreu i Tatimeve të Shkodrës u hetua më pas nën masën e “detyrimit për paraqitje”.
Briseida Shehaj drejtoi për tre vite Administratën Tatimore të Shqipërisë, shpeshherë e kritikuar nga opozita. Në shtator 2016, ajo u emërua zv.ministre e Ekonomisë dhe vetëm dy muaj më pas u largua edhe nga ky post për arsye të pasqaruara.
E pyetur nga BIRN për akuzën e Ramadanit, Shehaj preferoi të mos jepte komente deri në vendimin e Prokurorisë. “Administrata Tatimore ka dorëzuar në Prokurori rreth 300 dosje për përfitim fiktiv me rimbursimin e TVSH-së. Sa i përket çështjes më të fundit, le të presim përfundimin e hetimeve të organit të akuzës”, tha ajo.

Ramadani: Jam kërcënuar drejtpërdrejt nga Briseida Shehaj

Ish-drejtori i Tatimeve në Shkodër, Agron  Ramadani, shprehet nëpërmjet një deklarate për mediat se është përballur me presione nga më të ndryshmet nga Brisedia Shehaj, që të firmoste një urdhër pagesë për një rimbursim prej 106 milionë lekësh në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, ai është pushuar nga puna dhe është paditur pse nuk e firmosi urdhër pagesën që i kërkoi Shehaj.
“I bëj me dije publikut, që jam përballur gjatë me të gjitha format e presionit, si nga titullari im i drejtpërdrejtë, Hysen Hysaj ashtu dhe nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj për të më detyruar të firmos urdhër pagesën, për një rimbursim për të cilin unë isha i bindur që ishte i pajustifikuar ligjërisht. Më datën 30.12.2014 jam kërcënuar drejtpërdrejtë nga titullarja më e lartë e Tatimeve me largim nga puna, nëse unë nuk e firmosja urdhër-pagesën e këtij rimbursimi. (ndonëse urdhërin për firmosje të kërkuar nga ime, ajo refuzonte të ma jepte me shkrim, edhe pse e detyronte Ligji 152/2013, saktësisht neni 43, pika 3).
I bëj me dije publikut, që në këto rrethana shtrënguese, unë pranova si alternativë largimin tim nga puna, vetëm e vetëm për të mos u bërë ortak në një dhe më shumë krimë të tjera të paralajmëruara, me dëm ekonomik për shtetin.
I bëj me dije publikut se të drejtën time për t’u rikthyer në detyrë, nuk e kam humbur akoma, sepse gjyqet e mia vazhdojnë në Shkallën e Dytë të gjykimit.
Qartësoj opinionin publik dhe median, se Kallzimin Penal nuk e bëra kurrë pse unë u largova nga puna. Nuk e bëra atë menjëherë, pasi unë kisha ndërprerë përfundimisht marrëdhëniet e punës në Tatime. Atë e bëra vetëm pasi, gjatë një seance gjyqësore ku gjykohej padia e ngritur kundër Vendimit të fundit të Komisionit Disiplinor të DPT-së, ku unë mësova se rimbursimi i pa merituar prej 10,6 milionë lekë, ishte xhiruar për llogari të subjektit me administrator nipin e drejtorit të DRT Shkodër, pasi unë nuk isha me drejtor i DVAK-së!
Në mbyllje të kësaj deklarate, njoftoj opinionin publik se, kallzimin tim pranë organit të akuzës e kam shoqëruar me prova të pakundërshtueshme dhe e kam adresuar jo vetëm kundër drejtorit Rajonal të DRT Shkodër, por edhe kundër drejtores së Kontrollit në DPT edhe ndaj drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve në cilësinë e bashkëpunëtorëve, për dëmin ekonomik të shkaktuar ndaj shtetit.
Unë jam koshient që kjo ndërmarrje e imja, mbase sfiduese ndaj korrupsionit në organet e larta si fenomen dhe indiferencës së shoqërisë shqiptare në postdiktaturë do të jetë i vështirë dhe me rrezik për mua e për familjarët e mi. Megjithatë, pavarësisht përballjes me forma të ndryshme kërcënimi apo shantazhimi nga e keqja që po përpëlitet në grahmë, ju siguroj që unë nuk do të tërhiqem nga të bërit e detyrës qytetare.
I bëj thirrje shtetit të marrë të gjitha masat e sigurisë së personit tim, të cilat ai i ka për detyrë ndaj të gjithë shtetasve të tij”, shkruan Ramadani ndër të tjera në një deklaratë për mediat.