Si nata e Timishoarës

Frrok ÇUPI

Jashtë është natë, me një grusht drita në qendër të Tiranës. Pjesë të tjera të qytetin mbeten pa drita gjysmë ore, pastaj vijnë dritat dhe ikin prapë. Lagjia jonë e kishte mbrëmë radhën e padritave. Nuk ka ndonjë të papritur. E vetmja gjë që më krijon stres është pyetja që më rrotullohet: “Po sikur të më ikin dritat në ora 6:30? Në 6:30 kryeministri i Francës të shpallë kandidaturën për president?!”. Komedi!..
Më duhet të ndjek ngjarjet, për shkak të profesionit. Por shumë njerëz po i ndjekin ngjarjet e Europës, njësoj si të ishin këtu në Tiranë…
Jo!, nuk mund të bëhet gjithmonë ky krahasim. Ngjarjet ndërkombëtare, zakonisht, nuk i bëjnë kujt përshtypje në Tiranë. E njëjta sjellje si në kohën e diktaturës. Atëherë lajmet e botës zinin veç pak vend, vetëm faqen e fundit të gazetës. Edhe ato, copë-copë. Si nuk u davarit ky dreq zakon i poshtër diktature?!
Sonte mund të thyhet edhe ai zakon. Ka ndodhur edhe më parë; për shembull në vjeshtën e vitit 1989 kur në Europën Juglindore po shembej regjimi komunist. Në Tiranë-me ato mjete informimi të kohës, copë-copë, dëgjoheshin lajme vetëm nga jashtë. Nga brenda ishte bosh. Nga jashtë kërkohej të përmbysej e keqja përbrenda. Dikush kishte një radio me bateri, dikush tjetër merrte e jepte me “kanaçen” e televizorit… Sonte i kemi të gjitha mjetet. Mund të na ikin dritat, vetëm kaq; por kjo nuk është e keqe e vogël.
Sonte priten ngjarje në Europë; ose më mirë priten të bien gurët e dominosë.
Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, një “selfish” me selfie pa fund, ka ardhur në pikën që duhet të japë dorëheqjen para Presidentit të Republikës. Pritet pas pak, minutë pas minute; boll që të mos na ikin dritat!… Një kryeministër majtist që e pruri Italinë përballë murit. Para dy muajsh shpalli referendumin kushtetues për të “ulur përtokë Senatin”, dhe humbi vetë mbrëmë. Mbi 70 për qind e italianëve dolën në votime, gjë që nuk ka ndodhur kaq shumë prej 30 vjetësh. Dolën jo për të kundërshtuar referendumin, se “çfarë është ky?”, askush nuk e çmonte. Kishin dalë në votime për t’i thënë Renzit “ik tani!”… Pritet kryeministri i ri. Por edhe i riu nuk bën punë. Në Itali, si edhe në Europë pritet ndryshimi i madh: Largimi i establishmentit që ka krijuar “moçalin”.
… Në ora 6:30 kryeministri i Francës ka njoftuar shpalljen e kandidaturës për President. Socialisti Manuel Valls krijoi rekordin e Europës për atë që nuk ndodh kurrë në politikë: Vuri kandidaturën përballë Presidentit të Republikës, kandidat i partisë së vet. Çorientim total i të majtës në Europë. Valls e di se nuk fiton si president i Francës, por puna ka ardhur “ku mund të strehohesh!”. Presidenti i majtë i Francës, Holande, po shkon me rekordet më të ulëta të historisë së Francës.
Pas humbjes në Itali e në Francë pritet që të dy shtetet të shkojnë në “Brexit”. Referendumi për të ikur nga BE është i mirëpritur në disa shtete anëtare. Pritet në Holandë pas këtyre zgjedhjeve që janë në prag, pritet në Austri, pritet në Rumani dhe Bullgari…
Ka një valë të gjerë dëshire për ndryshim. Qeveritë e Europës u bënë modeli i keq i qeverive që vinin nga regjimi komunist-më e keqja e botës. U zhytën në distancë të largët me popullin, u zhytën në korrupsion, në tregti influencash, në stilin liberal të pranimit të së keqes për kombet e tyre. Pas tyre, qeverive të Lindjes, siç shikoni qeverisë së Tiranës, iu mori “lopata ujë”. U bënë ortakë në trafik droge, u angazhuan në vjedhje të mëdha, u bënë të paprekshme…
… Kështu ishte edhe nata e Timishoarës. Ja, kështu pritej, me kaq padurim, që të vinte ndryshimi. Timishoara është një qytet i Rumanisë, ku shpërtheu revolucioni i përmbysjes së komunizmit. Për 11 ditë u shënua ajo që bota nuk e kishte ëndërruar; nga 16 deri më 27 shtator 1989 u shemb regjimi. Këtu në Tiranë, krerët komunistë thonin se “nuk ka lidhje me ne”; por nuk zgjati shumë. Ato netë nuk kishim drita; Qyteti “Studenti” u ngrit më këmbë fillimisht për dritat…
Po ndryshon bota, po bien establishmentet. Era e Brexit dhe e ardhjes së Donald Trump si president i Amerikës, kanë lajmëruar për erë të re.