Shtypi spanjoll: Ronaldo, fituesi i “Topit të Artë”

Cristiano Ronaldo është fituesi i “Topit të Artë”. Lajmin e bën të ditur gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”, e cila në një artikull të saj shuan kureshtjen e tifozëve. Sipas asaj që raporton kjo e përditshme, ylli portugez i Realit të Madridit është duke u përgatitur për të enjten e ardhshme, për të realizuar setin fotografik me trofeun aq shumë të dëshiruar prej tij, çmim ky që këtë vit do të jepet nga revista “France Football”, pas prishjes së marrëveshjes me organin më të lartë të futbollit botëror FIFA. Prej kohësh përflitej që Ronaldo do të ishte fituesi i këtij trofeu, pas triumfeve të arritura në Champions League dhe Kampionatin Europian me kombëtaren portugeze dhe tashmë duket se nuk ka më vend për hamendësime. Verdikti final pritet të jepet më 12 dhjetor, “France Football” nëpërmjet rrjeteve sociale do të paraqesë dhe pozicionimin final të 30 kandidatëve, ku në podium pritet të ngjitet Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi në vend të dytë. Për numrin 7 të Real Madrid, kjo do të jetë hera e katër që e fiton “Topin e Artë”, pas atyre të arritura në vitin 2008, 2013 dhe 2014. Një tjetër objektiv i sulmuesit është të fitojë dhe çmimin “FIFA the best”, edhe në këtë garë 30-vjeçari shihet si favorit kundrejt rivalëve Lionel Messi dhe Antoine Griezamann. Ky titull do të dorëzohet më 9 janar në Zyrih të Zvicrës.