Shokon Rosberg, tërhiqet nga Formula 1

Lewis Hamilton, nuk është befasuar nga vendimi i Nico Rosberg për t’i dhënë lamtumirën Formula 1. Diçka e pazakontë kjo edhe pse britaniku që ka ndarë me ish-shokun e tij të skuadrës një rivalitet të jashtëzakonshëm e plot shkëndija për titullin kampion në këto dy sezonet e fundit, është i vetëdijshëm për diçka të tillë.
“Me shumë mundësi jam një ndër të paktët që nuk jam surpizuar, por ndoshta kjo ndodh pasi e njoh Nico-n prej shumë kohësh. Është hera e parë që fiton ai, ndaj dhe nuk më surprizon zgjedhja e tij. Pastaj edhe ai ka një familje, ka një vajzë dhe Formula 1 të merr shumë kohë. Kemi sfiduar njëri-tjetrin që kur ishim 13 vjeç dhe gjithmonë kemi ëndërruar të bëheshim kampionë. Kur erdha te Mercedes dhe e gjeta në skuadër ishte si të rinisnin diskutimet që kishim patur kur ishim fëmijë. 2017 do të jetë e çuditshme dhe do të jetë paksa e trishtueshme që nuk do ta kem në skuadër. Ai do t’i mungojë kësaj gare dhe i uroj gjithë të mirat”, tha ai.
Pas vendimit të Rosberg janë të shumta alternativat se kush mund ta zëvendësojë, por Hamilton nuk deshi të bëjë shumë hipoteza mbi faktin se cili do të jetë shoku i tij i ardhshëm i skuadrës. “Unë gjithmonë kam kërkuar vetëm që të jem në kushte të barabarta me shokun e skuadrës dhe derisa trajtohem në mënyrë korrekte nuk kam pse shqetësohem se cili do të jetë shoku i skuadrës. Kemi drejtues të shkëlqyer dhe jam i sigurt se do të bëjnë zgjedhjet e duhura. Unë jam te Mercedesi për të garuar, e dashuroj këtë, ndaj dhe mendoj vetëm të nis sezonin e ardhshëm, natyrisht duke shpresuar rezultate më të mira”, përfundoi Hamilton.
Gjermani njoftoi tërheqjen nga Formula 1. Një vendim që i kapi të gjithë të papërgatitur, sepse vetëm të dielën e kaluar në Abu Dhabi, 31-vjeçari sapo festoi titullin botëror për pilotë. Njoftimi nga kampioni i botës u dha për Mbrëmjen Gala të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit në Vjenë, ku do të dorëzohen çmimet tradicionalë të fundit të sezonit.
“Dëshiroj të përfitoj nga ky rast për t’ju njoftuar se kam vendosur që të mbyll karrierën time në Formula 1”, shkruante Rosberg, që theksonte se “prej moshës 6-vjeçare ka ëndërruar të shpallej kampion i botës në Formula 1. Dhashë gjithçka për të realizuar këtë objektiv në 25 vjet, që tashmë e realizova falë ndihmës së njerëzve që më rrethojnë, tifozëve, familjes dhe miqve të mi”.