Rritet sërish borxhi për ekonominë

Huaja për ekonominë është rritur lehtë me rreth 1 miliard lekë apo rreth 0.18% në raport me muajin e mëparshëm, duke mos dalë nga apatia ku është futur prej disa muajsh radhazi. Të dhënat bëhen të ditura nga Banka e Shqipërisë. Në fund të tetorit, stoku i huasë së dhënë në ekonomi ishte 550.7 miliardë lekë. Që pas qershorit, kur arriti nivelin më të lartë në gati një vit, huaja për ekonominë është ngadalësuar ndjeshëm.
Rritje e lehtë në tetor është konstatuar në të gjithë segmentet, si në kredinë për biznese ashtu dhe atë për individë. Ecurinë më pozitive e kishte kredia në lekë për individët, që shënoi një zgjerim mujor prej 0.6%. Bankat e kanë përqendruar vëmendjen muajt e fundit te kredia që marrin familjarët për konsum apo për blerje të pasurive të paluajtshme, pasi këto hua, ndryshe nga ato të bizneseve, kanë rezultuar më pak problematike.
Raporti i kredive me probleme për bizneset në valutë është përkeqësuar, duke qëndruar në nivelin e 25.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Në të kundërt, kredia me probleme për individët është përmirësuar, duke u ulur me 2.9 pikë për qindjeje, në 12% në fund të 6-mujorit.
Pas një tkurrjeje në shtator, edhe huaja për kompanitë u rrit me 0.2% me bazë mujore.
Megjithatë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, huaja për ekonominë është zgjeruar vetëm me 0.5%. Huaja është futur në ngërç dy vitet e fundit, duke reflektuar nivelin e lartë të kredive të pakthyera në afat, që ishte mbi 21% deri në fund të shtatorit, kërkesën e dobët nga bizneset dhe shtrëngimin e kritereve të huadhënies nga bankat.