Rex Tillerson mund të jetë i duhuri

769

“The Economist”
“Një diplomat që është i aftë të nxjerrë edhe naftë”. Kështu e ka përshkruar Reince Priebus, shefi i ardhshëm i stafit të Donald Trupit, Rex Tillersonin, bosin e ExxonMobil, i cili është kandiduar këtë javë si sekretari i ardhshëm i Shtetit i Shteteve të Bashkuara. Në fakt, 64-vjeçari Tillerson është një nxjerrës nafte, ka kaluar 41 vite të jetës së tij duke përhapur në të gjithë botën një nga kompanitë më të mëdha dhe ndonjëherë e ka anashkaluar qeverinë amerikane sepse ka menduar se ExxonMobil ishte më e aftë t’i drejtonte vetë çështjet botërore.
Megjithatë, Tillerson ka gjithashtu reputacionin e njeriut të besueshëm me vlerat origjinale teksane që e kanë lejuar të qëndrojë në këmbë dhe të fitojë respektin e disa prej liderëve botërorë më të paparashikueshëm. Të bësh sekretar Shteti një person që nuk ka eksperiencë mund të jetë rrezik, por një person i pazakontë është më mirë se një person i paaftë.
Në varësi të asaj që është kuptuar nga seancat e konfirmimit të tij rreth këndvështrimit të tij për Rusinë kur nuk është duke i shërbyer aksionerëve të Exxonit dhe duke menduar se ai do të arrijë vërtet të ndërpresë lidhjet e tij financiare me kompaninë, Tillerson mund të jetë një prej dy anëtarëve të kabinetit të Trumpit që shihet si person ideal për të shërbyer në administratë.
Edhe pse është një lider i elitës korporative botërore, Tillerson ka rrënjë të thella tradicionale. I lindur në Wichita Falls të Teksasit, ai është rritur si skaut, ka frekuentuar Universitetin e Teksasit dhe kalëron kuajt me një kapele kaubojsi në kohën e lirë. Ai ka punuar në ExxonMobil që në vitin 1975, nuk ka jetuar kurrë gjatë jashtë Amerikës dhe flet me ngadalë.
Jack Randall, një mik i tij i universitetit, i cili është veteran i industrisë së naftës, kujton se Tillersoni ende e kalon kohën e lirë pas pune duke rregulluar vetë shtëpinë e tij buzë liqenit, edhe pse ka shumë e shumë punonjës që mund ta bëjnë për të. “Ai është një djalë i zakonshëm që ka jetuar për së gjalli ëndrrën amerikane”, thotë ai. “Është një teksan i vërtetë, një inxhinier dhe boi skaut. Pikërisht nga vendlindja burojnë edhe vlerat e tij”.
Megjithatë, si një naftëtar dhe kryeekzekutiv i ExxonMobil që nga viti 2006, ai ka drejtuar operacione në disa prej vendeve më pak miqësore të botës, që nga rajoni Sakhalin i Lindjes së Largët ruse i mbuluar gjithmonë me dëborë deri tek Çadi i mbytur nga varfëria. Kjo do të thotë se ai është marrë shumë herë me burra shteti të egër si Vladimir Putin dhe deri tek lideri i Venezuelës, Hugo Chavez, por pa i shkelur me këmbë principet e tij për rëndësinë e tregjeve dhe shenjtërinë e kontratave të naftës.
Në një libër mbi ExxonMobil, “Perandoria Private”, Steve Coll kujton marrëveshjet e hershme të Tillersonit me Putinin gjatë përpjekjeve për të mbajtur në fre partnerin e paparashikueshëm rus, Rosneft, në zhvillimet e zonës së Sakhalinit. Kur Putini ofroi të nënshkruante një urdhër ekzekutiv për të miratuar projektin, Tillerson refuzoi duke thënë se presidentit rus i mungonte autoriteti ligjor për të përmbushur standardet e kompanisë. Edhe pse Putini u tërbua, në fund ai pranoi kërkesat e Tillersonit.
Në vitin 2011, ExxonMobil dhe Rosnefti arritën një marrëveshje për të nxjerrë naftë në Detin Kara të Rusisë, që Putini tha se mund të çojë drejt një shume prej 500 miliardë dollarësh bashkëpunimi në Arktik. Në vitin 2013, Putini e nderoi Tillersonin me titullin “Miku i Rusisë”. Marrëveshja e Arktikut u ndërpre për shkak të sanksioneve amerikane kundër Rusisë, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, të cilat u kundërshtuan nga Tillerson. James Henderson, një ekspert i naftës ruse në Institutin e Oksfordit thotë se, Kremlini e respekton ExxonMobil në drejtimin e Tillersonit sepse ky i fundit ishte një person i besueshëm.
Lidhjet e Tillersonit me Putin nuk kanë gjasa të ndërlikojnë seancat e tij të konfirmimit, veçanërisht pasi hakerët rusë kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane për të ndihmuar Trumpit. Dekadat e tëra të eksperiencës në biznes në Rusi tregojnë se ai është më i prirur të kuptojë mënyrën se si funksionojnë gjërat atje krahasuar me disa paraardhës të tij në Departamentin e Shtetit. Më tej, mbështetësit e tij janë entuziastë për integritetin e Tillersonit. “Ka më shumë shanse që Nënë Tereza të akuzohej për vjedhje të parave të fondacionit, se sa Tillersoni të bëjë diçka me Putinin që nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara”, thotë Randall.
Ajo që nuk është ende e qartë është mënyra se si do të trajtojë çështjet me aleatët tradicionalë të Amerikës, si Europa, e cila i druhet ndërhyrjes së Putinit në Ukrainë, për shembull. Emërimi i tij mund të shtojë dyshimet se diplomacia amerikane do të përqendrohet në sigurimin e naftës dhe burimeve të tjera. OJF-të pretendojnë se ExxonMobil nuk është përpjekur aspak të promovojë të drejtat e njeriut në vendit ku operon dhe ka bërë diskutime të dyshimta në lidhje me ndryshimin e klimës.
Megjithatë edhe pse ka një mendësi tipike naftëtari, Tillerson mund të sjellë tipare të dobishme industriale në Departamentin e Shtetit dhe në presidencën e Trumpit. Gjetja dhe nxjerrja e naftës kërkojnë ekspertizë të elaboruar – si për gjeologjinë ashtu edhe për gjeopolitikën – për të bërë para në periudhën afatgjatë. E shkuara e tij inxhinierike tregon se është një vendimmarrës i matur dhe i zoti. Ai konsiderohet edhe “i duruar dhe joemocional” kur bëhet fjalë për të negociuar çështjet e ExxonMobil.
Këto tipare e bëjnë atë tepër të ndryshëm nga presidenti Trump, i cili beson më shumë në instinktin e tij. “Rexi nuk është një person që pret të shohë se nga fryn era dhe presidenti Trump do të kuptojë shumë shpejt se ai ka për t’ia thënë të gjitha gjërat që mendon”, thotë Randall. Në fakt edhe opinionet e tij janë të ndryshme nga ato të Trumpit. Edhe pse dikur e ka mohuar ndryshimin e klimës, Tillerson tashmë mendon se njerëzimi ka kontribuar në përkeqësimin e situatës. Këtë vit, ExxonMobil duartrokiti Marrëveshjen e Parisit për ndryshimin e klimës. Ndoshta ai do të ketë aftësitë taktike për të përçuar interesat amerikane nëpër botë dhe do të ketë integritetin e nevojshëm për të bindur shefin e tij për shumë çështje.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI