Renzi do të largohet pas votimit të buxhetit dhe Cal Ceneterva

Kryeministri italian, Matteo Renzi, nuk do të dorëhiqet menjëherë, do ta bëjë pas disa ditësh. Kreu i qeverisë ende në detyrë vendosi të ‘ngrijë’ dorëheqjen për të mos penguar miratimin e ligjit të Buxhetit 2017 që është vënë në kalendarin e punës së Senatit. Vendimi erdhi pas diskutimit që Renzi pati deri në orët e para të mëngjesit me kreun e shtetit, në lidhje me mënyrat e mundshme të menaxhimit të krizës politike. Ishte vetë Mattarella që i kërkoi Renzi-t që të mos largohej menjëherë nga timoni i Palazzo Chigi, për të bërë të mundur kalimin e një ligji më të rëndësishëm për financat e këtij shteti.
Mediat italiane raportojnë se miratimi i projektbuxhetit 2017 do të bëhet brenda javës, e menjëherë pas kësaj do të vijë edhe dorëheqja zyrtare e Renzi-t. Por, miratimi i këtij ligji do të thotë edhe kalim i amendimeve që kanë të bëjnë me zhvendosjen e shërbimit call center, që prek ndjeshëm Shqipërinë. Ndryshimet parashikojnë rregulla të forta, përjashtim nga lehtësitë fiskale, kontroll të të dhënave personale për ato shërbime call center që do të zhvendosen nga Italia, për të ardhur kryesisht në vendet jashtë BE-së, siç është Shqipëria. Vendi ynë numëron rreth 25,00 persona të punësuar në këtë sektor, kryesisht të rinj, ku një pjesë e tyre rrezikojnë të humbasin vendet e punës për shkak se kompanitë nuk do të arrijnë dot të përballojnë presionin e masave shtrënguese.
Në Itali, aktualisht po qarkullojnë hipotezat për krijimin e një qeverie teknike ose të ashtuquajtur “të qëllimit” dhe për drejtimin e tyre artikulohen dy emra: ai i ministrit të Ekonomisë, Pier Carlo Padoan, dhe i presidentit të Senatit, Pietro Grasso.
Nuk përjashtohet edhe mundësia e krijimit të një qeverie më shumë me karakter politik, që mund t’i besohet ndonjë ministri të PD-së, që mund të garantonte vazhdimësi. Emrat më të përfolur janë: Graziano Delrio e Paolo Gentiloni.