Raporti i OBSH, 202 të vdekur në aksidente për 9 muaj

Aksidentet rrugore janë kthyer një kërcënim serioz dhe një problem madhor për jetën e qytetarëve në Shqipëri. Edhe pse ende nuk është mbyllur viti 2016, të dhënat e fundit që i përkasin periudhës janar-shtator, tregojnë se numri i personave të vdekur në 9 muajt e këtij viti, i është afruar totalit të personave të vdekur gjatë gjithë vitit të kaluar.
Kështu, sipas shifrave zyrtare, më 2015-ën, në rrugët e Shqipërisë vdiqën 270 persona nga aksidentet, ndërsa deri në shtator 2016, humbën jetën 202 persona. Sipas renditjes së bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si pasojë e aksidenteve rrugore në Shqipëri janë 15.1 për 100 mijë banorë. Shqipëria, renditet në këtë mënyrë e parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnje e Hercegovinën.
Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, Rusisë dhe ish-Republikave Sovjetike, vendi ynë renditet i katërti përsa i përket rrezishmërisë së rrugëve.
Të dhënat e përmbledhura tregojnë se gjatë vitit të fundit ka patur afërsisht 2.000 aksidente, nga të cilët ka rezultuar që 2.692 persona janë përfshirë në mënyrë direkte apo indirekte. Nga ta, 270 kanë ndërruar jetë.
Përveç humbjeve të mëdha në njerëz dhe plagëve në familjet shqiptare si pasojë e këtij fenomeni, aksidentet janë një kosto edhe për buxhetin e shtetit, ku përllogariten shpenzime të tipit: shëndetësore, infrastrukturë rrugore, transport logjistik, burime njerëzore.
Totali i dëmit ekonomik, sipas ekspertëve, arrin shifrën prej afërsisht 3% të Prodhimit Kombëtar Bruto, ose afro 343.500.000 USD, vetëm për vitin 2015.
Si shkak kryesor i përgjakjes së rrugëve nga aksidentet mbetet shpejtësia e lartë, që vjen si pasojë e mosrespektimit të sinjalistikës rrugore.

Aksidentohet për vdekje 78-vjeçari

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në unazën e qytetit të Korçës, në vendin e quajtur “Ura e Fajancës”. Viktima është një i moshuar që udhëtonte me biçikletë. Sipas policies, mjeti tip furgon (mallrash) me targa AA 274 KI, me drejtues shtetasin R.Sh, 36 vjeç, banues në Korçë, ka aksidentuar me vdekje, shtetasin Th.Q, 78 vjeç, banues në fshatin Ravonik, i cili po udhëtonte me biçikletë në rrugë.
Ndërkohë fillimisht autori së bashku me mjetin e tij, është larguar nga vendi i ngjarjes. por pas më pas ai u ndalua nga policia dhe aktualisht ky shtetas ndodhet në ambientet e Komisariatit të Korçës, për të kryer proçedurat e mëtejshme.