Ramos barazon në fund golin e Suarezit

Barcelona dhe Reali i Madridit janë ndarë në barazim 1-1 në “El Klasikon” e vlefshme për javën e 14 të La Liga-s të zhvilluar në “Kamp Nou”. Ndeshja e shumëpritur nga gjithë bota e futbollit dhuroi emocione të mëdha, teksa u zhvillua një lojë mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat.
Pjesa e parë e takimit ishte disi nën rimtin e zakonshëm të historikut të kësaj ndeshjeje dhe u mbyll pa gola. Ndërkohë, në pjesën e dytë ishte Luis Suarez, që kaloi katalanasit në avantazh në minutën e 53-të, teksa realizoi duke goditur me kokë një top të krosuar nga Nejmar me goditje dënimi.
Reali nuk u dorëzua dhe kërkoi të barazonte shifrat deri në fund të takimit. Golin e gjeti i zakonshmi i minutave të fundit, Serxhio Ramos, i cili në të 90-n, goditi saktë me kokë një top të krosuar nga Modriç ekzekutimit të një goditjeje dënimi.
Pas këtij takimi, Reali vazhdon të mbetet i pamposhtur, duke kryesuar klasifikimin me 34 pikë të grumbulluara. Ndërkohë Barcelona e ndjek në vendin e dytë me 28 pikë.