Qeverisja dixhitale është një dështim

Ilir Sinanaj

Në botën teknologjike, ku jetojmë, shumë shërbime të ndryshme kryhen nëpërmjet internetit. Kjo mënyrë e marrjes së shërbimeve ul kostot, kohën dhe të interesuarit mund t’i marrin në çdo vend, mjafton që të kenë lidhje në internet.
Në Raportin e Mundësimit të Tregtisë Globale për vitit 2016, të “Forumit Ekonomik Botëror”, Shqipëria renditet e parafundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për sa i përket treguesit të shërbimit qeveritar online. Në rang botëror, Shqipëria renditet e 67-ta nga 138 vende të analizuara, për sa i përket këtij treguesi. Vendi i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili ka shërbimet qeveritare online më të mira në rajon është Serbia, e cila renditet në vendin e 24-t në shkallë botërore.
Ndërsa vendi me shërbimet qeveritare online më të dobëta është Bosnje dhe Hercegovina. Treguesi i shërbimit qeveritar online, sipas “Forumit Ekonomik Botëror” vlerëson cilësinë e shërbimeve online që qeveria u mundëson qytetarëve. Shembuj të shërbimeve përfshijnë praninë online, vendosja e materialeve multimedia, kërkesa e qeverisë për të marrë ide dhe shqyrtuar kritika nga qytetarët, shpërndarje të gjerë të të dhënave me interes për mbarëvajtjen publike dhe përdorimi i rrjeteve sociale.