Pronat, 5 ditë afat për të manipuluar 100 dosje

Një urdhër i Ramës ka ngritur në këmbë Komisionin e Kthimit të Pronave. Brenda 5 ditëve duhet të manipulohen 100 dosje të pronave që ato të shkojnë tek klientela e afërt e Ramës. Një komision tërësisht i paralizuar që nuk kishte marrë asnjë vendim në këto tri vite, befas rizgjohet nga urdhri i kreut të qeverisë, i cili në panik nga ikja e shpejtë nga qeveria po kërkon të gllabërojë pronat e qytetarëve.
Ish-kryeministri Sali Berisha në një postim në rrjetin social Facebook, ka denoncuar drejtoreshën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila sipas tij ditët e fundit ka kërkuar shqyrtimin e dosjeve në interes të miqve të Edi Ramës. Berisha, duke iu referuar një informacioni të ardhur nga një punonjëse në zyrën e kësaj agjencie, tha se drejtoresha po kërkon që ata, pra punëtorët të firmosin në kundërshtim me ligjin dosjet abuzive. Zyrtarja dixhitale denoncon: Drejtoreshën e Pergjithshme të Trajtimit të Pronave, ndrikullën Sonila Qato, e cila:
-pasi për tre vite nuk ka nxjerrë asnjë vendim, jep urdhër:
-të përgatiten për 5 ditë, duke shkelur ligjet, 100 vendime të klientelës
-detyron punonjësit të punojnë deri në ora 21:00 të darkës për përgatitjen e vendimeve të paligjshme,
-detyron punonjësit të firmosin, duke i kërcënuar me vendin e punës. “I nderuar zoti Berisha:
Jam një punonjëse e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Po ju drejtohem juve, sepse dua të denoncoj një skandal që po bëhet me dosjet e pronave.
Me urdhër të Drejtoreshës së Përgjithshme, Sonila Qato na është kërkuar të gjithë punonjësve të punojmë me orë të zgjatura deri në 9 të darkës për të nxjerrë rreth 100 vendime për kthimin e pronave të miqve të qeveritarëve dhe drejtoreshës. Të gjitha këto dosje kanë problematika shumë të mëdha dhe ne po na bëhet presion që të firmosim, duke na kërcënuar me vendin e punës. Duhet ta dini se kjo agjenci ka 3 vjet që nuk ka nxjerrë asnjë vendim. Dhe tani papritur na është lënë afat vetëm 5 ditë për t’i përfunduar këto dosje, të cilat po t’i firmosim do na çojnë të gjithëve në burg, sepse këto dosje kanë mungesa dokumentacioni dhe probleme ligjore të jashtëzakonshme. Ju them me bindje se me pronat e shqiptarëve këtë javë po bëhet një manipulim i tmerrshëm”.

Drejtoresha e Ramës

Sonila Qato erdhi në këtë detyrë si njeri i besuar i Edi Ramës. Në fakt, në tre vitet e qëndrimit të saj në këtë detyrë, mund të thuhet se ka qenë një institucion i dështuar. Vajza e një prej zyrtarëve të lartë të regjimit, anëtar i Komitetit Qendror Llambi Gegprifti, do të mbahet mend dhe për propozimin e ligjit për kompensimin e pronës të merret si referencë vlera e saj në vitin 1945, kur është bërë dhe shtetëzimi. Pra toka në mes të Tiranës, në bregdet e të tjera të kompensohen për pak ose hiçmosgjë, dhe ato më pas t’i kalohen që t’i gëzojnë klientët e Ramës. Por me sa dihet dhe sipas denoncimit të zotit Berisha, tashmë po vihet në jetë një tjetër urdhër i Ramës, i cili i ka dërguar drejtoreshës së tij, listën e klientelës për të cilët duhet shkelur ligji me të dyja këmbët. Eshtë e pamundur nga ana e kësaj agjensie të përgatiten për pesë ditë, 100 vendime kur ato kërkojnë ballafaqim faktesh dhe dëshmish mbi pronësinë e vërtetë.  Në 5 ditë të verifikohen dokumentat, vendimet gjyqësore, hartat e pronave, pretendimet e palëve për 100 prona, që natyrisht bëjnë pjesë tek lista e atyre që kanë më shumë vlerë. Në këtë rast, duhet një hetim i thelluar, sepse duket qartë se prona po tjetërsohet për të paktën 100 pronarë të ligjshëm.

Enton DACI