Prokuroria zbardh vjedhjen qindra miliona euroshe në TEC-in e Fierit

Prokuroria e Fierit zbardh skemën e abuzimit qindra miliona euroshe të ish-drejtuesve të TEC-it, të arrestuar gjatë ditës së djeshme për favorizime të një firme në ankandet publike. Në pranga kanë përfunduar Në pranga kanë përfunduar Qemal Vrenozi, ish-drejtori i TEC-it të Fierit, Flamur Fejzulla, ish-përgjegjës i TEC-it dhe Artem Rusto, ish-magazinier pranë këtij TEC-i.
Sipas organit të akuzës, shtetasi Artem Rusto deklaron se, gjatë kohës që ai ka qenë në detyrën e magazinierit janë zhvilluar 3 ankande për shitjen e materialeve të ndryshme, ku ankandi i parë është zhvilluar për shitjen e mazutit, për të cilin ai ka mbajtur dokumente të rregullta, ankandi i dytë është zhvilluar për shitjen e aseteve të ndryshme, ku ndër personat që kanë fituar në këtë ankand ka qenë edhe shtetasi Taip Bardhi nga Tirana, i cili ka blerë tubo të llojeve të ndryshme, kushineta, tubo bronzi, tubo bakri, transformator rryme, etj.
Ankandi i tretë është zhvilluar për blerjen e telave të rrymës me vlerë shumë të shtrenjtë, elektromotorë, etj., i cili është fituar nga shtetasi Mehmet Dyrmishaj. Rusto deklaron se shoqëritë që kishin fituar ankandin, paraqiteshin tek ai dhe në bazë të mallrave të përshkruar në kontratë, ai bënte daljen e mallit nga magazina, nëpërmjet faturave që nënshkruheshin nga të dy palët, si dhe priste edhe faturë tatimore shitje me TVSH.
Sipas tij, në periudhën kur është paraqitur shtetasi Taip Bardhi, janë prerë 3 apo 4 fatura tatimore shitje, por në vijim Shefi i Financës shtetasi Petrit Perhati i ka thënë se: “Faturat tatimore i ke prerë gabim dhe prandaj ato do anulohen, por t’i jepi mall Taip Bardhit se në fund do të bëjmë rakordimin dhe do t’i mbledhim në një faturë të vetme me TVSH”, dhe i anuloi faturat tatimore që ishin prerë deri në atë moment.
“Ai deklaron se në vijim, shtetasi Petrit Perhati nuk e ka thirrur më në zyrë për të bërë rakordimet. Ai deklaron se, gjatë kësaj periudhe shtetasi Petrit Perhati i ka kërkuar që shtetasi Taip Bardhi të marrë edhe materiale jashtë kontratës, por ai fillimisht nuk ka pranuar, pastaj me urdhër i ka shitur shtetasit Taip Bardhi disa tubo me vlerë të shtrenjtë dhe për këtë fakt janë mbajtur fletëdaljet, të cilat janë nënshkruar nga ai dhe shtetasi Taip Bardhi”, bën me dije organi i akuzës.
Ish-magazinieri Artem Rusto pretendon se sasia e mallrave të bëra dalje nga magazina për subjektin Taip Bardhi nuk është ajo që pasqyrohet në bllokun e faturave tatimore, por në vlera shumë më të mëdha.
Për të vërtetuar këtë, thotë Prokuroria, ai ka vënë në dispozicion fletëdaljet origjinale të vulosura dhe të nënshkruara nga shtetasi Taip Bardhi. Ai deklaron se në periudhën e ndryshimit të qeverive në vitin 2013, ka shkuar në zyrën e shtetasit Petrit Perhati dhe e ka pyetur se çfarë do të bënin për ato tubat që ka marrë jashtë kontrate shtetasi Taip Bardhi, por shtetasi Petrit Perhati i ka deklaruar se: “Gjej ca tubo andej nga TEC-i dhe futi brenda në magazinë sa për të justifikuar”.
Ai deklaron se fatura me TVSH shoqëronte mallin, por sipas urdhrit të shtetasit Petrit Perhati, i cili i ka deklaruar se do i prisnin në fund, ai nuk i ka prerë këto fatura për subjektin Taip Bardhi.
Ai deklaron se për një periudhë është ndaluar dhënia e materialeve për shtetasin Taip Bardhi, por me një urdhër të likuidatorit të ri Ardian Kokalari, ai ka vijuar të furnizojë përsëri shtetasin Taip Bardhi. Rusto deklaron se në këtë periudhë për evadimin e mallrave nga magazina ai ndihmohej edhe nga shtetasit Qemal Vrenozi dhe Arti Matohiti, si dhe ndihmës magazinieri Kasëm Saliaj.
Me kërkesë të Prokurorisë, Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “TECI”. Në pranga kanë përfunduar Qemal Vrenozi, 41 vjeç, ish-drejtori i TEC-it të Fierit, Flamur Fejzulla, 49 vjeç, ish-përgjegjës i TEC-it dhe Artem Rusto, 43 vjeç, ish- magazinier pranë këtij TEC-i.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur ish-shefi i Financës, 53-vjeçari me iniciale P.P dhe 65-vjeçari me iniciale T.B, administrator në një firme private.
Sipas burimeve zyrtare, këta persona në bashkëpunim me njëri–tjetrin, gjatë periudhës së viteve 2012-2013 kur kanë qenë në detyrë i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 209 milionë lekësh, si rezultat i ankandeve publike të kryera në atë periudhë, ku kanë favorizuar firmën private të administratorit të shpallur në kërkim, T.B. Për të ndaluarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për ish-drejtorin Qemal Vrenozi, masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Ekspertiza: Inxhinieri i uzinës në Ballsh është vrarë dhe djegur

Katër ditë pas gjetjes së kufomës së 57-vjeçarit nga Mallakastra në pyll, mjekët ligjorë kanë konfirmuar vrasjen e tij. Dyshimet e para të Policisë së Fierit se 57-vjeçari Shefo Duraj është vrarë rezultuan të vërteta. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në 14 nëntor, kur Duraj me profesion teknolog në uzinën e Ballshit komunikoi me familjarët në telefon, duke i njoftuar se do të udhëtonte drejt Skraparit me disa shokë, por humbi çdo kontakt, ndërsa trupi i tij u gjet dy javë më vonë. Ekspertiza mjeko logjore saktësoi se viktima është vrarë me mjet prerës. Burime nga grupi hetimor thanë se, autori ka dashur të humbë gjurmët, duke tentuar të djegë kufomën. Po ashtu, burimet thanë se pista e hetimeve është ajo e hakmarrjes për një vrasjeje të përpara viteve ’90, ku ka qenë i përfshirë një i afërm i viktimës.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, teknologu Shefo Duraj, trupi i të cilit u gjet para dy ditësh në një pyll, është vrarë dhe djegur. Burime nga Policia e Fierit thanë se, nga hetimet e bëra në trupin e pajetë të 57-vjeçarit Duraj, janë gjetur plagë thike dhe hekuri, si dhe djegie nëpër trup të shkallës së parë. Pas këtyre detajeve të reja, kjo ngjarje është duke u hetuar si “Vrasje me dashje”.
Trupi i tij u gjet mbrëmjen e së martës në pyllin e fshatit Kalenjë në gjendje të dekompozuar, por paraprakisht ekspertët thanë se viktima nuk ka vdekur për shkaqe natyrale. Pas kryerjes së hetimeve, rezultoi se ai është vrarë me sende të forta dhe më pas është djegur. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj vrasjeje makabër, por burimet bëjnë të ditur se po hetohet për vrasje për shkak të detyrës.