Polici i FNSH përplasi me makinë kalimtaren

Një punonjës i Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë është vënë në pranga, pasi ka aksidentuar një kalimtare. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në kryeqytet, rreth orës 16:40, teksa inspektor Ramazan Durishti, duke lëvizur me makinën e tij me targa TR 6897 P, ka përplasur 58-vjeçaren me inicialet N.T në rrugën “Bulevardi Blu” në Kamëz.
E lënduara është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, dhe tashmë ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve. Pas kësaj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka arrestuar rreth orës 22:30 inspektor Ramazan Durishtin, me detyrë trup shërbimi operacional pranë Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Durishti akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.