Po flet tregu

“Monitor”

Konfliktet politike dhe terrorizmi në Lindje i bënë shumë të pasigurta destinacionet e mëdha turistike në këtë zonë, duke i dhënë turizmit në Shqipëri një shans të artë.
Agjencitë turistike, kryesisht europiane, i orientuan këto flukse të krijuara edhe drejt vendeve të reja, të paeksploruara mjaftueshëm. Shqipëria, e cila vitet e fundit ka bërë një fushatë promocionale relativisht të mirë në turizëm, por edhe pati disa ngjarje pozitive si Kampionati Europian, u kthye në një vend të pëlqyer për vizitorë, të cilët kurrë më parë s’kishin dëgjuar për të. Natyra e pamohueshme për bukurinë, plazhet, ushqimi dhe mikpritja i shtuan “thashethemet” për Shqipërinë, ku mund të bëhen pushime të këndshme dhe të lira, pavarësisht problemeve të ndryshme në cilësi dhe akses të varfër shërbimesh.
Nga kjo situatë përfitoi vendi, i cili duket se rrëzoi dy mite, duke dalë nga pika e “vdekjes”. Miti i parë i këtyre 20 viteve ishte se pushimet në Shqipëri bëhen vetëm në sezon të shkurtër. Agjencitë turistike tregojnë se, vizitat turistike në vend kanë vijuar përtej stinës së verës dhe në numër shumë herë më të lartë se vite më parë. Miti i dytë lidhet me numrin e vogël të pasigurt të turistëve edhe gjatë verës. Hotelet raportojnë se që tani po mbyllen rezervimet për sezonin e ardhshëm turistik të verës.
Ndërkohë është formësuar dukshëm një kërkesë në rritje nga të huajt, që siç thotë “Monitor”, janë përgjithësisht nga Veriu i Europës dhe Lindja e saj, për të ndërtuar njësi të reja akomodimi dhe për të blerë banesa. Kjo është thyerja e mitit të tretë se në Shqipëri nuk mund të jetohet.
Të tre këto fakte – rritja e numrit të pushuesve për sezonin e verës, rritja e vizitave jashtë sezonit dhe rritja e kërkesës për blerje në tregun e pasurive të paluajtshme për arsye turistike, janë sinjale të reja që vijnë nga turizmi.
Por, cilat janë potencialisht problemet që mund të përpallet Shqipëria nga kjo mënyrë e re e sjelljes së tregut turistik?
Destinacionet më të kërkuara në vend, kryesisht gjatë bregdetit, janë të pambuluara me projekte të plota zhvillimi dhe kanë tituj të paqartë pronësie. Përqendrimi me ritëm të lartë, sikundër po ndodh, mund të krijojë “getot” turistike si në Durrës, që do të sjellin efekt zinxhir vështirësish për të ofruar shërbime publike (ujë, energji) dhe keqmenaxhim të hapësirës urbane me pasoja që merren me mend. Këto zona mund të kenë një efekt të shpejtë financiar, por jo afatgjatë dhe me gjasë mund të kthehen në një problem të ri.
Përqendrimi vetëm në disa zona, kryesisht në bregdet, do të vijojë të lërë për shumë kohë jashtë vëmendjes të tjera zona që mund të jenë destinacione mjaft të pëlqyeshme në sezone të tjera të vitit, por që janë më në thellësi të vendit. Kjo pabarazi zhvillimi do të përqendrojë edhe pasurinë, duke provokuar lëvizje migratore, brenda vendit, të popullatës, të cilat do të rendin drejt vendeve të reja të punës dhe mundësi për përfitime, duke “kaluar në vdekje klinike” edhe ato zona të cilat do të jepnin efektin e turizmit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.
Agjencitë publike janë të papërgatitura për këto zhvillime të reja që dikton tregu i turizmit. Planet e qeverisë janë bërë mbi modelet e fshatrave turistikë, ndërkohë që ajo që po ndodh në turizëm po tregon një tjetër rrugë. Nëse do të vijojë ecja në dy kahe, veç tregu e veç qeveria, do të na harxhojë kohë e kapitale, duke vonuar maturimin e produktit shqiptar turistik.
Duke qenë se turizmi më shumë se çdo sektor tjetër ka një efekt zinxhir shumë më të madh e më të ndikueshëm te sektorë të tjerë të ekonomisë, problemet që mund të dalin, nëse nuk zgjidhen shpejt, do të mahisen e krijojnë një nyje tjetër që do ta dobësojë efektin pozitiv që mund të ketë ekonomia, si nga larmia e sektorëve që prek ashtu edhe nga gjeografia e saj.
Në Shqipëri, shpesh qeveritë kanë ecur kundër tregut, ose nuk kanë ditur ta orientojnë atë në mënyrë të shëndetshme. Ky është rasti për t’i rregulluar gjërat sa pa qenë vonë. Qeveria duhet të analizojë mirë atë që po ndodh në tregun turistik dhe të rikompozojë prioritetet dhe mbështetjen buxhetore. Në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk ka asgjë që të mund të mendosh se qeveria ka qenë e vëmendshme ndaj këtij fenomeni të ri (p.sh. nuk ka financim për asnjë rrugë të re, as stimuj fiskalë për zona të varfëra për të stimuluar zhvendosjen e kësaj kërkese të rritur ndaj Shqipërisë, e as ndonjë projekt urban zhvillimi të plotë).
Nga ana tjetër, duhet që kjo kërkesë e re nga jashtë për turizmin në vend, të mbështetet të paktën me të njëjtën masë me një ofertë të rritur në cilësinë dhe aksesin ndaj shërbimeve publike. Por më e rëndësishmja është rruga strategjike që duhet të ndjekin qeveritë për t’iu përshtatur këtij realiteti të ri, të diktuar nga tregu, për të krijuar përfundimisht avantazhin konkurrues të vendit. Planet e ndërtuara mbi ëndrra pa parë e pa dëgjuar, tregun janë gjithnjë një shans i humbur.