PD në qeveri, masa urgjente ndaj të varfërve

Me demokratët e Tropojës, Lulzim Basha vuri në dukje se Partia Demokratike është sërish në mision historik për të sjellë valën e fundit të demokratizimit të vendit, të modernizimit të politikës, të kthimit të pushtetit tek qytetarët.
Liria dhe demokracia kanë humbur kuptimin, tha Basha, dhe që këto koncepte të marrin fuqi, duhet fuqizuar qytetari, duke ia kthyer atij kontrollin e qeverisjes me instrumentet që i takojnë.
“Vendi është robëruar nga një kastë, nga një klikë të korruptuarish dhe kriminelësh, të cilët kanë vetëm një interes, të përfitojnë e të pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Koha ka ardhur që Partia Demokratike t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve fazën e fundit të modernizimit të një vendi, drejt lirisë dhe demokracisë. Ashtu si demokracia dhe liria erdhën për shkak të nevojës, domosdoshmërisë për të shporrur diktaturën, atëherë kur s’kishte më ku të shkonte, nuk kishim më nga t’ia mbanim, edhe sot kjo vjen si një domosdoshmëri t’i kthejmë qytetarëve qeverisjen, të fuqizojmë qytetarin, duke i dhënë instrumentet kushtetuese dhe ligjore që ai të përcaktojë të gjitha vendimmarrjet dhe vendimmarrësit lirisht dhe jo i kërcënuar dhe as i shitblerë”, tha Basha.
Basha u kërkoi anëtarëve të Partisë Demokratike të qëndrojnë pranë njerëzve, të prekin realitetin e tyre dhe të evidentojnë hallet e qytetarët në nevojë.
“Halle konkrete, emra konkretë, fate konkrete njerëzish i njohim, i dimë, i takojmë ditë për ditë në komunitetet, por ne duhet të kemi një evidencë të plotë. Kjo është një parti politike që përgatitet nesër të marrë përgjegjësi konkrete të qeverisjes, jo demagogji, jo premtime koti. Dhe po ju them se detyra jonë kryesore, misioni ynë më i shenjtë që prej ditës së parë në qeverisje, pa asnjë alibi është të bëjmë gjithçka për njerëzit në nevojë”, pohoi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike shpjegoi se si do të përdoret buxheti i qeverisjes së tij.
“Buxheti i shqiptarëve do të shpenzohet për shqiptarët. Objektivi ynë, qëllimi ynë është që asnjë familje të mos mbetet pa bukë, pa ujë, pa drita, kjo nënkupton një sërë masash të menjëhershme; siç është pagesa për çdo familje në nevojë ekonomike e 200 kilovatëve të parë të energjisë elektrike drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit; dhe e njëjta gjë edhe për faturat e ujit, e për nevojat jetike. Po kështu rritja e ndihmës ekonomike për të bërë të mundur që ata, të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të ushqyer veten e tyre dhe fëmijët të marrin mjaftueshëm ndihmë ekonomike për të mbajtur veten gjallë, jo thjesht t’i marrin me një dorë dhe t’i paguajnë me dorën tjetër”.
Tropoja po vuan 3 vitet e braktisjes nga qeveria. Në rrugë takon njerëz me halle e probleme. “Jam në gjimnazin ‘Asim Vokshi’ dhe me një mesatare me notën mbi 9.5. Kam një kërkesë: jetoj në një familje prej gjashtë personash dhe të ardhurat ekonomike nuk janë edhe aq të favorshme sa për të mundësuar shkollimin tim dhe për të vazhduar shkollën”, thotë Ardita Celaj.
“Universitetet publike do të jenë të hapura për fëmijët e shqiptarëve. E vetmja gjë që të kërkoj ty dhe bashkëmoshatarëve tu të ‘Asim Vokshit’, Tropojës e anembanë Shqipërisë, mbajeni mendjen tek mësimet, përkushtojuni mësimeve, ndryshimi po vjen dhe ju do të shijoni, do të gëzoni këtë ndryshim, sepse ju jeni ndryshimi i vërtetë i Shqipërisë”, siguron Lulzim Basha.