OECD: Performancë të ulët në arsim

Nxënësit shqiptarë janë poshtë nivelit mesatar të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për sa i përket performancës së tyre në lëndë shkencore, lexim dhe matematikë. Megjithatë, ka një përmirësim të ndjeshëm të nivelit, krahasuar me vitin 2006.
Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe i gjithë rajoni i Europës Juglindore kanë një performancë shumë më të ulët se mesatarja e vendeve të OECD-së.
Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve, PISA 2015 nga OECD testoi rreth 540 mijë 15-vjeçarë në 72 vende dhe ekonomi për sa i përket lëndëve shkencore, leximit, matematikës dhe zgjidhjes së problemave. Fokusi kryesor ishte mbi lëndët shkencore, si një pjesë me rëndësi në rritje i ekonomisë dhe shoqërisë sot.
Ndërsa shpenzimet për nxënësit në shkollat fillore dhe nëntëvjeçare janë rritur me rreth 20% që nga 2006 në vendet e OECD, vetëm 12 nga 72 vendet dhe ekonomi vlerësuar nga PISA kanë pasur përmirësim të performancës në lëndë shkencore gjatë kësaj periudhe. Këto përfshijnë sisteme arsimore me performancë të lartë, siç është Singapori dhe Kina, dhe me performancë të ulët si Peruja apo Kolumbia.
1 në 10 studentë në vendet e OECD dhe 1 në 4 në Singapor, performojnë në nivelet më të larta në lëndë shkencore. Në vendet e OECD, më shumë se 1 në 5 studentë dështojnë në përvetësimin e njohurive bazë: vetëm në Kanada, Estoni, Finlandë, Kinë, Japoni, Singapor dhe Vietnam, 9 nga 10 nxënësit 15-vjeçarë zotërojnë bazat që çdo i ri duhet të dijë përpara se të mbyllë këtë cikël shkollor.
Kjo thekson sfidën e të gjithë vendeve, përfshirë dhe ato më të pasurat, që të arrijnë arsimin gjithëpërfshirës dhe me cilësi të barabartë për të gjithë.
Raporti tregon politikat që kanë ndarë vendet e suksesshme: pritshmëri të larta për të gjithë studentët, fokus të lartë në mësimdhënie, burime të fokusuara te studentët dhe shkollat dhe një angazhim koherent, si dhe strategji afatgjata.
Kanadaja, Danimarka, Estonia dhe Kina kanë arritur standarde të larta të ekselencës dhe barazi në arsim. Veçanërisht Shtetet e Bashkuara kanë përmirësuar barazinë.