Një tjetër portier kuqezi mahnit Italinë

Entonjo Elezaj shumë shpejt mund të rivalizojë Etrit Berishën, Alban Hoxhën dhe Thomas Strakoshën për katërkëndorin e përfaqësueses shqiptare të futbollit. Portieri i talentuar 20-vjeçar shqiptar ka debutuar dje me fanellën e Peruxhias në Kupën e Italisë, ku ndonëse ka dalë i mundur përballë Xhenoas, ka marrë notën më të lartë në këtë ndeshje dhe konfirmoi se është një talent me perspektivë.
Në një sfidë, të cilën skuadra e tij e niste si e pabarabartë ndaj ekipit të Serisë A, trajneri Buki vendosi të aktivizonte Elezajn për t’i dhënë eksperiencë portierit të talentuar shqiptar. Ky i fundit nuk e zhgënjeu me pritje të njëpasnjëshme që shpëtuan shumë herë katërkëndorin e skuadrës së tij. Pas një fillimi të vrullshëm të Xhenoas, që realizoi dy gola, Peruxhia barazoi gjithçka dhe çoi takimin në shtesë.
Pandev dhe Ninkoviç shënuan dy gola të tjerë pas rifillimit të ndeshjes dhe ndonëse Di Nolfo shkurtoi shifrat, Peruxhia nuk ia doli dot të çonte takimin në penallti dhe sfida u mbyll me fitoren 4-3 të Xhenoas dhe kualifikimin në turin tjetër.
Kur një portier pëson katër gola, normalisht nuk krijon një përshtypje të mirë, por kjo nuk mund të thuhet për Elezajn, i cili është vlerësuar me notën e lartë 7 nga portali “Tuttomercatoweb”.
“Është një nga më të mirët në fushë, edhe pse pësoi katër gola. Me ndërhyrjet e shkëlqyera mban gjallë skuadrën për të gjithë ndeshjen: shpëton ndaj Okampos, Simeone e Ninkoviç. Dorëzohet vetëm në kohët shtesë”, ishte shpjegimi i portalit të njohur italian për këtë notë të lartë.
E njëjta notë edhe nga portali tjetër italian, “Calciomercato”. “I kaluar në fillim nga Simeone, shlyen gjithçka në më shumë se një rast, duke iu kundërvënë Okampos apo edhe vetë sulmuesit argjentinas. Nuk mund të bëjë asgjë ndaj gjuajtjes së Pandev. Në pjesën e dytë bën fenomenin ndaj Ninkoviç, duke mbajtur në lojë skuadrën e tij”. Berisha & Co. janë të paralajmëruar…