BE nuk hap Negociatat me Ramën, të fala Visit!

337

Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak në një konferencë për shtyp në Bruksel, duke folur për Shqipërinë është shprehur se po ndiqen me vëmendje zhvillimet. Pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së ai tha se, nga Shqipëria kërkohen fakte dhe prova që është bërë progres.
“Do të shohim nëse Shqipëria i përmbush kushtet. Duhet të presim raportin e ardhshëm të Komisionit. Nuk kemi ende një datë, por do të shohim progresin”, tha ministri sllovak në konferencë për shtyp.
Lajçak gjithashtu shtoi se shumë gjëra janë në lojë, sidomos kur bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi. Ai bëri thirrje që, Shqipëria duhet të adaptojë reformat dhe të nisë sa më shpejt zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Kriter i rëndësishëm për progresin e vendit sipas Lajçak janë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Ministrat e Jashtëm janë mbledhur në Bruksel për të finalizuar përgatitjet për dokumentin e datës 15 dhjetor të Këshillit Europian. Në këtë dokument do të publikohet qëndrimi i KE-së në lidhje me zgjerimin EU2017, si dhe për kornizën financiare 2014 – 2020. Emigracioni, siguria, ekonomia, zhvillimi social dhe politikat e rinisë, por edhe marrëdhëniet e jashtme do të jenë temat kryesore që do të trajtohen nga Këshilli Europian në datë 15 dhjetor. Në të do të vendoset edhe në lidhje me rekomandimin e dhënë nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, e cila ishte e kushtëzuar nga Reforma në Drejtësi, si dhe nga përmbushja e pesë prioriteteve.
Në një intervistë për të përditshmen boshnjake “Nezavisne novine”, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn tha se: “njerëzit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë të njëjtën kulturë, identitet, histori, si dhe ata të shteteve të BE-së. Pa këtë rajon, Bashkimi nuk do të jetë kurrë i plotë”.
Hahn deklaroi gjithashtu se: “Ekonomia e BE-së dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur. Ne kemi qëllime të përbashkëta në lidhje me zhvillimin e ekonomisë dhe kjo është edhe arsyeja se përse BE-ja është angazhuar që këto vende të mund të ndërlidhen me mirë ekonomikisht dhe të jenë gati që t’i bashkohen asaj. Natyrisht ka edhe sfida të përbashkëta që duhet të adresohen, siç është: terrorizmi, lufta kundër krimit të organizuar, emigracionit etj”.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian konsiderojnë, se Shqipëria duhet të përmbushë më shumë se 5 kritere për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Disa prej tyre janë shprehur qartë mbi plotësimin e të gjitha kritereve para takimit të tyre në Bruksel, ndërkohë që Komisioneri Johannes Hahn është shprehur se do të gjendet një zgjidhje në interesin e popullit shqiptar, i vetëdijshëm se proçesi vështirësohet pas kërkesës së shteteve anëtare për plotësimin e më shumë se 5 kritereve për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Didier Reynders, ministri i Jashtëm belg: Vendi duhet të përmbushë tërësinë e kushteve që janë mbi tryezë para se të hapen negociatat e anëtarësimit. Më pas ne do të ekzaminojmë mbi bazën e raporteve të Komisionin Europian, se cilat janë mundësitë për të avancuar me Shqipërinë. Ne kemi këtë qasje me shumë vende partnere. Mendoj, se do të na duhet të avancojmë gjithnjë e më shumë me një Europë me shpejtësi të ndryshme.
Michael Rott, minister gjerman Për Çështjet Europiane: Ne duam të dërgojmë sinjalin, se perspektiva e zgjerimit me vendet e Ballkanit është aty dhe ajo vlen për të gjitha vendet e rajonit. Ne kemi formuluar qartë pritshmëritë tona për rezultate në reformet e forcimit të shtetit ligjor dhe demokratizimit të këtyre vendeve. Eshtë gjithashtu e rëndësishme që Serbia dhe Shqipëria të kuptojnë, se kanë mbështetjen tonë për avancimin e mëtejshëm në integrimin europian dhe janë bërë reforma të rëndësishme nga këto vende.
Ioanis Kasoulidis, ministër i Jashtëm i Qipros: Ne e mbështesim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe ne shpresojmë që proçesi të progresojë sipas vendimeve të Bashkimit Europian.
Komsionieri Johannes Hahn: Do të gjejmë një mënyrë për të avancuar në interesin e popullit shqiptar. Pika e zgjerimit ka qenë e para që është diskutuar në tyrezën e ministrave të Jashtëm. Nuk pritet që të ketë ndryshime në konkluzionet për Shqipërinë krahasuar me draftin e aprovuar nga ambsadorët e përfaqësive të përhershme të BE-së.

Greqia: Tirana të plotësojë 5 kushtet

Ministri i Jashtëm i Greqisë, pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ka thënë se Shqipëria duhet të përmbushë 5 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Nikos Kotzias përshëndeti gjithashtu edhe faktin që Komisioni pranoi propozimet e Greqisë në lidhje me raportin për 5 kushtet. Në veçanti, ministri Kotzias u ndal tek lufta kundër krimit e korrupsionit dhe respektimi i të drejtave të minoritetit në Shqipëri.
Për këtë fundit, Kotzias ka reaguar disa herë gjatë javëve të kaluara pas tensioneve mes dy shteteve dhe retorikës politike nga të dyja palët. Me respektimin e të drejtave të pakicave në Shqipëri, Kotzias i referohet minoritetit grek në Himarë, duke akuzuar qeverinë shqiptare se po shemb banesat e tyre.
Ministrat e Jashtëm të BE-së në mbledhjen e djeshme ranë dakord me rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave, por kjo do të varet nga zbatimi i 5 prioriteteve kyçe. Nëse Shqipëria i përmbush, KiE vlerësoi se është i gatshëm të mblidhet kurdoherë.