Marketi zhgënjen, Strakosha e “kërcënon”

Federicco Marchetti rikthehet në portë, Lazio rikthehet te humbja. Gardiani i skuadrës bardhekaltër që humbi dy ndeshjet e fundit përpara derbit të Romës, u rikthye në katërkëndësh për sfidën më delikate të sezonit, por për fat të keq, ai zhgënjeu duke treguar një nivel mjaft të dobët, çka i lejoi Romës të arrinte një tjetër fitore ndaj rivalëve të të njëjtit qytet. Ish-portieri i Italisë prej kohësh po shfaq një rendiment të dobët, por derbi ishte pika që mbushi gotën për tifozët bardhekaltër. Mediat pranë klubit lacial kritikojnë paraqitjen e Marchettit, i cili mund të bënte më shumë te goli i parë, ndërsa e fajësojnë tërësisht në rastin e golit të dytë të shënuar nga Nainggolan. Në këtë mënyrë, Tomas Strakosha konsiderohet një alternativë më e besueshme për tifozët dhe ndoshta i tillë do të jetë edhe për trajnerin Inzaghi në të ardhmen.
Strakosha është aktivizuar titullar në 5 ndeshje të këtij sezoni, duke përfituar nga dëmtimet e shumta të Marchettit dhe ai ka arritur të bindë plotësisht stafin drejtues, por edhe tifozët. Edhe pse e nisi aventurën në Serinë A me një humbje ndaj Milanit, më pas ai tregoi vlerat e vërteta në 4 ndeshje, ndaj Empolit, Udineses, Genoas dhe Palermos. Tre janë golat e pësuar në total nga gardiani kuqezi, por në asnjë rast ai nuk ka pasur faj, madje me daljet e tij ka arritur të shpëtojë portën bardhekaltër ndaj Empolit dhe Udineses. Statistikat flasin qartë, me Strakoshën, Lazio është më e sigurt në repartin e tërhequr dhe arrin të dominojë kundërshtarët. Sirenat e alarmit për Inzaghin sapo kanë filluar të bien, ndoshta ky është momenti që në katërkëndëshin e Lazios, trajneri italian të mendojë për një rokadë edhe pse momentalisht Marchetti vazhdon të mbetet numri 1.