Lufta hibride sipas Putinit

Carlo Jean

Kremlini i atribuon rëndësi të veçantë sigurisë së Federatës së pafundme. Dokumentet zyrtare që e rregullojnë janë objekt debatesh të thelluara, jo vetëm në Dumë dhe në Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes, por edhe në opinionin publik. Një interes i tillë buron nga historia, nga gjeografia, si edhe nga ndjenja e frustrimit prej zhdukjes së perandorisë, me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe humbja e çerekut të territorit dhe e 3/5 e popullsisë. Doktrina ushtarake, e përpunuar nga Këshilli i Sigurisë i Federatës dhe i miratuar me ligj me propozim të Presidentit, është dokumenti kyç që identifikon kërcënimet, përshkruan strategjitë për t’i luftuar dhe përmban direktivat afatgjata lidhur me zhvillimin e komponentëve të ndryshëm – ushtarakë dhe joushtarakë – të sigurisë. Siguria nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e territorit, të privuar nga mbrojtje natyrale në Perëndim, në Lindje dhe në rripin kufitar në Jug, nga Kaukazi në Azinë Qendrore, por shumë i pasur me lëndë të para. Rusët kanë frikë se mos vendet e tjera komplotojnë për t’u marrë kontrollin. Siguria ka të bëjë edhe me stabilitetin e regjimit politik kundër ndërhyrjeve dhe destabilizimeve të jashtme. Dokumenti sqaron hollësisht pastaj ambiciet në rangun rajonal dhe botëror të Rusisë, duke kërkuar që t’i identifikojë aleatët dhe kundërshtarët. Kremlini ka pasur gjithmonë një lloj paranoje për sigurinë. Kjo është e kuptueshme, po të kesh parasysh agresionet e shumta të pësuara nga Perëndimi dhe nga Lindja. Është ushqyer edhe nga Kisha Ortodokse, që konsiderohet gardiane e identitetit moral të Rusisë, e sulmuar në mënyrë konstante nga forca të këqija të huaja. Jo më kot, Patriarku Kiril ka pohuar se ndërhyrja në Siri është një “kryqëzatë e shenjtë”, e prirur që të shpëtojë praninë kristiane në Lindje të Mesme. Putini është preokupuar për një konceptim të tillë ekstremist, edhe prej reagimeve të mundshme të popullsisë myslimane, sunite, që shkon në 15–18 për qind të rusëve. Jo më kot, pikërisht përpara ndërhyrjes në Siri, ka inauguruar personalisht xhaminë–katedrale të Moskës.
Raportet ndërkombëtare, por edhe situata e brendshme, janë bërë dinamike nga çështja ukrainase, nga kriza ekonomike (PBB-ja është ulur me 4 për qind më 2015), nga përhapja e radikalizmit islamik dhe e terrorizmit në Kaukazin Verior dhe në Azinë Qendrore, nga forcimi i krimit të organizuar dhe e trafikut të drogës, nga kërkesat për më shumë autonomi nga ana e oblasteve të ndryshme. E përhapur midis rusëve është një ndjenjë ankthi për cenueshmërinë e vet: ndjehen të rrethuar nga armiq potencialë dhe i frikësohen një “kolone të pestë” të brendshme. Kjo ndjenjë ushqehet nga Kremlini për të rritur konsensusin e tij. Është një fakt periodik në histori: ekzistenca e vërtetë apo e supozuar – nuk ka rëndësi thelbësore – e një armiku e forcon kohezionin e “qytetit”. Në fakt, popullariteti i Putinit është në qiell.
Fundi i “reset”-it me Uashingtonin dhe reagimet europiane ndaj krizës ukrainase i rrisin probabilitetet e një Lufte të Ftohtë të re, të luftërave lokale, të destabilizimit të shteteve që përbëjnë rripin kushinetë të zemrës së Federatës, e cila është e perceptuar si e domosdoshme për sigurinë ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve të brendshme e të jashtme. Kremlini trembet një Euromaidani rus. Dhe në rast se nuk e ka një armik, duhet ta shpikë atë. Kjo shpjegon vendosmërinë dhe brutalitetin me të cilën shtypet çdo mosbindje, si edhe reagimi ndaj rrëzimit të avionit Su-24 nga ana e Turqisë, që tregon edhe njëfarë nervozizmi nga ana e Kremlinit, për më tepër i kuptueshëm. Rusia është ndjerë e tradhtuar. Nuk pranon që e ka humbur Luftën e Ftohtë. Mendon se Perëndimi i ka tradhtuar premtimet e bëra, sidomos atë me zgjerimet e NATO-s. Kjo shpjegon edhe reagimet po aq historike për ftesë ndaj republikave të ndryshme ish-sovjetike për të qenë pjesë e Aleancës Atlantike, e konsideruar si provokim i pajustifikuar. “Revolucionet me ngjyra” më parë dhe “pranverat arabe” më pas kanë demonstruar potencialitetin e mjeteve të reja të komunikimit, të dezinformimit, të destabilizimit dhe të mobilizimit të mosbindjes dhe të protestës popullore. Kremlini është i vetëdijshëm për tërheqjen e ushtruar nga Perëndimi mbi pjesë të popullit rus, sidomos mbi të rinjtë dhe pakicat. Rreziqet nga jugu do të rriten me tërheqjen e forcave të NATO-s nga Afganistani dhe me ekspansionin e pashmangshëm të talebanëve. Preokupim të madh ka provokuar marrja e Kunduzit dhe arritja në Amy Darua e tyre, në kontakt të afërt me Taxhikistanin, në fakt protektorat rus. Kërcënime të jashtme e të brendshme konsiderohen gjithmonë një e tërë. Rendi ndërkombëtar paraekzistues është vënë në krizë nga aspiratat hegjemoniste të Shteteve të Bashkuara dhe nga ambiciet e një NATO-je globale. Kremlini pohon se të dyja janë kundër të drejtës ndërkombëtare. I ka frikën përsëritjes së sulmeve nga NATO ndaj ish-Jugosllavisë dhe Libisë.
Doktrina e re ushtarake pohon se bota është bërë më e rrezikshme. Nga një luftë e përgjithshme virtuale është kaluar në shumë konflikte reale lokale e rajonale. Doktrina pohon se rreziqet dhe kërcënimet (kërcënimet janë rreziqe që mund të provokojnë përdorimin e forcës), ushtarake dhe jo, janë shtuar. Rusia i kundërvihet hegjemonisë amerikane. Për ta kundërshtuar duhet të përdorë organizata multilaterale si Kombet e Bashkuara, OSBE-në, CSTO-në, SCO-në dhe BRICS-in, instrumente me të cilat synon sidomos parandalimin e konflikteve dhe neutralizimin paraprak të kërcënimeve ndaj paqes. Është e vetëdijshme se kjo e fundit nuk është aspak koncept abstrakt. Të gjitha shtetet e duan paqen, por bëhet fjalë për paqen e tyre, atë që u korrespondon interesave kombëtare respektive. Doktrina e re ushtarake dëshiron të jetë edhe një mesazh paqeje, drejtuar aleatëve, armiqve potencialë dhe neutralë. Tonet e saj nuk janë agresivë. Parandalimi i konflikteve vlerëson përdorimin e forcës. Doktrina ushtarake është një dokument i barasvlershëm me një ligj. I nënshtrohet politikës ushtarake, që është pjesë e politikës së jashtme të Federatës. Sanksionon interesat kombëtare që duhen ndjekur. Variacionet e asaj të dhjetorit 2014 kundrejt asaj të shkurtit 2010, e hartuar pas luftës 5 ditore në Gjeorgji, nuk janë kushedi sesa të rëndësishëm. Gjithsesi, dokumenti mban parasysh ndryshimet e situatës gjeopolitike, të raporteve të forcës me shtetet e tjera, të koncepteve strategjike të tyre, por edhe të instrumenteve ushtarake e joushtarake të sigurisë. E konsideron tashmë të kaluar kohën e “fantazive” të reset-it me Shtetet e Bashkuara dhe të bashkëpunimit me NATO-n. Doktrina e re ushtarake nënvizon karakterin mbrojtës të saj. Ka një karakter global, gjithpërfshirës të të gjithë instrumenteve të forcës së shtetit: ushtarakë, të rregullt e të çrregullt – përfshi vullnetarë, forca speciale për operacione sekrete dhe kompani ushtarake private – ekonomikë, diplomatikë, psikologjikë, komunikues, hapësinorë, kibernetikë e të tjera. E konsideron si të pamundur shpërthimin e konflikteve të mëdha, të penguar nga dekurajimi bërthamor reciprok, që mbetet elementi qendror. Nuk u atribuon atyre rajonalë, lokalë e të brendshëm koeficentë rrezikshmërie dhe probabiliteti relativë. U pranon mundësinë dhe sqaron përgjigjet që kanë ndërmend t’u japin, saktëson resurset e disponueshme për sigurinë kombëtare dhe cakton vijat drejtuese për mobilizimin e ekonomisë e të shoqërisë, duke u përcaktuar se, në ndryshim nga e kaluara, ajo nuk do t’i paraprijë shpërthimit të luftimeve, por do të ndodhë gjatë konflikteve.
Në kundërshtim nga sa pohohet shpesh, lufta nuk është vazhdimi i politikës me mjete të tjera. Politika vazhdon, me të gjitha kompleksitetet e saj, por thjesht me shtesën e mjeteve ushtarake. Ka qenë gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë kështu. Karakteristikë e doktrinës ruse është ajo e nënvizimit shumë herë të nevojës së një bashkëpunimi të ngushtë midis instrumenteve politikë dhe ushtarakë, derivuese edhe nga ndërkëmbyeshmëria e pjesshme e mjeteve të ndryshme. Një lloj i tillë strategjie i mundëson Putinit që të marrë iniciativën dhe befasojë kundërshtarë, por edhe miq, pavarësisht dobësisë strukturore ushtarake dhe sidomos ekonomike krahasuar me Perëndimin. Është parë në Ukrainë, ku Rusia ka vështirësuar, prej ambiguitetit strukturor të strategjisë së tij brilante “jolineare”, një kohezion perëndimor, duke përfituar nga zbutja e lidershipit amerikan dhe përçarjet e Europës. Ajo i mundëson Rusisë një aktivizim dhe suksese të konsiderueshme, të paktën fasadë, në politikën e jashtme, pa rreziqe të tepruara eskalimi dhe me mjetet e kosto të kufizuara.
Megjithatë, hapësirat e manovrimit nuk janë shumë të rëndësishme, duke pasur parasysh kufizimin e resurseve dhe faktin që ambiciet e saj duken joproporcionale me mjetet. Kremlini nuk mund të adoptojë gjë tjetër përveçse “strategjinë e ingjinarit”, duke i mbajtur iniciativat e saj nën pragun që do të provokonte një përgjigje globale të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre. Putini e njeh historinë. E di se çfarë i ka ndodhur Gjermanisë naziste pas sukseseve të “strategjisë së ingjinarit” të Hitlerit në vitet tridhjetë. Pastaj, Moska gjendet në një inferioritet shqetësues ekonomiko–financiar karshi Pekinit. Të paktën në mënyrë implicite, është e vetëdijshme për “rrezikun e verdhë”. Kështu që i duhet të veprojë pa u dëmtuar që ta ruajë mbështetjen kineze, por pa i besuar shumë. Viktima ka shumë gjasa që do të jetë traktati mbi euroraketat. Në fakt, Moska nuk mund të heqë dorë nga armët bërthamore substrategjike për të kompensuar në njëfarë mënyre superioritetin konvencional të Pekinit. Faktori i jashtëm që më shumë se çdo tjetër përcakton doktrinën e re strategjike ruse përfaqësohet nga raportet me Shtetet e Bashkuara. Ato nuk kanë të bëjnë vetëm me aspektet materiale, ekonomike dhe ushtarake, por edhe cilësinë e vendosmërinë e lidershipit ekzistues në Uashington. Putini ka përfituar nga pavendosmëritë e Barack Obamës, të cilin qartazi e përbuz për jokonkludueshmërinë e tij, për të arritur avantazhet e mëdha të mundshme për Rusinë. Ka kapitalizuar pastaj përçarjet që neutralizojnë Europën në fushën strategjike dhe që e bëjnë të parëndësishme në momentet e vështira. Lidhur me këtë, Rusia kapitalizon simpatitë që gëzon në të djathtat dhe në të majtat ekstreme europiane. Element thelbësor janë financimet për partitë e tyre dhe një fushatë efikase informacioni dhe dezinformacioni. Siç ka pohuar ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, danezi Andres Fogh Rasmussen, Rusia ka financuar lëvizjet “antifracking, për të penguar shfrytëzimin e gazit shistor dhe konsoliduar varësinë europiane nga gazi rus” (pohimi është hedhur poshtë nga Greenpeace). Do të bëhej fjalë për një azhurnim të asaj që Bashkimi Sovjetik promovonte me lëvizjet ideologjike dhe ato pacifiste gjatë Luftës së Ftohtë ose më parë akoma, të asaj që bënë në vitet tridhjetë shërbimet sekrete italiane dhe gjermane në Francë e në Britaninë e Madhe (Organizata Prisma) për t’i kundërshtuar hyrjen në luftë.
Por cilat janë rrënjët e doktrinës aktuale ruse? Le të bëjmë një hedhje të shkurtër në të kaluarën, duke filluar nga fundi i Luftës së Ftohtë, që e bëri krejtësisht të dalë mode doktrinën ushtarake sovjetike të 1987. U bë i domosdoshëm rishikimi i plotë i saj. Kolapsi i aparatit ushtarak, vështirësitë e ekonomisë, varësia e saj nga Perëndimi dhe kaosi ekzistues në institucione, e penguan përkufizimin e një doktrine ushtarake që të kishte karakteristikat e një stabiliteti të caktuar. Por më 1993 u miratua një doktrinë “për periudhën e përkohshme”. Ajo afirmonte se Rusia nuk kishte kundërshtarë, as potencialë dhe se parashikonte përdorimin e forcës – në praktikë të armëve bërthamore – vetëm për frikësimin, jo për mbrojtjen. Nuk përmendej NATO, që megjithatë e projektonte qartë ekspansionin e saj në Lindje drejt zemrës së Rusisë dhe që pak vite më pas do të ndërhynte në Jugosllavi kundër serbëve, aleatë tradicionalë të Moskës, fillimisht në Bosnje–Hercegovinë, më pas në Kosovë, duke e sfiduar hapur Rusinë. Duke i gërryer në fakt forcën që i buronte nga të qenit anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe duke mos mbajtur premtimet e bëra, të paktën në mënyrë implicite, në mbarim të Luftës së Ftohtë për të hequr dorë nga ekspansioni i NATO-s drejt Lindjes. Masa e rusëve është e bindur se dëmit i është shtuar befasia dhe se Perëndimi e ka tradhtuar besimin e Rusisë, duke përfituar nga dobësia e saj. Ndërsa më 1990 sondazhet tregonin se 90% e rusëve kishte një opinion të favorshëm ndaj Shteteve të Bashkuara, kjo përqindje tani ka zbritur në 10%. “Revolucionet me ngjyra” në Gjeorgji, Kirgizistan dhe sidomos në Ukrainë (ai “portokalli” i 2004 dhe ai e Euromaidanit i 2013) janë perceptuar si kërcënime dhe poshtërime.
Në edicionin e 2010 të doktrinës ushtarake ruse, zgjerimet e NATO-s u konsideruan si rreziqe. Nuk u konsideruan kërcënime, pasi redaktimi i doktrinës ushtarake të 2010 ndodhi në periudhën e reset-it me Shtetet e Bashkuara – pas krizës së shpërthyer për Gjeorgjinë më 2008 – dhe të firmosjes së “START-it të ri”, që sanksiononte ruajtjen e një ekuilibri bërthamor strategjik midis Moskës dhe Uashingtonit. Doktrina e 2010 nuk fliste vetëm për aspektet ushtarake të sigurisë, por ishte më gjithpërfshirëse, siç ishte gjithashtu koncepti strategjik i NATO-s. Pohonte se kërcënimet kishin ndryshuar dhe se bëhej i nevojshëm një ristrukturim i thellë jo vetëm të forcave të armatosura, por edhe i aparatit institucional përgjegjës për sigurinë e shtetit, për të mbajtur parasysh ndërvarësinë midis komponentëve të ndryshëm të sigurisë dhe të nevojës së një koordinimi qendror të tyre, edhe në linjë me konceptet e “vertikalitetit të pushtetit”, domethënë të centralizimit të saj në Kremlin, e domosdoshme për unitetin e Federatës dhe të “demokracisë sovrane”, që riafirmon vullnetin për të mbrojtur sovranitetin e plotë rus nga ndërhyrje të jashtme. Në edicionin e 2010 riafirmohej karakteri mbrojtës i sistemit të sigurisë ruse, por merreshin në konsideratë ndërhyrje edhe ushtarake në mbrojtje të popullsive ruse rezidente në republikat ish-sovjetike, si ato të “luftës 5 ditore” në Oshecinë e Jugut dhe në Abkhazi. Së fundi, konfirmohej doktrina e përdorimit të armëve bërthamore, që hiqte dorë nga no first use, kostante në strategjinë sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë. Parashikohej përdorimi i tyre ndaj një kundërshtari të pajisur me armë bërthamore, por edhe kundër një agresioni konvencional që vinte në rrezik mbijetesën e shtetit. Praktikisht bëhej fjalë për një doktrinë të ngjashme me atë të adoptuar nga NATO gjatë Luftës së Ftohtë për të kompensuar inferioritetin konvencional të saj. Duke e lidhur luftën bërthamore të pamundur me atë konvencionale të mundur bëhej e pamundur edhe e dyta. Me armët bërthamore Rusia kompensonte inferioritetin konvencional të saj.
Doktrina ushtarake ruse e 2014 nuk përmban variacione të konsiderueshme nga ajo e 2010. Ripohon objektivat mbrojtëse të politikës së Rusisë, në një botë në të cilën janë rritur rreziqet e kërcënimet dhe probabiliteti i konflikteve reale, rajonale, lokale e të brendshme, që kërkojnë aftësi parandalimi dhe dekurajimi. Dekurajimit bërthamor i shtohet edhe ai konvencional, i bazuar mbi disponueshmërinë e forcave më të fuqishme, të afta për një dislokim të shpejtë, dhe mbi binomin forca ushtarake dhe instrumente joushtarake, për t’u koordinuar ngushtësisht midis tyre, sipas konceptit të “strategjisë hibride” apo “jolineare”, i thelluar më tej. Probabiliteti i një konflikti të madh botëror konsiderohet shumë i ulët, pothuajse nul. Megjithatë, ekziston vetëdija se, pavarësisht përpjekjes së modernizimit ushtarak, bërthamor e konvencional të ndërmarrë nga 2007, Rusia është shumë e dobët ekonomikisht dhe demografikisht sa të mund t’i rezistojë një gare riarmatimi me Perëndimin, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara. Dekurajimi mbetet thelbësisht bërthamor. Mund të destabilizohet nga zhvillimet e mbrojtjeve antiraketore e të Global Strike dhe nga militarizimi i hapësirës nga ana e Shteteve të Bashkuara. Doktrina e re e trajton gjatë dekurajimin konvencional, për t’u zbatuar jo vetëm me predispozicionin e luftërave të kryera me “strategji hibride apo jolineare”, por edhe me adoptimin e strategjive të Air-Land Battle, të adoptuara nga Shtetet e Bashkuara në Gji dhe në ish-Jugosllavi. Përcaktuese për zbatimin e strategjive të tilla është gatishmëria e Komandës së Forcave të Operacionet Speciale – trupa sulmi të aerotransportuara – të pajisur me 35000 efektiva, me një gatishmëri operative komplete dhe e krijuar më 2013. Koordinimi global i forcave ushtarake dhe i atyre joushtarake zbatohet në Qendrën e Drejtimit të Mbrojtjes Kombëtare, e krijuar më 2014 dhe që Putini e ka vizituar në samitet e CSTO-së, duke i ilustruar funksionet që kryen në “strategjinë jolineare”.
E shprehur shumë herë është frika e një “NATO-je globale”, faktikisht instrument i Shtëpisë së Bardhë, që kohët e fundit ka avancuar në formë provokuese elementë të forcave dhe infrastrukturave të saj akoma drejt Lindjes, duke i maskuar iniciativat e saj me krizën ukrainase. Thuhet edhe që Moska nuk mund t’i besojë NATO-s, se nuk i ka respektuar impenjimet e marra në fund të Luftës së Ftohtë për të mos pranuar si anëtarë satelitët e mëparshëm të Bashkimit Sovjetik. I nënkuptuar është rreziku i një konfrontimi me Kinën, edhe pse pohohet se, me politikën e tij agresive ndaj Moskës, Perëndimi po e shtyn Rusinë në krahët e Pekinit, që i vendos kushtëzime të rënda e poshtëruese në dhënien e huave. Të trajtuara me maturi të veçantë janë radikalizimi fetar dhe motivet fetare të konflikteve. Kremlini ndjek politikën e adoptuar nga carët, e prirur që të realizojë një bashkëjetesë jokonfliktuale me popullsitë islamike të perandorisë. Në këtë, Putini i reziston presioneve të Kishës Ortodokse. Kremlini ka arritur të paktën për momentin që të shmangë pozicionimin në konfliktin midis sunitëve dhe shiitëve. Sipas mendimit tim, është e dyshimtë se do të mund të vazhdojë ta bëjë. Politika e bashkëpunimit me Iranin në Lindje do të shkaktojë herët apo vonë tensione me popullsitë islamike të Federatës, në pothuajse totalitetin e tyre sunite dhe gjerësisht të financuara nga Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit. Kriza në zhvillim me Turqinë mund ta përshpejtojë një kontrast të tillë, duke i vënë në provë të rëndë aftësitë ekuilibriste brilante të Putinit. Në doktrinën ushtarake vlerësohet mundësi e bashkëpunimit me Perëndimin në luftën kundër terrorizmit. Për shmangur futjen në grindje teologjike, kjo nuk kualifikohet “të markës islamike”.
Doktrina e re trajton gjerësisht aspekte të pastërta teknologjike të konflikteve të ardhshme dhe të konkurrencës strategjike globale, duke saktësuar se objektivi i Moskës është ai që të shmangë hegjemoninë globale të Shteteve të Bashkuara, duke bashkëpunuar me shtetet e tjera të BRICS-it dhe me SCO-në, që ndajnë të njëjtin objektiv. Lidhur me këtë, ngjallin preokupime doktrina e Air-Sea Battle, Global Strike, militarizimi i hapësirës, rregullimi i BMD-së amerikane. Ato do të bënin të kota ekuilibrat strategjike globale. Ceken edhe potencialitetet e dronëve, efikasiteti më i madh i infowar dhe i cyberwar, veç të tjerash theksohet nevoja për të planifikuar mobilizimin e ekonomisë e të shoqërisë, duke saktësuar që ai nuk do të zbatohej si në të kaluarën përpara shpërthimit të një konflikti, por gjatë zhvillimit të tij. Doktrina ushtarake kalon më pas në bilancin e mbrojtjes, bazë ekonomike e modernizimit të forcave të armatosura. Saktëson se vështirësitë ekonomike nuk do të shkaktojnë një reduktim të rritjes së parashikuar të tij, i konsideruar prioritet kombëtar. Në situatën aktuale ekonomiko–financiare të Rusisë paraqitet dilema “kulaç apo kërbaç”. Të paktën deklarativisht, është zgjidhur në favor të kësaj të fundit. Do të shihet se deri kur populli patriot dhe krenar rus do ta pranojë një rrudhje të mirëqenies së tij. Në sfond shikohet edhe ankthi që Rusia, e refuzuar nga Perëndimi, mos bëhet një partner i vogël i Kinës dhe se programet e modernizimit të madh ushtarak mund të mos financohen. Një aludim lidhur me vështirësitë që burojnë nga industria e armatimeve prej krizës në Ukrainë, që i furnizonte me pjesë të rëndësishme, si motorët e helikopterëve. Në “strategjinë e re” pohohet se një vështirësi e tillë do të tejkalohet si me një përpjekje import substitution, ashtu edhe me rritjen e bashkëpunimeve (dhe jo vetëm të eksporteve) në sektorin e armatimeve me Kinën dhe me Indinë. Megjithatë, mbetet dyshimi mbi kapacitetet e Kremlinit për të ruajtur ritmin e rritjes së bilancit ushtarak të parashikuar më 2007, kur çmimet e naftës dhe gazit qenë dyfishi i këtyre aktualë dhe sanksionet nuk godisnin ekonominë ruse. Doktrina e re ushtarake trajton pastaj gjerësisht rëndësinë e Arktikut, si për shfrytëzimin e resurseve të mëdha natyrore, ashtu edhe për kontrollin e “kalimit në veri–lindje”, i bërë i kalueshëm për shkak të reduktimit të kallotës polare. Lidhur me këtë janë në zhvillim riaktivizimi baza të shumta aerodetare ekzistuese në oqean qysh nga koha e Bashkimit Sovjetik dhe është krijuar një trupë speciale e pajisur për të luftuar në kushte metereologjike “limit” të rajonit. Së fundi, është krijuar një Komandë për Arktikun.
Siç u përmend, doktrina e re ushtarake nënvizon në pika të ndryshme karakterin joagresiv të masave ruse rreth përdorimit të forcës. Një interpretim i tillë është i vlefshëm edhe për të ashtuquajturën “luftë jolineare” apo “hibride”, siç mbiquhet rëndom në Perëndim. Ajo konsiston në përdorimin e koordinuar, të prirur ndaj një qëllimi strategjik të vetëm, të mjeteve ushtarake dhe joushtarake (ekonomike, diplomatike, psikologjike, kibernetike, komunikuese), të mbuluara dhe të hapura, direkte dhe indirekte, subversive dhe ushtarake, të prirura që të arrijnë një objektiv politik. Në konfliktet jolineare ekzistojnë diferenca midis paqes dhe luftës. Në botën aktuale është zhdukur “lufta në formë”, e paraprirë nga një deklarim lufte. Edicioni i ri i doktrinës ushtarake e trajton gjerësisht rrezikun e një “lufte jolineare” kundër Rusisë, domethënë të një Jevromajdan që tenton të rrëzojë regjimin e Moskës, të dobësojë sovranitetin e Federatës dhe të fitojë kontrollin e pasurive të saj. Anashkalohet disi përdorimi brilant ofensiv i një strategjie të tillë gjithpërfshirëse të përdorur në Ukrainë. Çështja ishte trajtuar më 2013 në një artikull të gjatë të Gjeneralit Valerij Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm rus. Ai dëshmon superioritetin e studimit shkencor të strukturës dhe të mekanizmave të konflikteve të armatosura, tradicional për nivelet drejtuese ushtarake cariste më parë, sovjetik më pas dhe sot rus. Ai sovjetik kishte zhvilluar komentet mbi traktatin e Carl von Clausewitz të shkruara nga Lenini lidhur me natyrën sulmuese apo mbrojtëse të luftërave. Në kundërshtim nga qasja “militarizuese” e ndjekur në Perëndim, mendimi ushtarak rus ka qenë gjithmonë global. Përdorimi i forcës trajtohet me seriozitetin që meriton, pa slogane apo apele për paqen të kota, që nuk janë vetëm instrumentale për çarmatimin kulturor të kundërshtarëve potencialë. Konfliktet nuk janë fenomene tekniko–ushtarake, por në radhë të parë janë politike, sociale dhe psikologjike. Strategjia duhet të shqyrtohet gjithmonë në globalitetin kompleks të saj. Duke parë ndërshkëmbyeshmërinë e tyre, instrumentet e ndryshëm që vë në punë përdoren në mënyrë unitare. Ajo që në çdo konflikt është më e rëndësishme është konfrontimi i vullneteve, jo prova brutale e forcës. Në realitet, edhe mendimtarët më brilantë perëndimorë, duke filluar nga Machiavelli, kishin mbështetur të njëjtat koncepte. Ata janë ndjekur pak, të paktën në mënyrë eksplicite, në organizatën kryesore të sigurisë perëndimore, Aleancën Atlantike, që i kish reduktuar sistematikisht konfliktet në dimensionin ushtarak të tyre. Një reduktim i tillë mundësonte të arriheshin dy objektiva: e bënte më të thjeshtë lidershipin e Shteteve të Bashkuara në NATO, që mund t’i jepnin vlerë superioritetit dhe domosdoshmërisë ushtarake të tyre në Europë. Në radhë të dytë, mundësonte që të denacionalizohej doktrina strategjike dhe të liheshin mënjanë diferencat në perceptime dhe interesa midis aleatëve, që buronin nga gjeografia, historia dhe ekonomia.
Sot siguria dhe mbrojtja janë rishtetëzuar, domethënë ripolitizuar. Siç ka bërë Gjenerali Gerasimov, duhet rikuperuar kultura e një sigurie në shumë aspekte e ngjashme me atë të së kaluarës, edhe për demokratizimin më të madh të strategjisë dhe të luftës, konseguente me zhvillimin e mediave globale dhe në kohë reale. Ata prodhojnë një shkallë të madhe demokratizimi të zgjedhjeve strategjike dhe detyrojnë që të rikërkohet një pjesëmarrje më e madhe nga ajo që dikur konsiderohej një prerogativë “parimore”. Është një fakt që buron edhe nga dobësimi dhe në disa rajone, edhe nga copëzimi i shteteve, pse jo edhe nga shfaqja e forcave subshtetërore. Një qasje globale ndaj konkurrencës midis shteteve dhe midis grupeve subshtetërore – tribale, etnike, fetare e të tjera – bëhet e domosdoshme për të luftuar një strategji të sofistikuar si ajo e nënvizuar në doktrinën e re ushtarake ruse. Sofistikimi i saj konsiston jo vetëm në aftësinë për të kuptuar kundërshtarin, për të ruajtur iniciativën dhe përçarë aleancat e tij. Buron edhe nga aftësia për t’i maskuar qëllimet e veta dhe të godasë papritmas e befasisht, pse jo edhe të koordinojë me operacionet strategjike betejën komunikative, të bazuar mbi dezinformacionin dhe mbi narrativa në gjendje që të godasin pikat e dobëta e kundërshtarit, të brendshme ose që të burojnë nga diferencat pashmangshmërisht ekzistuese midis anëtarëve të çdo aleance. Në strategjinë globale nuk duhet përjashtuar mundësia e “blerjes” së gazetarëve dhe e politikanëve (rasti më i njohur është ai i ish-kancelarit gjerman Gerhard Schröder që është bërë president, i paguar në mënyrë të majme, i Nord Stream, të cilin vetë ai e kishte negociuar me Moskën). Domethënë asgjë e re, përveç efikasitetit të mjeteve të reja të komunikimit, sigurisht më e madhe se ajo e burimeve të Xhozuesë në Xheriko. Për pasojë, risia e “luftës jolineare” është thjesht mit. Të gjitha luftërat kanë qenë gjithmonë jolineare. Nuk është në fakt një mit rëndësia që i atribuohet doktrinës së re ushtarake ruse. Prandaj është e nevojshme që Perëndimi të vetëdijësohet për natyrën e konflikteve dhe të mekanizmave që ato aktivizojnë dhe të jetë në gjendje, sidomos kulturalisht, t’i përballojë me një përgjigje po aq të koordinuar dhe globale sa ajo e parashikuar nga doktrina e re ushtarake ruse dhe tashmë e zbatuar shkëlqyeshëm sidomos në krizën ukrainase.
(Carlo Jean është Gjeneral Korparmate, President i Centro Studi di Geopolitica Economica, pedagog në Università Guglielmo Marconi, Link Campus University. Ka qenë këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës Francesco Cossiga. Ka qenë President i Centro Alti Studi per la Difesa. Ka qenë përfaqësues personal i Presidentit në ushtrim të OSBE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Dayton në Bosnje–Hercegovinë, Kroaci dhe Republikën Federale Jugosllave)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA