Llogaria e kasapit

325

Nuk ishte parë kurrë një gjë e kësaj natyre, as në një vend të mësuar me prapaskenat si Afganistanin. Në shtator, Presidenti demokratikisht i zgjedhur Ashraf Ghani dhe zotëria i luftës Gulbuddin Hekmatyar, kanë nënshkruar solemnisht një marrëveshje paqeje. Ghani në pallatin presidencial në Kabul, Hekmatyar, në lidhje video nga vendstrehimi i fshehtë i tij, ka mundësi në kufirin me Pakistanin. Me sa duket, kushtet janë diktuar në pjesën më të madhe nga Hekmatyar, i cili ka siguruar një post jo fort të saktësuar “ceremonial”, një vilë në Kabul dhe një rentë milionëshe. Janë arkivuar të gjitha proceset kundër tij dhe rreth 20000 milicëve të Hezbi Islami, Partisë së Zotit, ndërsa njerëzit e tij të burgosur do të lirohen. Ghani është shprehur i gatshëm që të japë një “tabelë afatesh për tërheqjen e të gjitha trupave të huaja”. Kushti i vetëm i imponuar nga Ghani ka qenë impenjimi për të respektuar Kushtetutën dhe braktisja e luftës së armatosur. Një marrëveshje avantazhuese për Hekmatyar, “kasapin e Kabulit”, që ka mundësi në Afganistan ka mbi ndërgjegjen e tij më shumë të vdekur se kushdo tjetër. Por akoma më shumë se ky rehabilitim, befasojnë reagimet që ai ka ngjallur. Vetëm Human Rights Watch ka protestuar kundër marrëveshjes, duke e quajtur një “ofendim për viktimat”, ndërsa politikanët afganas janë përshëndetur me Presidentin, që ka marrë duartrokitjet e Parisit, Londrës, dhe Berlinit. Deri Shtetet e Bashkuara e kanë quajtur marrëveshjen një “gurthemel”, megjithëse Hezbi Islami është përgjegjës për vdekjen e shumë ushtarëve amerikanë. Përpara se të transferohet në Kabul, Hekmatyar pritet që të hiqet nga lista e terroristëve ndërkombëtarë të Uashingtonit. Por ndoshta do të qëndrojë në hije derikur në Shtëpinë e Bardhë të mos hyjë Presidenti i ri. Në fund të fundit, qysh përpara se të zgjidhej, Donald Trump kish deklaruar se do t’i tërheqë trupat nga Afganistanin, duke e braktisur vendin. Marrëveshja midis Ghani dhe Hekmatyar mund të jetë një model edhe për talebanët? Lëvizja e Ghani është një akt dëshpërimi i diktuar nga dobësia apo një zgjedhje e kalkuluar? Vërtet Hekmatyar e meritonte vërtet një mundësi e dytë?

Miq perëndimorë
Herën e parë që e takova Hekmatyar qe në mesin e viteve Tetëdhjetë. Pushtimi sovjetik i Afganistanit në fund të 1979 e kishte përmbysur politikën ndërkombëtare, por as Shtetet e Bashkuara, as muxhahedinët afganas nuk donin të dorëzoheshin. Shtatë liderë rebelësh, midis të cilëve Hekmatyar, u bënë aleatë kundër fuqisë pushtuese. Edhe pse alternoheshin çdo 3 muaj në krye të aleancës, raportet midis forcave të rezistencës qenë menjëherë të qarta. Myslimanët e moderuar në mërgim nuk mund të konkurronin me fondamentalistët. Nëpërmjet ISI-t (shërbimeve sekrete pakistaneze), CIA kishte filluar të furnizonte rebelët me armë për një vlerë prej disa qindra milionë dollarësh dhe Arabia Saudite, kishte premtuar të bënte njëlloj. Pjesa më e madhe e këtyre ndihmave do t’i takojë Hekmatyar dhe trupave të tij. “Pse pikërisht ju?”, e pyeta në shtabin qendror shumë të survejuar të tij afër Peshavarit në Pakistan. “Sepse unë jam kundërshtari më i fuqishëm i rusëve. Dhe i vetmi që nuk është korruptuar”, m’u përgjigj. Hekmatyar ishte një burrë i gjatë dhe i hollë, me një mjekërr të gjatë të zezë dhe sytë e hirtë të ftohtë. Më rrëfeu krenar për takimet e tij të shpeshta me Bill Casey, drejtorin e CIA-s, dhe me Princin Turki al Faisal, kreun e shërbimeve sekrete saudite, por në zërin e tij ndjehej një përçmim i caktuar. “Derikur t’i bëjnë mirë kauzës së çlirimit, pranojmë ndihma të çdo lloji. Objektivi ynë është të vrasim numrin më të madh të mundshëm të pushtuesve dhe t’i detyrojmë që të tërhiqen”.
Kur ishte fëmijë Hekmatyar, që vjen nga një familje e shtresës së mesme, ishte magjepsur nga shkrimet e Vëllazërisë Myslimane, organizatë e themeluar nga egjiptiani Sayyid Qutb. Kërcënonte që t’u hidhte acid në fytyrë grave që guxonin të shfaqeshin pa perçe. Vrau një shok universiteti maoist dhe përfundoi në burg, por doli pas pothuajse 2 vjetësh. Xhihadi ishte vokacioni i tij, por pa arsim dhe pa paraishte edhe mundësia e vetme e tij. Hekmatyar udhëhoqi personalisht disa aksione të rrezikshme guerrilase kundër rusëve në malet qendrore të Afganistanit. Për politikanët perëndimorë, kushdo që luftonte kundër rusëve ishte hero. Hekmatyar shkoi në Gjermani dhe u prit nga liderët e të gjitha partive. Në Kongresin e Shteteve të Bashkuara ai dhe aleatët e tij u krahasuan deri me Etërit Themelues amerikane. Por Hekmatyar i zhgënjeu mbrojtësit e tij: refuzoi për të marrë pjesë në një takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, sepse shfaqja bashkë me Ronald Reagan do ta kishte diskredituar luftën e tij për pavarësi. Me t’u kthyer në atdhe, dënoi me vdekje dy gazetarë të huaj që i konsideronte prosovjetikë. Nisi të bashkëpunojë me një saudit, të cilin e konsideronte si mjeshtër: Usama bin Laden. Në 1989, kur Ushtria e Kuqe u tërhoq nga vendi, brutaliteti i Hekmatyar nisi të drejtohej nga ish aleatët e tij. Kreu një fushatë të pamëshirshme ndaj cilitdo që pengonte ngjitjen e tij në pushtet dhe amerikanët konkluduan se as ata nuk mund ta kontrollonin më. CIA e konsideronte Hekmatyar si një të çmendur që kishte maninë e pushtetit, por u demonstrua më largpamës se amerikanët. Në fillimin e viteve Nëntëdhjetë, në kulm të luftës civile, kreu i Hezbi Islami përdori armët e dhëna nga Shtetet e Bashkuara për të mbjellë terror midis civilëve. Viktimat qenë me mijëra. Për disa muaj, Hekmatyar qe kreu i qeverisë në Kabul dhe vendosi rregulla të hekurta. Gratë duhej të dilnin krejtësisht të mbuluara, vajzat nuk mund të shkonin më në shkollë. Deri qeveria pakistaneze, që e kishte mbështetur pa kushte Hekmatyar, u çorientua nga ekstremizmi i tij. Islamabadi nisi të mbështesë një forcë të re: talibanët, “studentët e Kuranit” e arsimuar në medresetë pakistaneze. Islamabadi mendonte se mund t’i kontrollonte lehtësisht, por gabohej. Në shtator të 1996 talibanët pushtuan Kabulin dhe ndaluan edhe muzikën dhe vallëzimin. I dhanë strehim bin Ladenit e al Qaedas dhe siguruan bazat për të organizuar atentate jashtë vendit. Hekmatyar nuk kishte më asnjë rol. E kishte humbur luftën për pushtet dhe u largua në Iran.

Një mërgim borgjez
Në tetor të 2001, pak kohë pas sulmit ndaj World Trade Center, e takova sërish Hekmatyar. Amerikanët sapo kishin nisur të bombardonin Afganistanin. Një mik më çoi në vendstrehimin e fshehtë e Hekmatyar, një shtëpi në periferi të Teheranit: lule dhome, tenda të qendisura, një shami mbi komodinë dhe sipër, si libër i vetëm, Kurani. Një mjedis pabesueshmërisht mikroborgjez për një revolucionar. “Amerikanët duan të vendosin në Kabul një regjim kukull, atentatet e Nju Jorkut janë vetëm një pretekst”, më tha. “Duan ta bëjnë Afganistanin një Izrael tjetër në Azinë Qendrore. Mund ta bombardojnë sa të duan, nuk do të arrijnë ta bëjnë kurrë. Kanë rënë në kurth si rusët apo ndoshta edhe më keq. Do të kenë nostalgji për Vietnamin”. Hekmatyar e quajti bin Ladenin “një luftëtar të drejtë dhe një shok të mirë”. “Sot nuk turpëroheni që keni pranuar ndihmat e CIA-s, kur luftonit kundër sovjetikëve?”, e pyeta. “Absolutisht jo”, m’u përgjigj. “E kam thënë gjithmonë se i konsideroja të pabesa Shtetet e Bashkuara dhe të fëlliqur po aq sa Rusia, por në Uashington shtireshin sikur nuk dëgjonin”. E përfundoi bisedën me tonin e ftohtë të zakonshëm, duke shtuar se shpejt do ta linte Iranin për t’u kthyer në atdhe: të gjithë afganasit duhej të bashkoheshin kundër armikut të huaj.
Afërsisht 3 muaj pas 11 shtatorit, talebanët u përzunë nga Kabuli dhe Shtetet e Bashkuara instaluan një qeveri properëndimore të drejtuar nga Hamid Karzai. I interesuar për rënien e talebanëve dhe që të ruante marrëdhënie të mira me fqinjët, Irani i kërkoi Hekmatyar ta linte Teheranin. Amerikanët kërkuan me çdo mënyrë ta neutralizonin. Në maj të 2002 një raketë Hellire e dështoi për pak objektivin. Në 2003, Uashingtoni vuri një çmim prej 5 milionë dollarësh për Hekmatyar, i cili sapo kish apeluar xhihadin kundër Shteteve të Bashkuara dhe shpallur aleancën me bin Ladenin. Më pas u mburr se kishte marrë pjesë në një operacion dramatik për të ndihmuar liderin e al Qaedas, që të largohej nga shpellat e Tora Boras. Por në vitet më pas, organizata e tij humbi influencë. Herë pas here Hezbi Islami kryente ndonjë sulm spektakolar kundër ushtarëve amerikanë apo përfaqësuesve të pushtetit në Kabul, por talebanët u bënë forca dominuese e guerriljes dhe përfunduan duke e prishur aleancën.
Atëhere Hekmatyar adoptoi një strategji të dyfishtë: e ndau organizatën e tij në një krah ushtarak dhe në një politik. Nga fillimi i kësaj dekade, eksponentët e Hezbi Islami mund të kandidojnë në Parlament dhe të marrin poste qeverisëse. Njëri është bërë deri ministër Arsimi. Tani Hekmatyar ka hequr dorë formalisht nga armët, por a është e mundur t’i besohet atij? Do ta pranojë faktin që në Kabul gratë mund të mbajnë poste të larta dhe në disa rajone vajzat frekuentojnë shkollën me të njëjtat të drejta si djemtë?
Jo gjithçka nuk shkon keq në Afganistanin e ri. Gjatë 15 viteve të fundit mosha mesatare është rritur nga 45 në 65 vjeç dhe vdekshmëria foshnjore është ulur nga 25 në 10 për qind. Megjithatë, pjesa më e madhe e 60 miliardë dollarëve ndihmë të huaj kanë përfunduar në xhepat e politikanëve. Në Treguesin e Korrupsionit të hartuar nga Transparency International, Afganistani është në vendin e 166-të, përpara vetëm Somalisë dhe Koresë së Veriut. Ndihmat ushtarake kanë qenë akoma edhe më të mëdha dhe kanë dhënë rezultatet akoma edhe më brengosëse. Kabuli është bërë një qytet më i hapur e më tolerant, por siguria e qytetarëve është katastrofike: në çdo moment, përpara çdo zyre apo komisariati policie, mund të shpërthejë ndonjë bombë. Kohët e fundit talebanët kanë sulmuar konsullatën gjermane në Mazar-i-Sharif dhe bazën ushtarake amerikane në Bagram. Sipas Kombeve të Bashkuara, 2015 ka qenë viti me numrin më të lartë të viktimave civile të pasluftësa: 11002 të vdekur. Nëse një vend ka përjetuar kaq shumë kriza, nëse një qeveri gjendet me shpatulla pas muri, mund edhe të rriskojë një hap të pazakontë si i bërjes së një pakti me djallin. Hezbi Islami mund të ndjekë rurgën e IRA-s irlandeze, krahu politik i së cilës, Sinn Féin, është transformuar në një parti të respektuar. Shpresa e Presidentit Ashraf Ghani është që rehabilitimi i Hekmatyar të mund të lehtësojë traktativat me pjesën e moderuar të talebanëve. Sipas më optimistëve, në fund të këtij procesi mund të arrihet në një konferencë të të gjitha forcave afganase dhe në një qeveri të unitetit kombëtar.

Optimizëm i dëshpëruar
Nga një oportunist i paskrupull si Hekmatyar mund të pritet çfarëdo lloj surprize. Por objektivi i parë i tij do të jetë tërheqja e forcave të huaja dhe rikthimi i Afganistanit afganasve. Për sa shumë prej bashkëkombasve të tij e urrejnë dhe ia kanë frikën, kërkesa e tij prek një nerv të zbuluar. Pjesa më e madhe e afganasve nuk e ka ndjesinë se mund ta vendosë fatin e vet. Edhe ata që frymëzohen nga demokracia perëndimore e konsiderojnë arrogante tentativën e imponimit të një modeli të huaj. E dinë që në vendin e tyre për të qenë i mbështetshëm një sistem qeverisës, ai duhet të mbajë parasysh traditat. Nuk e kuptojnë se pse ndihmat e Perëndimit përfundojnë gjithmonë tek politikanët e korruptuar dhe asnjëherë tek shoqëria civile. Kështu që anipse sulmet e talebanëve shkaktojnë frikë, afganasve u ka ardhur në grykë nga “dëmet kolaterale”. NATO-ja ka vrarë padashje qindra njerëz dhe ka bombarduar gabimisht ceremoni martese. Me 3 tetor 2015 një sulm i pashpjegueshëm ajror amerikan kundër një spitali të Mjekëve Pa Kufi në Kunduz, ka vrarë 42 njerëz. Por edhe duke dashur ta konsiderosh rehabilitimin e Hekmatyar në optikën e realpolitikës, është gjithsesi kthimi i një vrasësi dhe kjo ngre pikëpyetje që shkojnë përtej situatës afganase: Kush përveç Hekmatyar duhet të gjykohet nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës? Në Kabul, pritja përzihet me frustrimin, me frikën dhe me atë dritë shprese që afganasit duket se nuk e humbasin kurrë. “Lufta sjell vetëm shkatërrim”, thotë Ahmed Gailani, Presidente i High Peace Council, i ngarkuar me traktativat me talebanët. “Të gjitha grupet që luftojnë kundër qeverisë duhet të marrin shembull nga Hezbi Islami dhe t’i bashkohen procesit të paqes”. Një shprehje që tingëllon dëshpërueshmërisht optimiste.

Biografia
◆ 1947 U lind në provincën e Kunduzit.
◆ 1972 Arrestohet për vrasje.
◆ 1975 Themelon grupin xhihadist Hezbi Islami.
◆ 1979 Merr pjesë në rezistencën antisovjetike.
◆ 1993 Bëhet kryeministër.
◆ 1997 Arratiset në Iran.
◆ 2002 I përzënë nga Irani, kthehet në Afganistan dhe bëhet aleat me talebanët.
◆ 2016 Nënshkruan një marrëveshje paqeje me qeverinë afganase.

(Erich Follath për Die Zeit)

Përgatiti
ARMIN TIRANA