Kush është Rex Tillerson, inxhinieri i Donald Trump?

403

Më së fundi. Më së fundi “ethja” për postin e sekretarit të Shtetit është zgjidhur dhe po t’u qëndrosh sa ka shkruar “Wall Street Journal”, ajo ka rënë mbi të parin e listës midis kandidatëve të shumtë. Midis emrave të njohur që Rex Tillerson ka kaluar kanë qenë Mitt Romney, sfidant në primaret republikane dhe i pëlqyeri i partisë, më pas protagonist takimesh të ndezura me presidentin e sapozgjedhur, shpresa e të gjithë atyre republikanëve që e kanë urryer Trump si kandidat. Pastaj David Petraeus, gjenerali intelektual i vlerësuar për të cilin ishte folur shumë këtyre ditëve të fundit dhe Bob Coker nga Tennessee, presidenti ekspert i Komisionit të Jashtëm të Senatit.
Është emërimi më trumpian i një qeverie ku nuk mungojnë, sidomos në pikat nevralgjike, elementë vijueshmërie me administratën Obama dhe duar të zgjatura ndaj establishmentit të urryer republikan. Zotëria i naftës që transformohet në krye të diplomacisë amerikane pa ditur asgjë lidhur me protokollet, por duke ditur goxha shumë për biznesin global dhe marrëveshjet transkombëtare me marzhe të mëdha fitimi, është një mishërim shumë i pastër i trumpizmit dhe i kontradiktave të tij. Është Tillerson që i takon detyra madhore e shkurtimit të urëve me gjeninë e famshme të politikanëve “all talk, no action” duke shëtitur botën për ta bërë të madhe Amerikën, ashtu siç e ka bërë të madhe kompania bijë e shtëpisë së njohur të Rockefeller. Në vitin 2015 Exxon ka arkëtuar pothuajse 269 miliardë dollarë.
Ironia është se më trumpiani i anëtarëve të ekzekutivit nuk e ka mbështetur gjatë fushatës elektorale, duke preferuar në vend të tij Jeb Bush që është “low energy” në skenë, por nga energjia kupton prej përkatësisë familjare. Për faktin që janë vëllezër nga Texas, të dy kuptohen dhe Tillerson merret vesh edhe me të gjithë kandidatët republikanë të establishmentit që i ka financuar bujarisht në vite.
Sekretari i Shtetit i administratës Trump është një mbështetës i Marrëveshjes së Parisit (Trump është kundër), është në favor të zonës së shkëmbimit të lirë të vendeve të Paqësorit (Trump është kundër), mbështet Common Core (Trump është kundër), gjykon kërcënimin e ndryshimeve klimaterike të shkaktuara nga njeriu si “real” dhe “serioz” (Trump po e mendon) dhe është një boy scout (Trump i ka bërë boy scout donacionin më të vogël të karrierës modeste të tij prej filantropi: 7 dollarë).
Disa vite më parë në Council on Foreign Relations ka ilustruar pozicionin e tij kundër izolacionizmit që predikon presidenti i sapozgjedhur: “Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë të ashtuquajturën pavarësi energjetike në një tentativë iluzive për ta izoluar vendin nga impakti i ngjarjeve globale mbi ekonominë apo duhet të ndjekin rrugën e përfshirjes ndërkombëtare, duke kërkuar rrugë të reja për të konkurruar në tregun global të energjisë? Besoj se duhet të zgjedhim një përfshirje më të madhe ndërkombëtare”.
Zgjedhja e Tillerson ka pamjen e një kthese ndaj pozicioneve realiste dhe pragmatike më shumë se të një koncesioni ndaj idealit të America First. Kanë qenë Steve Bannon dhe Jared Kushner, diarkia transversale që duhet vëzhguar në qoftë se kërkon të kuptosh trumpizmin, që kanë shtyrë për emërimin e supermenaxherit që njihet para së gjithash për lidhjet e tij me Vladimir Putin, çështje biznesi midis lojtarësh të mëdhenj të energjisë që kundërshtarët pëlqejnë ta paraqesin si një diçka perverse. John Hamre, administrator i deleguar i një think tank, në të cilin Tillerson është këshilltar, thotë se sekretari “ka kaluar më shumë kohë me Putinin se çdo amerikan tjetër përjashto Henry Kissinger” dhe fytyra e kënaqur e menaxherit në shoqërinë e Putinit në dhënien e një çmimi prestigjioz miqësie është përhapur kudo sapo emri i tij ka nisur të qarkullojë. Njeriu i tij i besuar në Kremlin është i kudondodhuri Igor Sochin, Presidenti i Rosneft dhe këshilltar që pëshpërit në veshin e Vladimirit indikacionet më konservatore. Po t’u besosh komenteve në Twitter të Michael McFaul, ish-ambasadorit amerikan në Rusi (një njeri që e ka gjuhën e gjatë dhe për këtë arsye i është ndaluar hyrja në Rusi), të dy menaxherët janë “shumë të afërt me njëri-tjetrin”.
Dy janë emrat për postin shumë të rëndësishëm të zëvendësit të tij. I pari është John Bolton, diplomat i linjës shumë të ashpër (zgjedhja më e mundshme sipas “NBC”-së): për shembull, është i bindur se zgjidhja e vetme në diskutimin me Iranin është ndërmarrja e rrugës për një regime change të ajatollahëve, jo maksimumi për një njeri që me hir apo me pahir do ta gjejë të arkivuar marrëveshjen me të cilën Presidenti në ikje Obama e ka rikualifikuar diplomatikisht Teheranin në shkëmbim të një ngrirjeje të programit bërthamor. Emri tjetër është ai i Richard Haass, drejtor i fuqishëm i Council on Foreign Relations, një prej intelektualëve të politikës së jashtme më të vlerësuar nga Trump.
Tillerson, që në kompaninë Exxon ka hyrë si inxhinier prodhimi në vitin 1975, ka qenë kreu i një dege ruse të kompanisë dhe ka negociuar kontrata eksploruese në zonat e Arktikut të kontrolluara nga Rusia, ka luftuar fort për revokimin e sanksioneve ndaj Moskës, instrument që në përgjithësi gjykohet si joefikas. Një ndarje e pastër me një administratë si kjo e Obamës që i ka menaxhuar raportet me kundërshtarët nëpërmjet sokëllimës së sanksioneve, me rezultate mjaft modeste. Askush nuk është më i përgatitur se ai për të rindërtuar raportet me Moskën, prioritetin gjeopolitik e administratës Trump.

Përgatiti: ARMIN TIRANA