Këshilltarët e PD më afër qytetarëve

Këshilltarët e zgjedhur të Partisë Demokratike në Këshillat Bashkiakë angazhohen për një politikë më afër qytetarëve që ata përfaqësojnë. Fondacioni pёr Liri dhe Demokraci në bashkëpunim me Hanns-Seidel-Stiftung zhvilloi disa takime konsultative me mbi 200 këshilltarë të zgjedhur për të ndarë me ekspertët më të mirë të vendit mbi mirëadministrimin e bashkive, rolin e tyre për të rritur ndërgjegjen qytetare, afrimin dhe ngritjen e zërit të qytetarëve. Në takimin e fundit përmbyllës në qytetin e Kavajës, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani kërkoi nga të zgjedhurit demokratë të jenë më afër interesave të qytetarëve dhe të kthehen në zëdhënës së jetës së tyre të përdishme.
“Ne do të vijmë në pushtet vetëm në bazë të parimeve, të njerëzve të punës, të vlerësimit të djersës, të drejtësisë dhe jo mbi hajdutërinë, shpërdorimin e parasë publike, por me parimet që ka ecur çdo komb në botë. Ju si këshilltarë bashkiakë që jeni si deputetët e bashkive dhe qyteteve tuaja, është një detyrë e madhe që ne të ngrejmë frymën e fitores së Partisë Demokratike, dhe kjo bëhet me bazën e besimit. Besimi fitohet, duke u treguar njerëzve shembullin e përgjegjshmërisë, shembullin e punës, shembullin e njerëzve të aftë, të atyre që punojnë dhe interesohen për hallet e vendit. Ne do të vijmë duke i siguruar njerëzit se do të ringrejmë ekonominë shqiptare, që në pushtetin e Partisë Demokratike nuk do të ketë më qytetarë që do të vuajnë për bukë, për drita dhe për ujë, siç po vuajnë sot”, tha Ristani.
Drejtori i Departamentit të Pushtetit Vendor pranë PD-së, Adrian Turku, deputetja Dhurata Çupi dhe ekspertë të tjerë analizuan pushtetin vendor në Shqipëri. Diskutimet me këshilltarët bashkiak evidentuan se reforma e re territoriale nuk arriti të përmbushte shumë prej qëllimeve që ajo synonte të arrinte, ku ndër to ishte dhe efektshmëria e qeverisjes lokale me një numër më të vogël bashkish, më shumë shërbime cilësore dhe më pak shpenzime administrimi.
Për sa i përket fondeve të kushtëzuara nga qeverisja qëndrore, të cilat jepen në formë granti për investime në komunitetet lokale, shpërndarja e tyre është në kundërshtim me metodologjinë e parashikuar dhe në kuadrin ligjor, por mbi të gjitha në mënyrë preferenciale dhe aspak gjithpërfshirëse. Shkodra merr pothuajse 15 herë më pak fonde se Korça për çdo 1.000 votues, Pogradeci merr 12 herë më pak fonde se Divjaka dhe pse ka 30.000 banorë më shumë, 4 herë më pak se Kolonja dhe pse 45.000 banorë më shumë. Shembujt janë me dhjetëra, reforma e pushtetit vendor ishte marrja peng e demokracisë lokale për interesa partiake, korruptive e klienteliste.