Këlni me shifra mbrojtëse si Bajerni, kryegolashënuesi: Falë Mavrajt!

Sulmuesi francez i Këlnit dhe njëkohësisht golashënuesi më i mirë i skuadrës me 12 gola, Antoni Modeste, ka lavdëruar shokun e tij të skuadrës, Mërgim Mavrajn, për paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni. “Mërgimi ka fituar shumë besim në vetvete. Ai është një futbollist shumë i rëndësishëm për ne dhe një kundërshtar aspak i preferuar”, tha Modeste, gjatë inaugurimit të një dyqani sportiv ku disa prej futbollistëve të Këlnit ishin të pranishëm.
Në këtë sezon në Bundesligë, Këlni ka pësuar vetëm 8 gola në 12 ndeshje, po aq sa Bajerni, duke mbajtur së bashku pozicionin mbrojtjes më të fortë të Gjermanisë. Në këtë fundjavë, Këlni do të ndeshet në transfertë përballë Hofenhajmit, një nga dy ekipet e pamposhtura ende bashkë me Lajpcigun.