Katastrofa që pret Korçën nga TEC-i me torf

Më 24 nëntor 2016, qytetarët e zonës së Maliqit në Korçë firmosën një peticion për pezullimin e projektligjit për ndërtimin e një TEC-i me torf në këtë zonë. Sipas ekspertëve të mjedisit, termocentrali do të prodhojë rreth 50 milionë tonë hi dhe jetesa në këtë fshat do të bëhet e pamundur.
Qeveria Rama në vitin 2014 bëri një projektvendim për kthimin e 288 hektarë tokë bujqësore në zonë minerare me qëllim ndërtimin e TEC-it.
Gjatë seancës plenare në nëntor të 2014, akuzave të vazhdueshme të opozitës, zëvendëskryeministri Niko Peleshi iu përgjigj:
Është vendim i qeverisë me iniciativën e Ministrisë së Energjisë për t’i dhënë të drejtën Ministrisë së Energjisë të analizojë zonën torfike prej më shumë se 200 hektarësh në zonën e ish-kënetës së Maliqit. Është një zonë jo prodhuese, gjithmonë e përmbytur, një zonë torfike. Torfa digjet në vetvete vazhdimisht. Nëse e vini re tymin dhe ndotjen që i shkaktohet sot asaj zone nga torfa do ta dinit pak më mirë.
Unë jam i pari që kundërshtoj ndërtimin e një termocentrali, i cili do të digjte torfë dhe do të dëmtonte mjedisin, sepse ajo do të ndoste ajrin dhe do të ishte kundër standardeve ndërkombëtare dhe të gjitha konventave tona. [….] Ministria kërkoi leje për të studiuar torfën, nëse është e vlefshme si burim energjie […] dhe për t’i dhënë një zgjidhje përmbytjeve në këtë zonë.
Zoti Peleshi pranoi se qeveria nuk ka asnjë plan për ndërtimin e TEC-it në Maliq, i cili do të shkelte standardet ndërkombëtare të mjedisit, por Ministria e Energjetikës kërkon vetëm të bëjë një vlerësim nëse torfa është apo jo një burim energjie i vlefshëm.
Këto dy deklarata të zëvendëskryeministrit bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Nëse qeveria nuk planifikon të ndërtojë një TEC, atëherë përse i duhet ministrisë ky studim?
Ose ministria po shpenzon paratë publike kot ose qeveria po planifikon të ndërtojë me të vërtet një të tillë. Dhe deklaratat e zotit Peleshit, ndoshta, ishin vetëm një gënjeshtër e thënë në sallën e Kuvendit për qytetarët.
Po të lexojmë projektligjin, i cili pritet të miratohet në Kuvend, duket se qeveria po planifikon më shumë se sa thjesht një leje për të analizuar torfën për Ministrinë e Energjetikës.
Neni tre i projektligjit për “Miratimin e ndryshimit të statusit të një toke bujqësore, me sipërfaqe 288.4 ha, në zonë minerare, për shfrytëzimin e torfave për prodhimin e energjisë elektrike”, parashikon se ndryshimi i statusit të tokës nga bujqësore në minerare bëhet atëherë kur një kompani private është licencuar më parë për shfrytëzimin e torfës si burim energjie, nga ministria.
Në të shkruhet se:
Ndryshimi i statusit të tokës bujqësore i fillon efektet pas përfundimit të procedurave të licencimit, nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, për shfrytëzimin e torfave për prodhimin e energjisë elektrike.
E vetmja arsye pse një kompani private mund të kërkojë leje “për shfrytëzimin e torfës për prodhimin e energjisë” nga Ministria e Energjetikës, është sepse planifikon të djegë torfë.
Dhe duke qenë se në Shqipëri mungon një i tillë, me siguri qeveria ka menduar ta ndërtojë edhe kundër standardeve mjedisore, por si gjithmonë në favor të interesave të privatit.

Një ndotës natyral

Torfa është një burim natyral që ndot mjedisin dhe prodhon energji. Torfa mund të përdoret si burim për të prodhuar elektricitet. Djegia e torfës çliron në ajër emetime të karbonit, në vlera disa herë më të larta se qymyrguri ose linjiti.
Një termocentral me torfë në Shqipëri do të rriste nivelin e mbetjeve të karbonit.
Sipas Protokollit të Kyotos, Shqipëria është një nga të paktat vende evropiane, e cila nuk ka bërë asgjë për të ulur emetimet e dioksidit të karbonit.
Gjithashtu, vendi jonë nuk ka ratifikuar as Amendamentet Doha, të cilat rregullojnë emetimet e karbonit deri në vitin 2020.

“Exit.al”