Italia mes pasigurive politike dhe ekonomike

Kryeministri italian, Matteo Renzi u takua me presidentin Sergio Mattarella të hënën për të diskutuar mbi dorëheqjen e tij pas humbjes së thellë në një referendum mbi reformat kushtetuese.
Zoti Renzi ra dakord të mos e japë dorëheqjen para se të miratohet buxheti, që pritet brenda dy ditëve të ardhshme.
41-vjeçari Renzi pranoi humbjen dhe shpalli dorëheqjen në një konferencë të shkurtër dhe emocionale për shtyp, brenda dy orësh pas mbylljes së qendrave të votimit.
Lëvizja populiste Pesë Yjet e udhëhequr nga komediani Beppe Grillo, që ishte në krye të fushatës kundër referendumit, bëri thirrje – ashtu si edhe forcat e tjera të opozitës – për zgjedhje të parakohshme, pasi zoti Renzi deklaroi dorëheqjen.
“Është koha për të bashkuar vendin që u përça nga referendumi dhe për të deklaruar zgjedhje të parakohshme, si edhe për të marrë një vendim”.
Lëvizja Pesë yjet është rivalja kryesore e demokratëve të zotit Renzi dhe po bën të gjitha përpjekjet për të arritur sukses në skenën politike kombëtare për herë të parë.
Pjesëmarrja prej 67 për qind ishte veçanërisht e lartë për një referendum dhe më e ngjashme me një pjesëmarrje për votim në Parlament. Rreth 60 për qind e italianëve që hodhën votën, ishin kundër reformës.
Senatori Lucio Malan, i grupit Forza Italia, tha se hapat e mëpasshme do të varen nga zoti Renzi megjithëse po jep dorëheqjen, sepse është udhëheqësi i partisë më të madhe.
“Shpresoj që zgjidhja të jetë një kabinet i ri dhe një ligj i ri zgjedhor, sepse aktualisht falë kryeministrit Renzi kemi dy variante krejt të ndryshme ligji në Dhomën e Ulët dhe në Senat, gjë që e bën një qeveri të re pothuajse të pamundur pas zgjedhjeve. Prandaj na duhet një ligj i ri, në muajt në vazhdim dhe pastaj të kemi zgjedhje të reja siç ndodh shpesh në një demokraci”.
Italianët reaguan kur u bë e qartë që ndryshimet kushtetuese u hodhën poshtë.
“Mendoj se jemi një vend që dimë shumë mirë të shkatërrojmë, kemi prirjen të bashkohemi për të prishur anijen që po ndërtohet. Tani duhet të presim për anijen tjetër, por nuk mund të vazhdojmë kështu përgjithmonë”, thotë Stefania Falcone.
“Ne fituam. Nuk mund të vazhdonim më ashtu. Populli italian nuk duron dot më. Ata vendosën për ndryshim dhe e shprehën në këtë mënyrë. Nëse nuk e kuptojnë mesazhin, ne do t’i bëjmë që ta kuptojnë”, thotë një banor.
“Është shumë e vështirë. Për momentin nuk shoh asnjë udhëheqës që të spikasë. Nuk jam e frymëzuar të votoj për asnjë prej tyre”, thotë një banore.
Vendimi i zotit Renzi për të dhënë dorëheqjen është një goditje edhe për Bashkimin Evropian, që është në mes të disa krizave dhe që po përpiqet të frenojë fuqizimin e forcave politike me pikëpamje të skajshme që kanë tronditur botën perëndimore këtë vit.
Matteo Salvini, udhëheqësi i Partisë Lidhja Veriore në Itali, një forcë antiimigracion, aleat i udhëheqëses së të djathtës së skajshme në Francë, Marie le Pen, iu referua këtyre zhvillimeve kur e lidhi rezultatin e referendumit, me prirjet politike që janë shfaqur në Evropë.
“Është e qartë se përsa i përket Evropës, qëndrimi italian nuk është më që t’i shërbejnë Bashkimit Evropian, por të veprojmë si të barabartë. Ne do të jemi të rëndësishëm për ata që duan të jenë aleatët tanë. Asnjëherë më qeveri me këta socialistë të Bashkimit Evropian. Kjo është e qartë. Asnjëherë më shërbëtorë të një monedhe të gabuar ose një sistemi bankar të çmendur”.
Por zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, shprehu një qëndrim të ndryshëm në Bruksel.
“Ne mendojmë se referendumi në Itali ishte për një ndryshim në Kushtetutën italiane, nuk kishte lidhje me Evropën”.
Zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel tha se asaj i vjen keq për dorëheqjen e zotit Renzi, pasi kishte pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të, por shtoi se vendimi demokratik i votuesve italianë duhet respektuar.
Përmes referendumit zoti Renzi, donte të zëvendësonte dhomën e sipërme të Parlamentit, Senatit, me një dhomë të përfaqësuesve rajonalë, që do të kishin shumë më pak kompetenca.
Ai ishte shprehur se ndryshimet do t’i jepnin fund bllokimeve të Parlamentit dhe do ta nxirrnin ekonominë nga stanjacioni i gjatë. Por kundërshtarët kishin thënë se ato do të dobësonin demokracinë dhe do të përqendronin shumë pushtet në duart e kryeministrit.