INSTAT: Eksportet në rënie me 3.5%

Totali i eksporteve arriti në 199 miliardë lekë për 10 muajt e këtij viti, me një rënie prej 3.5% në raport me të njëjtën periudhë, sipas të dhënave nga INSTAT. Tkurrja e grupit “lëndë djegëse, minerale dhe energji”, është arsyeja kryesore që po ndikon në këtë trend negativ të eksporteve, ndërsa po amortizohet dukshëm nga ecuria e mirë e grupit “tekstile dhe këpucë”.
Gjithsesi, për të tretin muaj radhazi, eksportet kanë shënuar tendencë rritëse, duke ngadalësuar ritmet e rënies, nga -6.6% për 7-mujorin në -5.3% për 8-mujorin, -4.6% për janar-shtator dhe -3.5% për 10-mujorin (me bazë vjetore). Në tetor është konstatuar rritje e eksporteve edhe për grupe që kishin qenë për muaj radhazi me rënie, si për shembull, ai i metaleve dhe materialeve të ndërtimit.
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 89 miliardë lekë, me një zgjerim prej 19% me bazë vjetore, duke ngadalësuar lehtë ritmet e rritjes. Aktorët e tregut pohojnë se ka një interes të lartë nga kompanitë e huaja, jo vetëm italiane, për të punuar me kontraktorët shqiptarë, ndonëse industria po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostove. Për periudhën janar-tetor, eksportet e këtij grupi përbënin 45% të totalit, nga 36% në të njëjtën periudhë të 2015-s, duke u bërë sërish segmenti më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” ranë me 36% për 10-mujorin, në 36 miliardë lekë. Pavarësisht se çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur në rreth 50 dollarë për fuçi, ky grup nuk po arrin të ndalë rënien, teksa aktorët e tregut pohojnë se tregu mbetet i dobët dhe nuk ka interes për naftën shqiptare. Eksportet e naftës pritet të bien edhe më tej pas marrëveshjes së Bankers Petroleum, prodhuesit më të madh në vend, për t’i shitur një pjesë të konsiderueshme të prodhimit kompanisë IRTC, që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë e naftës ARMO, marrëveshje që është bërë efektive nga nëntori, sipas burimeve nga Bankers.
Shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve vijojnë të jenë me tkurrje (-16% për 10-mujorin) për të arritur në 26 miliardë lekë, si rrjedhojë e daljes nga tregu të prodhuesit të çelikut, Kurum. Megjithatë, në tetor, në një sinjal pozitiv, eksportet e këtij grupi u rritën për herë të parë këtë vit me gati 12%.
“Ushqimet, pijet dhe duhani”, për 10-mujorin u rritën me 23%, për të arritur në rreth 20 miliardë lekë, duke marrë veten, pas ecurisë së dobët në shtator.
Grupet e tjera kanë shitje të ulëta dhe nuk kanë arritur të shënojnë ndonjë lulëzim këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluar kur eksportet e makinerive e pajisjeve dhe ato të prodhimeve të drurit dhe letrës shënuan rritje dyshifrore.

“Monitor”