I Çmenduri ka çmendur vendin/ Drama e depresionit, tre të vrarë vetëm dje

Drama shqiptare e vrasjeve dhe vetëvrasje nga depresioni dhe dëshpërimi për shkak të krizës ekonomike thellohet nga dita në ditë. Vetëm ditën e djeshme u vranë tre persona në Tiranë, Kavajë dhe Golem. Në Tiranë u gjet i therur me thikë në fyt një i moshuar. I moshuari u gjet rreth orës 06:35 të mëngejsit të djeshëm poshtë urës së Lanës i mbuluar me gjak. Viktima u identifikua si Hekuran Zeqo, 71 vjeç, ndërsa policia tha se dyshon se ai është vetëvrarë, duke u prerë me thikë në fyt. Eshtë absurd se si mund të presë fytin me thikë deri në vdekje një i moshuar?! Por policia për t’iu shmangur përgjegjësisë së rritjes së kriminalitetit bën deklarata për vetëvrasje. Bëhet e ditur se i moshuari jetonte në zonën e Xhamllikut në kryeqytet, me bashkëshorten, por mbetet ende mister pse ka zgjedhur t’i japë fund jetës në këtë mënyrë.
Ndërsa një person u vra pas një konflikti të ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Cikallesh të Kavajës. Burimet e policisë bënë të ditur se, është vrarë shtetasi Fatmir Çeletaj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, ku viktima është përleshur me mjete të forta me Qamil Çeletaj, me të cilin ka lidhje gjaku.
Sherri brenda fisit Çelataj mësohet se ka ndodhur për shkak të një lisi. Personat e përfshirë në ngjarje mësohet se kishin kohë që ishin në sherr për lisin, që ka sjellë dje edhe një viktimë. Po ashtu nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur edhe një tjetër person. Ai është Vilson Isufi, i cili është dërguar në Spitalin e Tiranës për të marrë ndihmën mjekësore. Eshtë për t’u theksuar se për konfliktin disa mujor mes dy kushërinjve Çeletaj ishte njoftuar edhe policia, por nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e vrasjes.
Ndërkohë, një tjetër vetëvrasje ka tronditur opinionin publik ditën e djeshme. Tragjedia ka ndodhur në Golem, ku 54-vjeçari Arben Tahiraj ka kryer vetëvrasje. Burimet e Policisë bëjnë me dije se ai është vetëvarur në shkallët e brendshme të shtëpisë së tij në Golem. Dyshohet se aktin ekstrem viktima e kishte marrë sapo ishte kthyer nga Gjermania nga depresioni, pasi e kishte lënë gruaja.
Tahiraj kishte lënë një letër para se të ndërmerrte aktin e vetëflijimit. Mes shpjegimit se pse po kryente vetëvrasje, viktima ka kërkuar që gruaja mos t’u trengonte fëmijëve të vërtetën e hidhur.
“Nexhi, Lume, Halil, Artur. Ju kërkoj falje për veprimin tim, por më mirë kështu sesa të jetë vonë dhe të më krijohet ndonjë sëmundje nga problemet e mëdhaja që më janë krijuar me realitetin e jetës që m’u servir nga fati im i keq. Unë humba familjen që për mua ishte gjithçka në jetën time. Tani nuk kam më asgjë për të humbur prandaj nuk gjej forca për të vazhduar më tej dhe të merrja këtë vendim të shëmtuar.
Më vjen shumë keq për shqetësimin që po ju sjell. Ju lutem, fëmijët mos i njoftoni, kur të vijë momenti më vonë, kur të jenë të rritur tregojani dhe u thoni se babi i donte shumë që të tre. Jonin, Glorian dhe Julian, por fati e solli që të ndaheshim nga njëri-tjetri që ishte shumë e rëndë. Ju kërkoj të falur të gjithë familjeve tuaja sëbashku me fëmijët kushërinjve, miqve dhe të gjithëve që më janë gjendur pranë dhe më kanë mbështetur në ditët e mia të vështira. Ju përqafoj fort të gjithëve duke iu thënë të ma falni veprimin e dobët të vetëvrasjes. Në portofol janë 265 euro dhe 20 mijë lekë të reja shqiptare. Nuk janë shumë, por përdorini në fatkeqësinë time. Nuk kam më shumë se kaq. 6.12.2016. Vëllai juaj Arben Tahiri.
Janë dhe dy letra të vajzave. Ruajini si kujtim kur të rriten. Janë në gjermanisht”, shkruhej në letrën e lënë nga viktima.
Viktimat e djeshme u shtohen atyre të ndodhura një ditë më parë në Korçë, ku një 41-vjeçar mbyti dy fëmijët e tij të mitur dhe më pas vari edhe veten. Ndërsa të shtunën një grua u vra nga burri i saj në Fier, ndonëse për të kishte një urdhër mbrojtje nga Gjykata. Burri e hodhi gruan nga ballkoni, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Këto ngjarja makabre ngjallën revoltë dhe indinjatë në opinionin publik. Për ngjarjen e Fierit mban përgjegjësi direkt policia, pasi nuk e mori në mbrojtje gruan fatkeqe ndonëse kishte një vendim gjykate për të.
Varfëria ekstreme dhe mjerimi që ka pllakosur të gjithë vendin, janë shkaqet kryesore që e ka çuar shoqërinë shqiptare në një depresion shokues. Përditë ndodhin vrasje e vetëvrasje, ndërsa qeveria jo vetëm që nuk siguron bukën e gojës, por nuk jep asnjë zgjidhje për njerëzit e pashpresë dhe të dëshpëruar nga mosgjetja e një rruge për të mbijetuar.

R.POLISI