Gjyqtari i “Clasicos” ka histori me Realin

Carlos Clos Gomez do të jetë “bilbili” i sfidës ndërmjet Barcelonës dhe Realit. Për të rrëzuar çdo teori konspirative, ai nuk ka asnjë lidhje me ndonjë drejtues të skuadrës madrilene, por ka qenë i përfshirë në disa nga ndeshjet më interesante të Los Blancos. Për të qenë më të saktë, kur në ndeshjet e Realit ndan drejtësinë Gomez, “galaktikët” kanë shumë fat.
Clos Gomez u godit me një shishe uji nga mesfushori i Grandës, Dani Benitez, në përfundim të ndeshjes m Realin. Granada e humbi sfidën 1-2 falë autogolit të David Cortes në përfundim të ndeshjes. Gomez ndëshkoi me të kuq Benitez, që u përjashtua për tre muaj. Pas përfundimit të ndeshjes, u ndëshkuan me të kuq edhe dy lojtarët e tjerë të Grandës, Moises Hurtado dhe Guilherme Siqueira.
Gomez ishte gjyqtar kryesor edhe në barazimin 2-2 të Realit me Valenican në sezonin 2014-15. Miqtë kishin shënuar dy herë, ndërsa Gomez i dha mundësinë Realit të kthehej në ndeshje përmes një penalltie që Ronaldo nuk e shndërroi në gol. Megjithatë, në pjesën e dytë, Pepe dhe Isco shënuan për të marrë një pikë nga kjo sfidë. Përpara sfidës me Valencian, në sezonin 2013-14, Reali barazoi 2-2 në transfertën ndaj Osasunës. Në “El Sadar” Reali e pa veten në disavantazh prej dy golash në pjesën e parë, por në të dytën sërish ishte Pepe dhe Isco që shënojnë për rezultatin përfundimtar 2-2.
Ndërkohë, Trajneri i katalanasve Luis Enrike ka një ide në kokë se si mund të luajë Reali të shtunën. “Mendoj se do të kemi përballë të njëjtin Real që kur drejtimin e mori Zidane. Një ekip shumë i organizuar në pjesën defensive dhe nuk kanë nevojë për topin që të impresionojë. Posedojnë lojtarë cilësorë, lojtarë kampionë. Është një ndeshje e veçantë dhe janë rivalët tanë dhe luajmë në shtëpi. Duhet të jemi në nivel të lartë dhe të bëjmë një ndeshje të mirë për të mposhtur një skuadër cilësore si ajo e Realit”, tha trajneri katalanas. Për sfidën ndaj Realit, pritet rikthimi i kapitenit Andres Iniesta, mungesën e të cilit Barcelona e ka ndjerë shumë në ndeshjet e fundit, edhe pse Enrique nuk e pranon. “Është shumë e rëndësishme që Iniesta u rikthye, sepse ai është kapiteni ynë. Por, sa i përket lojës, stili ynë nuk ndryshon në bazë të lojtarit, jemi në një sport ekipor dhe jo individual”, tha ai.