Gjiknuri fundos Ramën për paktin 550 milionë euro me CEZ

Kryeministri Edi Rama and Ministri i Energjitikes, Damian Gjiknuri, gjate nje seance parlamentare, ku pritet diskutimi dhe miratimi i rishikimit te buxhetit per vitin 2015./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama and Damian Gjiknuri, Minister of Energy and Industry, during a parliamentary session.

Shqipëria i ka pasur të gjitha shanset, që të fitojë në Gjykatën e Arbitrazhit ndaj kompanisë çeke ÇEZ, por ka preferuar që me një vendim politik të humbasë jo pak, po më shumë se 550 milionë euro. Ky fakt është pohuar dje në Komisionin Hetimor nga vetë ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, pas publikimit të korrespondencës që ministria që ai drejton ka pasur me avokatin e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit, Hamid Ghavari. Ky i fundit, në më shumë se një herë ka argumentuar se Shqipërisë duhet t’i jepej e drejta në këtë gjykatë, pasi faktet siç shprehet ai janë të gjitha në favor të saj dhe përfitimi nga investimi i munguar dhe nga mosmbledhja e borxheve ishte rreth 460 milionë euro. Zoti Ghavari nga ana e tij rekomandonte që Shqipëria mos të pranojë marrëveshjen e mirëkuptimit, ku Shqipëria jo vetëm që nuk do të paguante, por do të paguante dhe 92 milionë euro për të marrë mbrapsht 76% të aksioneve të ÇEZ shpërndarje. Por, krejt papritur zoti Ghavari, ka marrë nga Entela Çipa, këshilltare e ministrit, një e-mail ku i bëhej e ditur këtij të fundit se qeveria shqiptare do të pranonte marrëveshjen e mirëkuptimit me kompaninë ÇEZ, duke humbur në total më shumë se 550 milionë euro. “Këshilloj qëndrim kundër nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit siç është dërguar nga CEZ a.s., rekomandoj që të mbledhim provat e ekspertit teknik dhe financiar që kërkojmë së bashku me provat dokumentare të mbetura të kërkuara për të depozituar pretendimet në IÇ, dhe më pas, kur pozita negociuese të anojë në favorin tonë dhe pozicioni/pretendimet tona të jenë parashtruar qartë, të vlerësojmë të kthehemi në tavolinën e negocimeve”, ka qenë këshilla e zotit Gharavi për qeverinë shqiptare. Vetë ministri i Ramës pranoi dje se marrëveshja ishte politike, duke qartësuar deri diku mjegullnajën rreth kësaj afere, dhe duke vendosur gishtin mbi fajtorin kryesor të kësaj humbje marramendëse parash. Se çfarë afere fshihet pas kësaj marrëveshje dhe se përse duhej që Rama, të pranonte një marrëveshje që ishte në disfavor të interesave të vendit, kjo do të qartësohet në ditët në vijim. Ajo çka, qartësojnë e-mail-et dhe deklarata e ministrit është fakti se Rama ka mashtruar shqiptarët kur ka thënë se nga ajo marrëveshje u shpëtuan rreth gjysmë miliardi dollarë, ndërkohë që avokatët kanë rekomanduar të kundërtën, pra refuzimin e saj. Duket se ndodhemi para një megaafere të madhe financiare që i ka kushtuar shumë vendit, duke abuzuar me vendimmarrjen dhe deri më tani kjo ka një fajtor kryesor, Edi Ramën.

Si Gjiknuri i hedh fajin vendimit të Ramës

Kur vendoset të negocioni me palën CEZ? Çfarë pozicioni keni patur në grupin e negocimit. A duhej që anëtarët e grupit negociator të deklaronin konfliktin e interesit në se kishin të tillë para përfshirjes në grupin negociator? A jeni në dijeni nëse ndonjë nga anëtarët e grupit të negocimit kanë qenë në konflikt interesi?
Këshilli i Ministrave, duke marrë në konsideratë interesin mjaft të lartë politik dhe ekonomik për zgjidhjen e kësaj çështjeje, si dhe duke analizuar me përgjegjësi situatën në të cilën ndodhej sistemi elektroenergjetik shqiptar, miratoi VKM  nr. 969, datë 25.10.2013 “Për ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë CEZ a.s”, për ngritjen e grupit të punës ndër institucional.
Për të parandaluar një kolaps absolut operacional dhe financiar, si dhe në analizë të faktorëve të tjerë të pozitës së dobësuar të shtetit shqiptar si dhe rrezikut potencial që vinte nga pretendimet e paraqitura nga CEZ pas periudhës së privatizimit e deri në heqjen e licencës, grupit të punës iu ngarkua detyra e fillimit të përpjekjeve për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjes me shoqërinë CEZ a.s si dhe detyra e marrjes së masave për përfaqësimin dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë në proceset e arbitrazhit ndërkombëtar në rast se nuk do të kishte një zgjidhje me pajtim të çështjes.
Fillimi i negociatave për zgjidhjen me mirëkuptim u bazua në dispozitat e Traktatit të Kartës së Energjisë, ratifikuar me Ligjin Nr. 8261, datë 11.12.1997, konkretisht në nenin 27, e cila parashikon procesin e zgjidhjes së një mosmarrëveshje me mirëkuptim.
Gjithashtu referuar kushteve të Marrëveshjes së Shitjes së Aksioneve, miratuar me Ligjin Nr.10116, datë 23.04.2009, konkretisht bazuar në pikën 13.2 parashikohet e drejta e palëve, pra Republikës së Shqipërisë së përfaqësuar nga METE dhe Shoqërisë CEZ a.s që të zgjidhnin me mirëkuptim për mosmarrëveshjet që lindin midis tyre si pasojë apo në lidhje me këtë Marrëveshje.
Grupi i punës u konstituua me Urdhrin e Kryeministrit Nr. 228, datë 2.12.2013 “Për përcaktimin e përbërjes së grupit të punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ a.s”, i ndryshuar.
Unë kam qenë kryetar i grupit, por s’kam pasur asnjë të drejtë më shumë se gjithë anëtarët e tjerë të grupit negociator. Nuk kishim ndonjë detyrim me ligj të shkruar për nënshkrim të deklaratave të konfliktit të interesit dhe në dijeninë time nuk ka pasur asnjë anëtar grupi konflikt interesi siç edhe e ka provuar Prokuroria në hetimin e saj.