Fitore me goleadë për Realin, ngec Barcelona

Asnjë problem për Realin e Madridit, që siguron me lehtësi një vend mes 16 më të mirëve të Kupës së Mbretit. “Galaktikët” me plot lojtarë të rinj në formacion, mposhtën 6-1 Kultural Leonesën pas suksesit 7-1 në ndeshjen e vajtjes. Në listën e shënuesve sonte ishte edhe emri i Enco Zidanit, djali i madh i trajnerit Zinedin, në të parën ndeshje zyrtare me ekipin e parë.
Ndërkaq, hyn në histori edhe domenikani Mariano Diaz, të cilit i mjaftuan vetëm 23 sekonda për të shënuar golin më të shpejtë të Realit në Kupën e Mbretit. Gjithçka e thjeshtë edhe për Atletikon, që i bëri gjashtë gola Gihelos pas triumfit 2-0 në duelin e parë.
Surpriza e mbrëmjes vjen nga Alikante, ku Herkulesi i ligës së dytë ndali në barazim 1-1 Barcelonën në ndeshjen e vajtjes. Me një ekip me rezerva, të besuarit e Luis Enrikes u ndëshkuan nga David Mainz në të 52-ën. Por gëzimi i vendasve zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi katalanasit barazuan me një gol spektakolar të Karles Alenas. 18-vjeçari realizoi me një të majtë të fuqishme nga rreth 20 metra në debutimin me skuadrën e parë.